Papa: bota do të bëhet më e mirë, nëse do të ketë barazi ndërmjet burrave e grave
R.SH. – Vatikan
Ky libër flet për gratë, për talentet e tyre, për kapacitetin dhe aftësitë e tyre, por edhe për pabarazitë, dhunën e paragjykimet, që ende karakterizojnë botën femërore. Çështjet lidhur me botën femërore i kam veçanërisht për zemër – kështu e fillon Papa Françesku parathënien e librit, ku paraqitet studimi për gratë, botuar pikërisht më 8 mars, kur e gjithë bota kremton Ditën e Gruas. - Në shumë prej ndërhyrjeve të mia i kam përmendur, duke theksuar sa mbetet akoma për të bërë në fushën e vlerësimit të plotë të gruas. Ndër të tjera, kam pasur rastin të pohoj se “Burri dhe gruaja nuk janë njëlloj dhe nuk janë njëri më superior se tjetri, jo. Vetëm se burri nuk sjell harmoni, është ajo, ajo që e sjell atë harmoni, gruaja na mëson të përkëdhelim, të duam me butësi dhe e bën botën diçka të bukur” (Homelia në Shtëpinë e Shën Martës, 9 shkurt 2017).
Kemi kaq shumë nevojë për harmoni që të luftojmë padrejtësitë, lakminë e verbër, e cila i dëmton njerëzit dhe ambientin, që t’i kundërvihemi luftës së padrejtë dhe të papranueshme. Ky libër mbledh rezultatet e studimit të përbashkët, promovuar nga Fondacioni “Centesimus Annus pro Pontifice” dhe nga Aleanca Strategjike e Universiteteve Kërkimore Katolike, në të cilin morën pjesë 15 akademikë nga disiplina të ndryshme, që u përkasin 10 universiteteve, me banim në 8 vende. Më pëlqen që tema trajtohet nga një këndvështrim multidisiplinar, - vijon të shkruajë Papa Françesku - me mënyra e analiza të ndryshme, të cilat hapin një horizont të gjerë mbi problemet dhe mbi gjetjen e zgjidhjeve më të mira. Studimi nxjerr në pah vështirësitë, që ende hasin gratë për të arritur poste të larta në botën e punës e, njëkohësisht, edhe avantazhet, që sjell prania më e madhe dhe vlerësimi i tyre i plotë në fushën e ekonomisë, të politikës dhe në vetë shoqërinë.
Edhe Kisha mund të përfitojë nga vlerësimi i grave: siç kam thënë në fjalën që mbajta në përfundim të Sinodit të Ipeshkvijve për Rajonit Pan-Amazonik, në tetor 2019: “nuk e kemi kuptuar ç’do të thotë gruaja në Kishë e kufizohemi vetëm tek ana funksionale... Por roli i gruas në Kishë shkon përtej funksionalitetit. Pikërisht për këtë duhet ta vazhdojmë punën. Të shkojë shumë më tej”. Nuk mund të arrihet një botë më e mirë, më e drejtë, më gjithëpërfshirëse dhe plotësisht e qëndrueshme pa kontributin e grave – ngre zërin Ati i Shenjtë. - Ja pra që duhet të punojmë, të gjithë së bashku, për të krijuar mundësi të barabarta për burrat dhe gratë në çdo realitet, për të arritur një gjendje të qëndrueshme barazie, duke i pranuar ndryshimet, sepse rruga e afirmimit femëror është e kohëve të fundit, është e trazuar dhe, fatkeqësisht, jo përfundimtare. Mund të kthehemi lehtësisht mbrapa.
Mendimi i grave është i ndryshëm nga ai i burrave, sepse ato janë më të vëmendshme ndaj mbrojtjes së ambientit e vështrimi i tyre nuk drejtohet nga e kaluara por nga e ardhmja – vëren më tej Papa. - Gratë e dinë se lindja është me dhimbje për të arritur një gëzim më të madh, për të dhuruar jetën dhe për të hapur horizonte të reja, më të gjera. Kjo është arsyeja pse gratë e duan paqen, gjithmonë. Gratë dinë të shprehin forcën dhe butësinë së bashku, janë të mira, të afta, të përgatitura, dinë t’i frymëzojnë brezat e rinj (jo vetëm fëmijët e tyre). Është e drejtë që t’i shprehin këto aftësi në çdo fushë, jo vetëm në familje, si edhe të paguhen në mënyrë të barabartë me burrat për të njëjtin rol, përkushtim dhe përgjegjësi – bën thirrje Françesku. - Hendeqet, që ende ekzistojnë, janë padrejtësi e rëndë. Këto hendeqe, së bashku me paragjykimet kundër grave janë në themel të dhunës kundër tyre. E kam dënuar në shumë raste këtë fenomen; më 22 shtator 2021 pata thënë se dhuna kundër grave është plagë e hapur, fryt i kulturës së shtypjes patriarkale e maskiliste – nënvizon Ati i Shenjtë.
Duhet ta gjejmë ilaçin për ta shëruar këtë plagë, duke mos i lënë vetëm gratë. Studimi i paraqitur në libër dhe përfundimet e arritura përpiqen të gjejnë rrugën për ta shëruar plagën e pabarazisë e, në këtë mënyrë, edhe atë të dhunës. Më pëlqen të mendoj se kur gratë gëzojnë barazi të plotë mundësish, ato kontribuojnë ndjeshëm në ndryshimin e nevojshëm drejt një bote në paqe, gjithëpërfshirëse, me solidaritet dhe qëndrueshmëri të plotë. Siç pata thënë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, më 8 mars 2019, gratë e bëjnë botën më të bukur, e mbrojnë dhe e mbajnë gjallë. Ato sjellin hirin e rinovimit, përqafimin, që përfshin dhe guximin për të dhuruar vetveten. Paqja, pra, lind nga gratë, agon dhe rrezaton nga butësia e nënave. Prandaj, ëndrra e paqes bëhet realitet kur kemi parasysh gratë.
Mendimi im është që, ashtu siç del nga studimi, barazia duhet të arrihet, pavarësisht nga ndryshimet – thekson Papa. - Jo barazi, sepse gratë duhet të sillen si meshkujt, por barazi, sepse portat e fushës së lojës janë të hapura për të gjithë lojtarët, pa dallime gjinore (e gjithashtu, pa dallime ngjyre, feje, kulture…). Është ai, që ekonomistët e quajnë ndryshim i frytshëm. Është bukur të mendosh për një botë, në të cilën të gjithë jetojnë në harmoni dhe të gjithëve mund t’u njihet talenti i tyre, duke kontribuar kështu në realizimin e një bote më të mirë. Aftësia për t’u kujdesur, për shembull, është sigurisht tipar femëror, që duhet të shprehet jo vetëm në kuadrin e familjes, por me të njëjtën masë e me rezultate të shkëlqyera, edhe në politikë, ekonomi, akademi e punë.
Aftësinë e përkujdesjes duhet ta shprehim të gjithë, burra dhe gra. Burrat mund ta kultivojnë këtë aftësi në veprimtaritë prindërore: sa e bukur është familja ku të dy prindërit, nënat dhe baballarët së bashku, kujdesen për fëmijët, i ndihmojnë të rriten të shëndetshëm dhe i edukojnë me respekt për njerëzit dhe sendet, u mësojnë mirësinë, mëshirën, mbrojtjen e gjithësisë. Më pëlqen – reflekton së fundi Françesku - edhe përmendja e rëndësisë së edukimit. Edukimi është rruga kryesore, nga njëra anë, për t’u dhënë grave aftësitë e njohuritë e nevojshme për t'u bërë ballë sfidave të reja në botën e punës, e, nga ana tjetër, për të lehtësuar ndryshimin e kulturës patriarkale, ende mbizotëruese. Fatkeqësisht, akoma sot, rreth 130 milion vajza në botë nuk shkojnë në shkollë. Nuk ka liri, drejtësi, zhvillim të plotë, demokraci dhe paqe, pa edukim – përfundon Ati i Shenjtë parathënien e librit studimor “Më shumë lidership femëror për një botë më të mirë: përkujdesja si motor për shtëpinë tonë të përbashkët”.