Kërko

Pasojat e tërmetit në Turqi Pasojat e tërmetit në Turqi

Papa dërgon në Turqi 10 mijë ilaçe për të dëmtuarit nga tërmeti

Ilaçet, të cilat po mbërrijnë me avion në Turqi, janë për popullsinë turke të prekur nga tërmeti i rëndë i shkurtit. Lëmoshtaria Apostolike, në emër të Françeskut, i dërgoi barnat në bashkëpunim me ambasadën turke në Selinë e Shenjtë. Ndërkohë, edhe në vende të tjera, të krishterët mbledhin fonde për popullsinë e Sirisë dhe të Turqisë

R.SH. – Vatikan

         Edhe një herë, pas tërmetit shkatërrimtar të 6 shkurtit, që përfshiu Sirinë dhe Turqinë, duke shkaktuar më se 50.000 viktima, Dikasteri vatikanas për Shërbimin e Bamirësisë, me mandatin e Papës, impenjohet për të dërguar pako me barna në Stamboll. Këto ditë, po dërgohet një ngarkesë e parë prej 10 mijë ilaçesh, blerë sipas këshillave të ambasadës së Turqisë në Selinë e Shenjtë, e cila e njeh gjendjen në vend. Edhe më parë, ndihmat e Papës kanë mbërritur në Sirinë e shkatërruar jo vetëm nga tërmeti, por edhe nga lufta, me 15 milionë banorë në vështirësi. Nunciatura Apostolike është kujdesur më pas t’ia shpërndajë ndihmat popullatës.

Paletat me ilaçe, gati për Turqi
Paletat me ilaçe, gati për Turqi

         “Ndihmat i dërgojmë me avione të linjës turke – nënvizon kardinali Konrad Krajewski, Lëmoshtar i Papës – duke i kushtuar vëmendje lartësisë së paletave dhe peshës së tyre. Kujdes, që bëhet i mundur falë vullnetarëve”. Menjëherë pas tërmetit, që zhvendosi gati 2 milionë njerëz në Turqi, Lëmoshtaria Apostolike dërgoi jo vetëm ilaçe, por edhe ushqime që nuk skadojnë shpejt si orizi dhe toni, pastaj, bluza termale, pelena dhe shumë materiale të tjera për t'i bërë ballë kohës së ftohtë. Njëkohësisht, nisi edhe misioni i prefektit të Dikasterit për Kishat Lindore, imzot Claudio Gugerotti, në Siri dhe Turqi.

Ngarkohen ilaçet për në Turqi
Ngarkohen ilaçet për në Turqi

Mblidhen fonde për Turqinë dhe Sirinë

         Në shumë vende të krishtera, Konferencat Ipeshkvnore kanë organizuar mbledhje fondesh në favor të të dëmtuarve nga tërmeti në Turqi e Siri. Shpesh, është caktuar një ditë e tërë, në të cilën ofertat e besimtarëve në meshë janë destinuar për të prekurit nga tërmeti. Kështu bëri, për shembull, Kisha në Itali, të dielën e kaluar, duke e zgjatur mundësinë për të dhuruar, qoftë edhe një shumë të vogël në ndihmë të popullsive turke e siriane, deri më 30 prill, përmes llogarisë postare 347013, ose përmes faqes së internetit të Karitasit (www.caritas.it). Shuma e parë, dërguar nga ipeshkvijtë italianë, është 500 mijë euro.

28 mars 2023, 16:06