Papa Françesku: 10 vite hov misionar, në udhët e mëshirës e të paqes
R.SH. – Vatikan
“Koha është superiore në krahasim me hapësirën”: ky pohim i Papës Françesku, në Nxitjen e tij të parë apostolike “Evangelii gaudium”, flet qartë për dhjetë vitet e para të papnisë së tij. Për Jorge Mario Bergoglio-n - Papa i parë jezuit, i pari nga Amerika Latine, i pari që mori emrin e shën Françeskut dhe, i pari i kohëve moderne, që u zgjodh pas dorëheqjes së paraardhësit të tij – “hapësira kristalizon proceset, ndërsa koha projekton drejt së ardhmes dhe na shtyn të ecim me shpresë”. Ja pse ky konceptim i kohës bëhet çelës për të kuptuar papninë aktuale, që realizohet në dy mënyra: njëra progresive dhe tjetra rrethore. E para është ajo, që bën të mundur “fillimin e proceseve”; ndërsa e dyta, është përmasa e takimit dhe e vëllazërimit.
Në përmasën progresive kemi, së pari, Kushtetutën Apostolike “Praedicate Evangelium”: me hyrjen e saj në fuqi, në vitin 2022, ajo i jep një strukturë më misionare Kuries Romake. Ndër risitë e saj, bie në sy ngritja e Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë dhe të Dikasterit të ri për Ungjillëzimin, kryesuar drejtpërdrejt nga Papa. Dokumenti synon përfshirjen e burrave dhe të grave laike në Kurien Romake, si edhe finalizon reformat e shumta të zbatuara gjatë një dekade nga Papa Françesku në sferën ekonomike dhe financiare, duke përfshirë themelimin e Sekretarisë për Ekonominë në vitin 2015.
Proceset e nisura nga Bergoglio kanë të bëjnë edhe me ekumenizmin, dialogun ndërfetar dhe sinodalitetin. Në vitin 2015, Papa themeloi Ditën Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit, e cila kremtohet çdo vit më 1 shtator së bashku me Kishën Ortodokse, për t’i nxitur të krishterët drejt “kthesës ekologjike”. Enciklika e parë “Lumen fidei” u shkrua bashkë me paraardhësin e tij, Benediktin XVI, por nxitja për ndryshime ekologjike u përsërit edhe në enciklikën e dytë të Papës Françesku “Laudato si’”, kushtuar kujdesit për shtëpinë e përbashkët, botuar po në vitin 2015. Thelbi i dokumentit është nxitja për “ndryshimin e udhës”, që njeriu të marrë përgjegjësinë e të impenjohet më shumë në ruajtjen e në mbrojtjen e natyrës, por jo vetëm të saj. Është fjala për një impenjim, që përfshin zhdukjen e mjerimit, vëmendjen ndaj të varfërve dhe përdorimin e drejtë të të gjitha pasurive të planetit, për të gjithë.
Më 12 shkurt 2016, në Kubë, Françesku takoi Patriarkun e Moskës dhe të gjithë Rusisë, Kirill, me të cilin nënshkroi një deklaratë të përbashkët për të vënë në jetë “ekumenizmin e bamirësisë”, pra, impenjimin e përbashkët të të krishterëve për një njerëzim më vëllazëror. Impenjim tragjikisht aktual kur, më 16 mars 2022, në mes të luftës në Ukrainë, Françesku dhe Kirill patën një bisedë online, në të cilën ripohuan përpjekjen e tyre të përbashkët për të “ndalur zjarrin”, duke u përqendruar në “procesin e negociatave”.
I paharruar ishte edhe shtegtimi ekumenik i paqes në Sudanin e Jugut, i kryer muajin e kaluar nga Papa së bashku me kryeipeshkvin e Canterbury-t, Justin Welby, dhe me moderatorin e asamblesë së përgjithshme të Kishës së Skocisë, Iain Greenshields. Përsa i përket dialogut ndërfetar, çast tjetër i rëndësishëm historik është 4 shkurti 2019, kur Papa dhe Imami i Madh i Al-Azhar Ahmad al-Tayyib nënshkruan në Abu Dabi Dokumentim për Vëllazërimin Njerëzor për paqen dhe bashkëjetesën botërore. Teksti është hap themelor në marrëdhëniet ndërmjet krishterimit dhe myslimanizmit, pasi inkurajon dialogun ndërfetar dhe dënon pa mëdyshje terrorizmin dhe dhunën. Në frontin e sinodalitetit, Françesku bën një ndryshim të rëndësishëm: asambleja e përgjithshme e zakonshme e ipeshkvijve, e 16-ta, e planifikuar në Vatikan në vitin 2023 me temën “Për një Kishë sinodale: bashkimi, pjesëmarrja dhe misioni”, bëhet faza përfundimtare e një rrugëtimi 3-vjeçar, i përbërë nga dëgjimi, shoshitja, konsultimi dhe i ndarë në tri etapa: dioqezane, kontinentale, universale.
Në linjën kohore progresive të Françeskut gjejmë edhe luftën kundër abuzimit nga anëtarët e klerit, e cila kulmon me Takimin për mbrojtjen e të miturve, mbajtur në Vatikan në shkurt 2019. Shprehje e qartë e vullnetit të Kishës për të vepruar me vërtetësi dhe transparencë, takimi pati si rezultat Motu proprio-n “Vos estis lux mundi”, që përcaktoi procedura të reja për raportimin e abuzimeve dhe të dhunës, duke u siguruar që ipeshkvijtë dhe eprorët rregulltarë të marrin përsipër përgjegjësinë për veprimet e tyre.
Përmasa e dytë kohore e Papës Bergoglio, ajo “rrethore”, ka të bëjë me vëmendjen ndaj periferive, si gjeografike, ashtu edhe ekzistenciale: prej tyre, pohon Françesku, realiteti shihet më mirë sesa nga qendra e, prej tyre njeriu kthehet i pasuruar në mendime e në zemër. Emblematike për këtë janë 40 udhëtimet apostolike ndërkombëtare, pothuajse të gjitha me destinacione periferike (siç ishte i pari prej tyre, në Shqipëri), si edhe 36 vizitat në Itali, private a publike: e para prej tyre, më 8 korrik 2013, pati si destinacion ishullin italian të Lampeduzës, zemra dramatike e fenomenit migrator në Mesdhe. Me rëndësi të madhe, edhe vizita e prillit 2016 në kampin e refugjatëve të Lesbos, në Greqi, në fund të së cilës Françesku merr me vete 12 refugjatë sirianë në avionin papnor të kthimit për në Romë. Tema e migracionit - e cila ndjek katër foljet: mirëpres, mbroj, promovoj dhe integroj - është një përjetim tjetër i kësaj “kohe rrethore” të papnisë aktuale, pasi përfshin luftën e vazhdueshme kundër “kulturës së hedhurinave” dhe kundër “globalizimit të indiferencës”.
Përkushtimi i pandërprerë për paqen është gjithashtu pjesë e “kohës rrethore” të Bergoglio-s. Shprehje e admirueshme e kësaj është enciklika “Fratelli tutti”: publikuar më 4 tetor 2020, ajo bën thirrje për vëllazërim dhe miqësi shoqërore, duke iu kundërvënë me vendosmëri luftës. Dy vjet më vonë, pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë, nxitja e këtij dokumenti për “paqen e vërtetë dhe të qëndrueshme”, që nis nga “etika globale e solidaritetit” do të dukej profetike, në një botë, që vijon të përjetojë “luftën e tretë botërore pjesë-pjesë”.
Shembuj të tjerë të kësaj “diplomacie për paqen”, promovuar nga Papa, janë “Lutja për paqen në Tokën Shenjte”, më 8 qershor 2014, në Kopshtet e Vatikanit, së bashku me presidentët e Izraelit dhe të Palestinës, Shimon Peres e Mahmud Abbas; si edhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kubës, më 17 dhjetor të po atij viti. Ngjarje historike, për të cilën vetë Françesku, me muaj të tërë, u dërgoi letra krerëve të shteteve të të dyja vendeve, Barack Obama-s dhe Raul Castro-s, për t’i nxitur të “fillonin një fazë të re”. Në të njëjtën linjë, edhe marrëveshja e përkohshme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore të Kinës për emërimin e ipeshkvijve, nënshkruar në vitin 2018, rinovuar në vitin 2020 dhe zgjatur për dy vite të tjera më 2022. Pikërisht gjatë 2022-shit, me konfliktin në Ukrainë, Papa impenjohet personalisht për paqen: më 25 shkurt 2022, i bëm një vizitë ambasadorit të Federatës Ruse në Selinë e Shenjtë, Alexander Avdeev dhe më se një herë flet në telefon me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Të shumta e të përsëritura, thirrjet e tij që të heshtin armët.
Edhe ungjillëzimi - madje, pasioni për ungjillëzimin, siç pohohet në temën e ciklit të katekezës së audiencës së përgjithshme, aktualisht në vijim - është pjesë e përmasës kohore “rrethore” të Françeskut: vënë në dukje që më 2013 me “Evangelii gaudium”, ai karakterizohet nga gëzimi, nga “bukuria e dashurisë shpëtimprurëse të Zotit”, nga një Kishë “në dalje”, pranë besimtarëve, gati për “revolucionin e dhembshurisë”.
Edhe lidhja e Françeskut me paraardhësit e tij është e fuqishme. Vihet qartë në dukje më 27 prill 2014, nga kanonizimi i Papës Gjoni XXIII dhe i Papës Gjon Pali II. Më pas, atyre u shtohet edhe Papa Pali VI, shpallur shenjt më 14 tetor 2018 e Papa Gjon Pali I, shpallur i lum më 4 shtator 2022. Pikërisht këtij të fundit, Papa Françesku i kujton buzëqeshjen, simbol i “një Kishe me fytyrë të gëzuar”. Një vend i veçantë i takon Papës së nderit Benedikti XVI, i cili ndërroi jetë më 31 dhjetor 2022. Në dhjetë vite, Françesku nuk e fsheh kurrë respektin e jashtëzakonshëm për Joseph Ratzinger: në më se një rast ia lavdëron mendjemprehtësinë në teologji, mirësinë dhe përkushtimin e tij. Më 5 janar të këtij viti, kryeson funeralin e Benediktit XVI në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa i parë i epokës bashkëkohore, që kremton këtë meshë lamtumire për paraardhësin e tij.
Tani, Françesku fillon vitin e njëmbëdhjetë të papnisë dhe e bën këtë i shoqëruar nga shpresa: kush shpreson nuk mbetet kurrë i zhgënjyer, pohon shpesh Papa, sepse shpresa ka fytyrën e Zotit të Ngjallur.