Kërko

2023.03.10   L'intervista del Papa a Infobae 2023.03.10 L'intervista del Papa a Infobae

Papa Françesku: “Dua të shkoj në Argjentinë”

Intervistë e Papës me faqen argjentinase "Infobae", me rastin e dhjetëvjetorit të papnisë: shpresat për ndryshime në Venezuelë dhe për përfundimin e luftës në Ukrainë, fjalët e forta për situatën në Nikaragua, "disiplina" e celibatit, "rezistenca të këqija" në Kishë, betimi Zojës për të mos e parë Tv-në, ndërmjet temave të trajtuara.

R.SH. / Vatikan

Udhëtimi në Argjentinë, shpresa për ndryshime në Venezuelë dhe denoncimi i “diktaturës së ashpër" në Nikaragua. Në intervistën dhënë faqes informative argjentinase Infobae, në qendër të vëmendjes Amerika Qendrore dhe Jugore, pak ditë para kremtimit të dhjetëvjetorit të papnisë së tij. Gjatë bisedës në Shën Martë me pronarin e portalit Daniel Hadad, Papa kalon nga tema gjeopolitike, si lufta në Ukrainë, në problemet kishtare, si ai i homoseksualëve dhe i rolit të grave e deri tek ato më personale për shembull, “pse nuk e shikon më TV?".

Situata në Nikaragua

Papa flet posaçërisht për vështirësitë që po përballon sot populli dhe Kisha e Nikaraguas, ku nunci u dëbua, procesionet e Javës së Madhe u ndaluan e sulmet kundër ipeshkvijve dhe priftërinjve vijojnë. Papa denoncon mungesën e ekuilibrit të atyre që drejtojnë vendin dhe, duke kujtuar ipeshkvin e Matagalpës, Imzot Rolando Álvarez, i dënuar me 26 vjet burg, për të cilin foli në Engjëllin e 12 shkurtit, shton: “Kemi një ipeshkëv në burg. Njeri shumë serioz, shumë i aftë. Ai donte të jepte dëshminë e tij dhe nuk e pranoi internimin. Diçka që nuk përputhet me çka po jetojmë: është si të rivendosësh diktaturën komuniste të 17-ës apo të Hitlerit të 35-ës, duke i mbartur të njëjtat këtu, apo jo? Diktaturat e vrazhda. Ose, për të përdorur një epitet të bukur argjentinas, guarangas (të trasha).

Shtegtimi në Argjentinë

Duke folur për Argjentinën, qe e pashmangshme pyetja për një udhëtim të mundshëm në vendin e tij të lindjes. “U planifikua për në dhjetor 2017”, shpjegon Jorge Mario Bergoglio, duke përsëritur çka pati thënë  gjatë fluturimit të kthimit nga Iraku: “Do të shkohej fillimisht në Kili, pastaj në Argjentinë dhe Uruguaj. Ky ishte programi. Por çfarë ndodhi? Në atë kohë kishte zgjedhje. Kështu që ne duhej ta transferonim Kilin në dhjetor dhe më pas të shkonim në Argjentinë dhe Uruguai në janar. Në janar nuk  gjen as maçokun… Më pas programi u ndryshua dhe u realizuan Kili dhe Peruja, ndërsa Argjentina dhe Uruguai u lanë për më vonë… Nuk kam asnjë kundërshtim për këtë shtegtim - pohon Papa - Ne asnjë mënyrë. Shtegtimi ishte planifikuar. Unë jam i kënaqur për këtë mundësi... Dua të shkoj në Argjentinë!

Regjimi në Venezuelë dhe lufta në Ukrainë

Më pas Françesku ndalohet tek situata në Venezuelë, duke deklaruar se shikon një rreze shprese, që e nxit të mendojë se regjimi mund të ndryshohet: "Mendoj kështu - pohon - sepse janë rrethanat historike ato që do t'i detyrojnë ta ndryshojnë mënyrën e tyre të dialogut ...Unë nuk ia mbylli kurrë derën zgjidhjeve të mundshme. Përkundrazi, i inkurajoj”.

Papa tregohet më i përmbajtur për zgjidhjen e luftës në Ukrainë: “Të gjithë po punojnë për këtë. Punojnë të gjithë” - thotë ai - “Modi (kryeministri i Indisë) ndoshta mund të bëjë diçka, nuk e di. Por di se disa sundimtarë po lëvizin. Ekziston një grup izraelit, që po ecën mirë. Por ne nuk e dimë se çfarë do të na sjellë”

Mirëpritja e homoseksualëve

Homoseksualët, të divorcuarit e rimartuar, gratë, çelibati: këto janë temat e tjera që i trajton Papa në intervistë. Për problemin e mirëpritjes së homoseksualëve, kujton drejtpërdrejt fjalët e Jezusit: "Përgjigja e madhe u dha nga Ai - kujton - “Të gjithë. Të gjithë. Të gjithë brenda. Kur 'të rafinuarit' nuk donin të shkonin në gosti, i linte të shkonin në udhëkryqe dhe i thërriste të gjithë, të mirë, të këqij, të moshuar, të rinj, fëmijë, të gjithë. Të gjithë. Kisha është për të gjithë. Dhe secili e zgjedh vendin e vet përpara Zotit me ato forca që ka. Kjo është Kishë mëkatarësh”.

“Nuk e di ku është Kisha e Shenjtorëve, ne jemi të gjithë mëkatarë këtu” - pohon Papa, dhe si në udhëtimin e tij të parë në Rio de Zhaneiro më 2013,  përsërit: “Kush jam unë, që të gjykoj nëse një njeri ka vullnet të mirë, apo jo? Nëse i ngjet më shumë ndonjërit nga banda e djallit, bah, të mbrohemi pak. Por sot ka shumë vëmendje për këtë problem. Jezusi i thërret të gjithë dhe secili e zgjidh marrëdhënien e tij me Zotin si të mundet ose si të dojë, sepse herë do e herë nuk mundet, por Zoti e pret gjithmonë”.

Roli i gruas

Në të njëjtën mënyrë, Papa, duke kujtuar sakramentet për të divorcuarit e rimartuar - temë qendrore në Sinodet e viteve 2014-15 kushtuar familjes - kujton "ndërgjegjen e ipeshkvit" dhe i këshillon çiftet e ndara "të shkojnë te ipeshkvi e t’ia paraqesin gjendjen e tyre”.

Ndërsa për gratë nënvizon se tani numri i atyre që punojnë në Kishë, është më i madh: një hap i domosdoshëm përpara sepse “sundimi i burrave është i keq” – kujton - “Ndonjëherë çelibati a beqaria mund të të çojë në maskilizëm. Priftit, që nuk di të punojë me femra, i mungon diçka, nuk e ka fituar akoma pjekurinë. Vatikani ishte shumë mashkullor, por është pjesë e kulturës, nuk është faji i askujt. Gjithmonë ka qenë kështu”. Por tani gjërat po ndryshojnë: "Kanë metodologji tjetër, gratë. Dinë ta vlerësojnë kohën, të presin, të durojnë, ndryshe nga burrat. Kjo nuk i zhvlerëson burrat, janë të ndryshëm. Dhe duhet ta plotësojnë njëri-tjetrin".

“Disiplina” e çelibatit

Papa Françesku ndalohet edhe tek çelibati në Kishën Perëndimore: “Është normë e përkohshme... Nuk është e përjetshme, si shugurimi meshtarak... Çelibati është disiplinë”. "Pra edhe mund të rishikohet?" - e pyet intervistuesi. "Po" - përgjigjet Papa.

Rezistenca të këqija

Hadad citon më pas kardinalin 92-vjeçar Julián Herranz, kur pati thënë se ndër gjashtë papët, me të cilët bashkëpunoi "ndoshta djalli punoi me dy, me Palin VI dhe me Françeskun, gjithmonë për ta përçarë Kishën dhe për ta penguar përhapjen e Ungjillit". “Nuk mund të gjykoj nëse është e vërtetë apo jo” – ishte përgjigja - “Sigurisht që ndonjëherë ka rezistencë, por të llojit të keq. Jo të mirë. Sepse rezistenca e mirë është kur, nëse bëj një projekt të mirë, duhet ta shohim, ta diskutojmë. Rezistenca e keqe është ajo që më njanë diskuton këtu, e në anën tjetër shkon e kërkon edhe tradhti. Por unë ose jam naiv, ose nuk i dëgjoj fare”. Në Kishë ka gjëra të tilla, janë aty, në një cep, të fshehura: “Në prag të skizmës, e kjo është e keqja – komenton Papa – Për shembull, rasti i një ipeshkvi të njohur amerikan që ishte nunc. Nuk dihet nëse ky njeri është katolik apo jo, apo është në kufi. Rezistenca të trajtuara keq. Në Kishë që në fillim ka pasur rezistencë”. “Kur më kritikojnë kokulur, e vlerësoj - shton - Shpesh nuk më pëlqen, por për ta vlerësuar e vlerësoj”.

10 mars 2023, 14:07