Papa: Gratë ndërtojnë shoqëri më njerëzore me sytë dhe zemrën e tyre
R. SH. - Vatikan
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, pas katekizmit të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku i uroi të gjitha gratë e, posaçërisht, gratë e pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit:
“I falënderoj për angazhimin e tyre në ndërtimin e një shoqërie më njerëzore, përmes aftësisë për ta shikuar realitetin me vështrimin e tyre krijues e me zemër të butë. E këtë privilegj e kanë vetëm gratë!”.
Papa nuk e harron kurrë popullin ukrainas
Papa na fton ta kemi gjithmonë "në zemrat dhe në lutjet tona" popullin martir ukrainas, dhimbjen e të cilit nuk duhet ta harrojmë. Ndërsa, duke iu drejtuar besimtarëve polakë, famullitë dhe bashkësitë baritore të të cilëve po marrin pjesë në ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve, Françesku uroi: "Qoftë çast reflektimi mbi cilësinë e humanizmit tuaj dhe të krishterimit tuaj, për të sjellë fryte të së mirës, edhe në favor të njerëzve që mirëprisni në vendin tuaj, veçanërisht të ukrainasve”.
Të rigjallërohet angazhimin misionar gjatë Kreshmëve
Kreshmët - nënvizoi përsëri Papa - "mund të jenë kohë e favorshme për të rigjallëruar dinamizmin tonë misionar, që t'i shërbejmë me gëzim Ungjillit dhe njerëzimit", duke pranuar "ftesën e Kishës për kthesë e pendim, që të mundemi, kështu, t’ia shpallim me gëzim Ungjillin botës”. "Kthimi te dashuria e Atit dhe te misioni i Birit dhe i Shpirtit Shenjt", u kujtoi Papa shtegtarëve të gjuhës arabe - "na bën të kuptojmë se na jepet falas dhurata e përkryerjes së jetës, në të cilën jemi thirrur: e për këtë duhet ta lavdërojmë dhe ta falënderojmë Zotin”.