Kirograf i Papës e Statut i ri: IOR-i rinovohet
R.SH. – Vatikan
IOR-i rinovohet: në më pak se katër vite pas rishikimit të Statutit, Instituti për Veprat e Fesë ndryshon sërish për t’iu përshtatur Kushtetutës së re Apostolike “Praedicate Evangelium”: mandate pesëvjeçare me mundësi rinovimi vetëm për një herë tjetër, struktura më të frytshme administrimi me role të përcaktuara më mirë ndërmjet organeve të ndryshme për të shmangur mbivendosjet, ose dyfishimin e veprimtarive. Të gjitha këto përmbahen në kirografin e sotëm të Papës Françesku dhe në Statutin e ri, me të cilin rinovohet IOR-i, qëllimi i të cilit, nënvizohet në dokumente, është "të sigurojë përkujdesjen dhe administrimin e pasurive të luajtshme e të paluajtshme, që i janë transferuar, ose i janë besuar atij nga persona fizikë, ose juridikë e janë destinuar për vepra fetare, ose bamirëse”.
Ndryshimet kryesore, parashikuar nga të dyja tekstet, kanë të bëjnë me harmonizimin e kohëzgjatjes pesëvjeçare me rinovimin e mandateve në organet e ndryshme, që do të jetë e mundur vetëm një herë (pra për një maksimum prej dhjetë vitesh). Gjithashtu, parashikohet që mandati i Komisionit të Kardinajve të mos jetë i njëkohshëm me atë të Këshillit të Mbikëqyrjes, si edhe përfshihet një dispozitë e veçantë për konfliktin e interesit, sipas së cilës “çdo anëtar i Këshillit të Mbikëqyrjes abstenon nga pjesëmarrja në votimet për vendime në lidhje me të cilat ka ndonjë interes, aktual ose potencial, të vetin, ose për llogari të palëve të tjera”.
Një ndryshim tjetër ka të bëjë me përcaktimin më të qartë të roleve dhe të përgjegjësive të organeve të Institutit. Këshillit të Mbikëqyrjes i takon përcaktimi i linjave strategjike, i politikave të përgjithshme dhe i mbikëqyrjes së veprimtarisë së IOR-it. Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm është përgjegjës për administrimin e Institutit. Së fundi, ndryshimi i Drejtorisë, e cila nga organ kolegjial, i përbërë nga drejtori dhe zëvendësdrejtori, bëhet organ monokratik, i përbërë vetëm nga Drejtori i Përgjithshëm. Zëvendësdrejtori nuk bën më pjesë në nomenklaturën drejtuese, por është funksionar, i caktuar nga drejtori i përgjithshëm, i cili zgjedh në këtë detyrë një nga drejtuesit e tjerë.
Drejtori i Përgjithshëm vazhdon të emërohet nga Këshilli i Mbikëqyrjes dhe të miratohet nga Komisioni i Kardinajve, por tani e tutje, kjo do të bëhet “mbi bazën e përzgjedhjes nga një listë prej të paktën tre kandidatësh të përshtatshëm”. Mund të punësohet për një periudhë të caktuar, ose përgjithmonë.