Papa, budistëve: nevojitet kultura e takimit, për të shembur muret
R.SH. - Vatikan
“Kultura e takimit ndërton ura dhe ndez drita mbi vlera e parime të shenjta, që i frymëzojnë të tjerët. I shemb muret, që i ndajnë njerëzit dhe i mbajnë peng të paramendimeve, të paragjykimeve, ose të indiferencës”. Këtë vuri në dukje sot Papa Françesku, në audiencën me një delegacion të Shoqatës së Bashkuar të Budizmit Humanist nga Tajvani.
Budizmi humanist është një zhvillim i mëvonshëm i budizmit kinez dhe bazohet në gjashtë koncepte thelbësore: humanizmi, altruizmi, praktikat shpirtërore si pjesë e jetës së përditshme, gëzimi, kohëzgjatja dhe universaliteti i shpëtimit të të gjitha qenieve. Nisur nga këto parime, qëllimi i budizmit humanist është të rilidhë praktikën budiste me jetën e përditshme dhe të vërë theksin në kujdesin për botën materiale, jo thjesht duke u çliruar prej saj. Për këtë lloj budizmi, që praktikohet sidomos në Tajvan, është shumë i rëndësishëm dialogu ndërfetar e mospërdorimi i dhunës. Siç e vuri në dukje edhe Ati i Shenjtë, grupi i budistëve tajvanezë ndodhet në Romë për një shtegtim edukativ, për të kuptuar më mirë kulturën e krishterë, përmes vizitave në vende të ndryshme kulti, njohjes me kryeveprat e artit të krishterë, me të cilat është plot Vatikani dhe Qyteti i Amshuar. Grupi i budistëve shoqërohet nga një delegat i Kishës katolike vendase.
“Një shtegtim edukativ ndërfetar – nënvizoi gjatë audiencës, Papa Françesku - mund të jetë burim i pasurimit të madh, pasi jep mundësi të shumta për takime, na bën të mësojmë nga njëri-tjetri e të vlerësojmë përvojat tona të ndryshme… Shtegtimi edukativ në vendet e shenjta të një feje – siç është ai, që po bëni ju – mund të pasurojë edhe vlerësimin tonë për veçoritë e konceptimit të hyjnores nga ana e saj… Kryeveprat e artit fetar, që na rrethojnë në Vatikan dhe në të gjithë Romën, pasqyrojnë bindjen se, në Jezu Krishtin, vetë Zoti u bë ‘shtegtar’ në këtë botë nga dashuria për familjen tonë njerëzore”.
Më pas, Papa Françesku iu kthye sërish kulturës së takimit, fryt edhe i dialogut ndërfetar.
“Gjatë historisë, - vuri në dukje Bergoglio - besimtarët kanë krijuar kohë dhe hapësira shenjte si oaza takimesh, ku burrat dhe gratë mund të frymëzohen për të jetuar urtisht e mirë. Në këtë mënyrë, ata kontribuojnë në edukimin e gjithanshëm të njeriut, duke përfshirë kokën, duart, zemrën dhe shpirtin e duke e çuar atë drejt përjetimit të harmonisë së integritetit njerëzor, pra, drejt gjithë bukurisë së kësaj harmonie. Oaza të tilla takimi – përfundoi Papa Françesku - janë edhe më të nevojshme në kohën tonë, në të cilën përshpejtimi i vazhdueshëm i ndryshimeve të njerëzimit dhe të planetit bashkohet sot me intensifikimin e ritmeve të jetës dhe të punës”.