Kërko

Jeruzalemi Jeruzalemi

Papa Françesku: Jeruzalemi, qyteti i paqes, simbol i dialogut ndërfetar

Në audiencën me Grupin e përbashkët të Punës për Dialogun ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Palestinës, Papa kujton mundimet e Jeruzalemit dhe “vuajtjet e bijve të tij”: dhembshuria për të duhet të jetë më e fortë se çdo ideologji, sepse ai “meriton respektin dhe nderimin e të gjithëve”

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku u drejtoi sot një përshëndetje pjesëmarrësve në Grupin e përbashkët të Punës për dialogun ndërmjet Dikasterit për Dialogun Ndërfetar dhe Komisionit palestinez për Dialogun Ndërfetar. Kujtoi fillimisht themeluesit e Grupit, kardinalin Jean-Luis Tauran dhe shehun Mahmoud Al-Habbash – ky i fundit i pranishëm – ndërsa, më pas, u ndal në kuptimin shpirtëror të Jeruzalemit, qytetit të shenjtë për hebrenjtë, të krishterët e myslimanët, vend takimi e simbol i bashkëjetesës paqësore ndërmjet feve.

Jeruzalemi ka vlerë universale

Në Ungjill, vërejti Papa, Jeruzalemi është vendi ku ndodhin shumë episode të jetës së Jezu Krishtit. Aty lindi edhe Kisha, kur Shpirti Shenjt zbriti mbi dishepujt, mbledhur në lutje bashkë me Virgjërën Mari, duke i nxitur t’u kumtojnë të gjithëve mesazhin e shëlbimit.

“Por Jeruzalemi ka vlerë universale, përfshirë qysh në kuptimin e emrit të tij: ‘Qyteti i Paqes’. Lidhur me këtë, dua të kujtoj atë çast në jetën e Jezusit në të cilin, vetëm pak ditë pas Mundimeve, arriti në Qytetin Shenjt dhe, “kur u afrua dhe e pa qytetin, qau mbi të e tha: ‘O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen!” (Lk 19, 41-42). Jezusi qan për Jeruzalemin. Nuk duhet të kalojmë më tej pak si tepër shpejt – kërkoi Françesku. – Për këto lotë të Jezusit duhet të meditojmë, në heshtje. Vëllezër e motra, sa burra e gra, hebrenj, të krishterë, myslimanë, kanë qarë dhe qajnë edhe sot për Jeruzalemin! Edhe ne, herë pas here, kur mendojmë për Qytetin e Shenjtë përlotemi, sepse ai është si nëna, zemra e së cilës nuk gjen qetësi nga vuajtjet e bijve të vet”.

Ta bëjmë tonën dhembshurinë e Zotit për Jeruzalemin

Papa përmendi dhembshurinë e Zotit për Jeruzalemin, duke bërë thirrje ta bëjmë tonën, duke kapërcyer ideologjitë e partishmëritë, pasi dashuria për të, duhet t’i frymëzojë të gjithë, por veçanërisht anëtarët e Grupit të Punës, për të ecur përpara në dialogun ndërfetar, simbol i të cilit është pikërisht Qyteti i Shenjtë.

09 mars 2023, 11:34