Kardinali Cantalamessa: çka na bashkon, ka më shumë rëndësi se çka na ndan!
R. SH. -Vatikan
“Ju do të vuani në botë, por, guxim! Unë e kam mundur botën!”. Këto, fjalët që Jezusi ua drejtoi dishepujve të tij, para se t'i linte. Tha kështu, e shtoi: "Nuk do t'ju lë jetimë, do të kthehem rishtas tek ju". Po, ç’kuptim kishin fjalët "Do të kthehem tek ju", në çastin kur do të largohej prej tyre? Në ç’ mënyrë do të vinte e të rrinte me ta? - pyeti kardinali Raniero Cantalamessa, duke theksuar se “po të mos e kuptojmë përgjigjen e kësaj pyetjeje, nuk do ta kuptojmë kurrë as natyrën e vërtetë të Kishës”.
Në vazhdim predikatari vuri theksin mbi disa versete biblike të Shën Gjonit që, në veçanti, të kujtojnë ardhjen e Shpirtit Shenjt: “Kam ende shumë gjëra për t'ju thënë, por tani për tani nuk mund t'i kuptoni. Kur të vijë Ai, Shpirti i së vërtetës, do t'ju çojë tek e vërteta e plotë. Ai do të më lumnojë, sepse ai do të marrë atë që vjen nga unë, për t'jua bërë të ditur".
Është ai vetë, Jezusi, apo dikush tjetër?
Në reflektimin e tij, kardinali Cantalamessa kujtoi në vijim "misterin e marrëdhënies ndërmjet të Ngjallurit dhe Shpirtit të tij". Marrëdhënie tejet e afërt e tejet misterioze - kujtoi predikatari i Shtëpisë Papnore - saqë Shën Pali ndonjëherë duket sikur i shikon si një gjë e vetme: "Tani Zoti është Shpirti i Zotit e ku është Shpirti i Zotit, atje është liria" – nënvizoi.
Sipas Shkrimeve - vërejti në vijim Kardinali kapuçin - Shpirti Shenjt, nëpërmjet shëlbimit, u bë "Shpirti i Krishtit"; ndaj kjo është mënyra sesi i Ngjalluri vepron tani në Kishë dhe në botë. Prandaj- shtoi kardinali- Krishti mund t'u thotë dishepujve: "Për ju është më mirë të shkoj" dhe të shtojë: "Nuk do t'ju lë jetimë".
Jezusi është i pranishëm gjithkund, gjithherë!
Kardinali na fton t'u kushtojmë vëmendje të veçantë pikërisht këtyre fjalëve të fundit të Jezusit, sipas Ungjillit të Mateut: "Unë jam me ju gjithmonë, deri në fund të fundit të botës", në kohë flladi e stuhie! Ndaj nuk duhet të frikësohemi kurrë, sepse a mund të fundoset në det, ai që krijoi detin?
Duke folur për Papën, predikatari shpjegoi se ka vetëm një titull “Ipeshkëv i Romës”; të gjithë titujt e tjerë - Vikar i Krishtit, Sovran i Kishës Universale, Primat i Italisë, etj. etj. - janë "tituj historikë":
“Vikar është ai që zëvendëson kreun në mungesë, por - saktësoi - “Jezu Krishti nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë kurrë në Kishën e tij”. Kur ne themi për Jezusin se ai është i pranishëm "shpirtërisht", kjo prani shpirtërore nuk është formë inferiore e pranisë fizike, por pafundësisht më reale dhe më efektive" - vijoi kardinali Cantalamessa - duke theksuar se nëpërmjet vdekjes dhe ringjalljes, Krishti u bë "kreu i trupit, kreu i Kishës" dhe i tillë do të mbetet deri në fund të botës: Zoti i vërtetë dhe unik i Kishës, shtoi.
Shpirti Shenjt, burim energjie
“Prania e Krishtit të ngjallur, me fuqinë e Shpirtit, vepron në çdo kohë, në çdo vend e edhe brenda nesh” – vijoi Kardinali - Për të, nëse në situatën aktuale të krizës energjetike në rritje, do të zbulonim një burim të ri të pashtershëm energjie, e nëse, më në fund, do të zbulonim se si ta përdorim energjinë diellore sipas dëshirës dhe pa pasoja negative, "çfarë lehtësimi do të ishte për të gjithë njerëzimin”. Përsa i përket Kishës, ajo ka, në të nesërmen e saj - pohoi kardinali - “një gurrë të pashterrshme energjie të këtij lloji, ka fuqinë që i vjen nga lart, Shpirtin Shenjt”. Jezusi pati thënë për të: “Deri tani nuk keni kërkuar asgjë në emrin tim; kërkoni, e do të gjeni: kështu gëzimi juaj do të jetë i përsosur”.
Të krishterë, të ndarë
Kardinali Cantalamessa vëren "se një pjesë e dobësisë së ungjillizimit tonë dhe të veprimit tonë" në botë është pasojë e "ndarjes dhe e ndeshjes ndërmjet të krishterëve". Ne - vijoi - i kujtojmë vazhdimisht fjalët e Jezusit drejtuar Pjetrit: "Mbi këtë shkëmb do të ndërtoj Kishën time". Nuk tha – theksoi - “do të ndërtoj kishat e mia”. Duhet të ketë një kuptim shprehja e Jezusit "Kisha ime". E kuptimi është se përfshin të gjithë besimtarët, gjithë të pagëzuarit. "Shën Pali Apostull, në krye të Letrës së parë drejtuar Korintasve, i përshëndet fillimisht me fjalët “të gjithë atyre që në çdo vend thërrasin emrin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zotit të tyre dhe tonit”:
“Ne nuk mund ta përçmojmë, as ta shpërfillim këtë unitet themelor, sepse i lutemi të njëjtit Zot, Jezu Krishtit. Kushdo që beson në Birin e Perëndisë, beson edhe në Atin dhe në Shpirtin Shenjt”. Çka u përsërit disa herë, është absolutisht e vërtetë - përfundoi kardinali - "Ajo që na bashkon është shumë më e rëndësishme, sesa ajo që na ndan".