Kërko

Papa familjeve të minatorëve polakë: në dhimbje, fjalët janë të tepërta

Një ngjarje emocionuese sot paradite, në Vatikan: takimi i Papës Françesku me familjet e minatorëve, që humbën jetën në dy aksidentet në Zofiowka dhe Pniowek të Polonisë, prillin e kaluar. Françesku i përshëndeti shkurtimisht pjesëmarrësit, të cilët më pas i bekoi dhe i takoi një nga një. "Në errësirë ​​Zoti është gjithnjë pranë nesh. Nuk e dimë se si, por është pranë".

R. SH. / Vatikan

Papa Françesku priti sot në audiencë familjet e minatorëve, të cilët humbën jetën në minierat e qymyrit më 20 dhe 23 prill 2022, në Poloni. Ishin rreth 80 vetë të pranishëm sot, në Sallën e Koncistorit, në Vatikan. E Papa e shprehu pjesëmarrjen në dhimbjen e tyre me pak, shumë pak fjalë tejet ngushëlluese:

“Faleminderit për vizitën! Nuk di çfarë të them para jush. Heshtja është shprehje e dhembjes. Humbja e burrit, e babait në një aksident si ky, është  e rëndë. E  tepër e rëndë të mendosh se disa u varrosën atje, në miniera… Nuk dua të them fjalë të tepërta,  dua t’ju kujtoj vetëm se jam pranë jush, me afërsinë e zemrës, e se lutem me ju në këtë mort kaq të rëndë e kaq të shëmtuar”.

Edhe zemërimi është një lutje

Në situata si këto - vazhdoi Françesku - mund të dyshosh, mund të të duket se Zoti nuk e dëgjoi lutjen tonë:

“Është heshtja e të vdekurve dhe heshtja e Zotit! Heshtje që ndonjëherë na zemëron. Po ju mos kini frikë: ai zemërim është lutje. Është një nga ‘pse-të?’ që i përsërisim vazhdimisht në këto situata. E përgjigja është: ‘Në errësirë ​​Zoti është gjithnjë pranë nesh. Nuk e dimë sesi, por është afër”.

Lutja dhe bekimi, pastaj përshëndetja personale

Më pas Papa i ftoi familjet për një çast lutjeje në heshtje, me të cilën bashkoi edhe lutjen e tij. Pastaj u dha bekimin e deshi ta përshëndeste personalisht secilin prej pjesëmarrësve në këtë takim me pak fjalë, po me shumë dhimbje. Si në mortet e mëdha!

Aksidenti në minierat e Zofiowka-s   

Të paktën dhjetë minatorë janë ende të zhdukur pas aksidentit që pati ndodhur në prill të vitit të kaluar, në fabrikën e minierave të qymyrit Zofiowka, në jug të vendit. Ky është aksidenti i dytë brenda një jave, në një minierë në Poloni, pas atij të Pniowek, pronë  e së njëjtës shoqëri, ku pesë minatorë humbën jetën dhe shtatë të tjerë  mbetën në thellësitë e tokës.

24 mars 2023, 13:17