Kërko

Audienca e Papës me pjesëmarrësit në Kursin e Pendestarisë Apostolike Audienca e Papës me pjesëmarrësit në Kursin e Pendestarisë Apostolike

Papa: para vatrave të urrejtjes dhe të hakmarrjes, të shumëfishohen “vatrat e mëshirës”

Në Sallën Pali VI, në Vatikan, Françesku takohet me pjesëmarrësit në Kursin e Forumit të Brendshëm, organizuar ditët e fundit nga Pendestaria Apostolike. Duke pasur parasysh Jubileun 2025, ai ndalet në nevojën që rrëfyesit të jenë gjithnjë gati për t’i pritur besimtarët e penduar me zemër të mëshirshme. Ati i Shenjtë ngul këmbë: kurrë mos hyni në dialog me djallin, meshtarët të mos bëjnë psikiatrin, por të mbarështojnë Sakramentin e Pajtimit

R.SH. – Vatikan

Meshtarët rrëfyes duhet t’i mirëpresin të gjithë pa paragjykime, duke i dëgjuar vëllezërit dhe motrat me zemër, duke e dhënë faljen e Zotit me bujari, duke garantuar gatishmërinë e plotë, edhe në përgatitje të Jubileut 2025. Këtë u tha Papa Françesku pjesëmarrësve në Kursin XXXIII për Forumin e Brendshëm, organizuar nga Pendestaria Apostolike nga e hëna deri të premten, 24 mars. Ati i Shenjtë i priti në audiencë të enjten paradite (23 mars).

Me zemër të mëshirshme, përndryshe mos shkoni në rrëfyestore

Duke nënvizuar rëndësinë e Pendestarisë Apostolike, e cila përgatit meshtarët rrëfyes, i këshilloi këta të fundit të mos i mundojnë besimtarët e penduar në rrëfyestore e të mos u japin dënime, që s’i bëjnë dot, përndryshe, të mos shkojnë për t’i rrëfyer. Mëshira është karakteristika e Kishës, vërejti Papa.

“Gatishmëria e rrëfyesit shihet në disa qëndrime ungjillore. Së pari, në pritjen e të gjithëve pa paragjykime, sepse vetëm Zoti e di çfarë mund të sjellë hir në zemra, në çdo çast; pastaj, në dëgjimin e vëllezërve me veshin e zemrës, me plagë si zemra e Krishtit; në zgjidhjen e mëkateve të pendestarëve, duke e dhuruar bujarisht faljen e Zotit; në shoqërimin e udhës së pendimit, pa detyrime, duke ecur një hap me besimtarët, me durim dhe lutje të vazhdueshme”.

Në përgatitje të Jubileut 2025, të rizbulojmë rrëfimin

Ati i Shenjtë kërkoi që rrëfyestoret të jenë gjithnjë të hapura, sidomos në përgatitje të Jubileut 2025. E, të jenë të hapura edhe për vetë meshtarët, që nuk duhet ta ndiejnë veten më pak mëkatarë se të tjerët. Duhet lehtësuar ardhja e besimtarëve në atë, që Papa e quajti “takim dashurie” me Krishtin, duke u kujdesur për njerëzit që nga rrëfimi i tyre i parë, në moshë të njomë.

“Në botë, fatkeqësisht e shohim çdo ditë, nuk mungojnë vatrat e urrejtjes dhe hakmarrjes – po e shohim. Atëherë, ne rrëfyesit duhet t’i shumëfishojmë ‘vatrat e mëshirës’. Të mos harrojmë se jemi pjesë e një lufte të mbinatyrshme, një lufte, që duket veçanërisht e ashpër në kohën tonë, megjithëse e dimë se rezultati përfundimtar do të jetë fitorja e Krishtit mbi fuqitë e së keqes, por lufta ekziston akoma. Kjo fitore ndodh vërtet sa herë që një të penduari i zgjidhen mëkatet. Asgjë s’e largon dhe s’e mposht të keqen më shumë se mëshira hyjnore”.

Mos hyni në dialog me djallin, mos bëni psikiatrin

Jashtë tekstit të shkruar, Françesku vijoi me këshillat për rrëfyesit:

“Jezusi na mësoi se kurrë nuk duhet të hyjmë në dialog me djallin: kurrë! Tundimit në shkretëtirë, Ai iu përgjigj me Fjalën e Zotit, por nuk hyri në dialog. Kini kujdes në rrëfim: kurrë mos dialogoni me të keqen, kurrë! Jepni ç’është e drejtë për të marrë faljen e hapni ndonjë portë që besimtari të ecë përpara; por mos u bëni kurrë psikiatër, ju lutem, psikoanalistë jo, mos hyni kurrë në këto gjëra. Nëse ndokush prej jush e ka këtë thirrje, ta realizojë diku tjetër, por jo në gjykatën e pendesës… E falja të jetë e mëshirshme. “Kjo të jetë hera e fundit, nuk të fal herën tjetër”: jo, nuk bëhet kështu”.

Nesër, 24 mars, në kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, punimet e Kursit të formimit të Pendestarisë Apostolike do të përfundojnë me një kremtim pendestar, të cilin Papa Françesku e përmendi në fund të fjalës së tij, duke kujtuar edhe një herë, rëndësinë e ndjesës së plotë në kuadrin e Jubileut të ardhshëm.

23 mars 2023, 12:46