Në audiencë me Françeskun, Magnum, qen që “shpëton jetë dhe shpirtra”
R.SH. – Vatikan
Çdo premtim është borxh dhe, pas shtatë vitesh, Magnum kthehet në Vatikan, jo më qenush i vogël, por një qen Shën Bernard i rritur, që UNESCO e konsideron trashëgimi kulturore jomateriale, pasi shërben për shpëtimin e jetës njerëzore. Premtimin e pati bërë shoqëruesi i tij 'njerëzor' Claudio Rossetti, në takimin e vitit 2016 me Papën Françesku, gjatë audiencës së përgjithshme.
Rossetti dhe Magnum mbërritën në Vatikan një ditë përpara audiencës, më 28 mars, pasi përshkuan Via Francigena për rreth një mijë kilometra, duke u nisur nga lartësitë e Martigny, në Zvicër. Carlo Rossetti deshi kështu të dëshmojë, edhe një herë, rëndësinë e Shën Bernardit - qenit që shpëton jetë - si dhe të promovonte Zvicrën e vlerat e saj, siç është Via Francigena, një rrugë mbi 3000 kilometra, ndërmjet Canterbury-t dhe Romës, që kalon në katër vende: Britania e Madhe, Franca, Zvicra dhe Italia.
E ardhmja e një qeni terapie
Rossetti e mori Magnum kur ishte rreth një vjeç dhe e stërviti si qen për terapi, i cili tani përdoret në shtëpi për të moshuar e në spitale. Në vitin 2016, i pati thënë Papës Françesku se do të kthehej në këmbë në Vatikan e do t’i sillte një lloj fuçie të vogël, që qentë Shën Bernard e mbajnë në qafë. E kështu bëri, duke i shpjeguar se qeni jo vetëm shpëton jetë ekskursionistësh në mal, kur humbin, por në fund të fundit, shpëton shpirtëra, pasi është pjesë e terapisë edhe në shtëpitë për të moshuar e në spitale. Qeni erdhi në shtegtim me të zotin deri në Vatikan, duke u kujdesur për të gjatë rrugës, prandaj, është “një hero i vogël”, nënvizon Rossetti.