Kisha ka gjashtë Shërbëtorë të Nderuar të rinj, mes tyre një nënë e katër fëmijëve
R. SH. – Vatikan
Kisha katolike ka gjashtë të Nderuar të rinj. Papa Françesku, në audiencën e sotme me kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve, autorizoi shpalljen e Dekreteve që njohin virtytet heroike të një meshtari, tre grave rregulltare dhe dy grave laike.
Papa priti sot paradite në audiencë kardinalin Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve. Gjatë audiencës, Papa autorizoi Dikasterin e Vatikanit të shpallë Dekretet në lidhje me: virtytet heroike të Shërbëtorit të Zotit Carlo Crespi Croci, meshtar rregulltar i Shoqërisë Saleziane të Shën Gjon Bosco, i cili lindi më 29 maj 1891 në Legnano, në provincën e Milano dhe vdiq më 30 prill 1982 në Cuenca, Ekuador; virtytet heroike të Shërbëtores së Zotit Leonilda e Shën Gjon Pagëzuesit (në shekull: Amelia Rossi), rregulltare e Kongregatës së Motrave Misionare të Zemrave të Shenjta të Jezusit dhe Marisë, e cila lindi më 10 nëntor 1890 në Lisignano dhe vdiq më 12 dhjetor 1945 në Vicarello, në provincën e Livornos; virtytet heroike të Shërbëtores së Zotit María do Monte Pereira (në shekull: Eliza de Jesús), rregulltare e Kongregatës së Motrave Spitalore të Zemrës së Shenjtë të Jezusit; e cila lindi më 10 prill 1897 në Funchal, Portugali dhe vdiq më 18 dhjetor 1963; virtytet heroike të shërbëtores së Zotit Teresa Enríquez de Alvarado, besimtare laike dhe nënë e një familjeje; e cila lindi rreth vitit 1456 në Valladolid dhe vdiq më 4 mars 1529 në Torrijos të Spanjës dhe virtytet heroike të Shërbëtores së Zotit Maria Domenica Lazzeri, besimtare laike; e cila lindi më 16 mars 1815 në Capriana, në provincën e Trentos dhe vdiq më 4 prill 1848. Njoftimin e dha sot Zyra e Shtypit e Selis së Shenjtë.