Kërko

Duke dëgjuar lutjen e Engjëllit të Tënzot  (Vatican Media) Duke dëgjuar lutjen e Engjëllit të Tënzot (Vatican Media)  (Vatican Media)

Françesku: vetëm shndërrimi i zemrave i hap udhën paqes në Ukrainë

Pas Lutjes së Engjëllit, Françesku kujtoi rishtas tokën e torturuar ukrainase, që vijon të jetojë në luftë prej më shumë se një viti. E nuk e harroi as mbledhjen e sotme të lëmoshëve në të gjitha kishat italiane, për të ndihmuar popullatën e Sirisë dhe të Turqisë, dëmtuar rëndë nga tërmeti. Shprehu edhe solidaritetin me Misisipin e përmbytur nga ujërat.

R. SH. - Vatikan

Pas lutjes mariane, Papa kujtoi përsëri “Ukrainën e martirizuar”, pa harruar edhe popullsinë e Sirisë e të Turqisë,  të dëmtuara rëndë nga tërmeti tragjik të 6 shkurtit të kaluar.

Shndërroni zemrat për paqen

Fjalët e Françeskut na kujtojnë ditën e djeshme e kushtimin Zojës:

“Dje, në Solemnitetin e Lajmërimit të Zotit, iu kushtuam përsëri Zemrës së Papërlyer të Marisë, të sigurt se vetëm shndërrimi i zemrave mund të hapë rrugën, që të çon drejt paqes. Të vijojmë lutjet për popullin martir ukrainas”.

Ftesa për lëmoshë në ndihmë të Sirisë dhe Turqisë

Papa nuk e harroi popullsinë turke dhe siriane, prekur nga tërmeti i 6 shkurtit. Për ta e bëri thirrjen:

“Të jemi pranë viktimave të tërmetit në Turqi dhe Siri. Për ta po mblidhen ndihmat e sotme në të gjitha famullitë e Italisë”.

Së fundi, para se të përshëndeste besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa kërkoi lutje edhe për "popullsinë e shtetit të Mississippi-t, të dëmtuar rëndë nga një tornado shkatërrimtare", që la pas vetëm rrënoja.

Papa: hiqi rrasat nga varret e problemeve dhe kthehu në jetë

Në përshëndetjet e tij të fundit, Papa nuk harroi të përmendte edhe situatën shqetësuese në Peru:

“Përshëndes shtegtarët peruvianë, duke vijuar lutjet e mia për paqe dhe pajtim në Peru. Të lutemi për Perunë, që po vuan aq shumë”.

E më pas, Ati i Shenjtë iu drejtua në mënyrë të veçantë delegacionit të Forcave Ajrore Italiane, që feston njëqindvjetorin e themelimit, me inkurajimin “që të punojnë gjithmonë për drejtësinë dhe paqen”.

Ukraina: Putin flet për përdorimin e armëve bërthamore

Lajmet e fundit prej vendit të pushtuar nga Rusia lidhur me njoftimin e presidentit rus Putin për vendosjen e armëve taktike bërthamore në Bjellorusi, e thellojnë më tej tensionin ndërkombëtar. Kreu i Kremlinit shpjegon se nuk bëhet fjalë për t’i dërguar armë bërthamore qeverisë së Bjellorusisë, por për organizimin e një stërvitjeje ushtarake në tokën bjelloruse "ashtu siç bëjnë Shtetet e Bashkuara në Evropë". Putin komentoi, më pas, dërgimin e municioneve me uraniumit të varfëruar në Ukrainë nga ana e Londrës, duke paralajmëruar se Rusia "ka qindra mijëra armë të këtij lloji". Së fundi kujtoi edhe se Rusia tashmë ia ka dorëzuar Minskut sistemin raketor Iskander, duke njoftuar edhe se do të prodhojë mbi 1600 tanke brenda një viti.

Arsenali atomik i Rusisë, më i madhi në botë

Rusia e mban Minskun si “peng bërthamor”: kjo është përgjigjja që vjen nga qeveria e Kievit, sipas së cilës transferimi i armëve bërthamore taktike përfaqëson “një hap drejt destabilizimit të brendshëm” të Bjellorusisë. Ndërkohë nga Pentagoni vjen lajmi se administrata e Shteteve të Bashkuara nuk ka asnjë informacion lidhur me synimin e Rusisë për përdorimin e armëve bërthamore dhe se ata do të vazhdojnë të monitorojnë situatën. Kujtojmë se arsenali bërthamor i Rusisë me 6000 testate luftarake është më i madhi në botë, i ndjekur nga ai i Shteteve të Bashkuara, me më shumë se 5400. Mbrëmë presidenti ukrainas Zelensky deklaroi se Rusia po humbet “në të gjitha fushat”, në terren, në ekonomi dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndërkohë në terren vazhdojnë luftimet. Forcat ukrainase, në buletinin e mëngjesit të sotëm, kumtojnë se zmbrapsen më shumë se 85 sulme ruse në ditën e fundit të luftës. Trupat ruse - thuhet - po përqendrojnë përpjekjet e tyre në ofensivën kundër Lyman, Bakhmut, Avdiivka, Mariinka dhe Shakhtarsk në Donetsk Oblast.

26 mars 2023, 14:36