Kërko

Libri i kardinalit Lazzaro. Libri i kardinalit Lazzaro. 

Françesku: Ungjilli është profeci, që i trazon hesapet njerëzore

Papa nënshkruan parathënien e vëllimit “Come la folgore vene da Oriente", “Si rrufeja erdhi nga Lindja”, në të cilin Don Francesco Cosentino përmbledh përmes dialogut, përvojën e kardinalit Lazzaro You Heung-sik, prefekt i Dikasterit për Klerin. Ma poshtë, teksti i plotë.

R. SH. - Vatikan

Pasi priti ngushëllimin e Zotit për shumë vjet, Simeoni plak njeh tek Foshnja Mesinë e dërguar nga Zoti, e merr në krahë dhe e bekon, i prekur thellë në zemër, mbasi tek Foshnja shikon dritën e shëlbimit, që e prisnin mbarë popujt (krh. Lk 2,30-31).

Jezusi është drita e dërguar nga Ati në netët e errëta të njerëzimit. Është Ai agimi, që Ati hyjnor deshi të lindte, ndërsa ne vijonim ecjen në errësirë. Është Ai, që hapi dyert e shpresës, atje ku ishim të humbur, duke ndriçuar skajet e skutat më të largëta të tokës, e edhe brazdat e zemrave tona të thyera, të fyera e të plagosura. Është Ai drita e zanafillës së Krijimit, që tani shkëlqen mes nesh, për të davaritur errësirën e jetës sonë. Jezusi është drita e botës (krh. Gjn 8,12) e prandaj, edhe nëse nganjëherë luhatemi në errësirë e na mungon "vegimi i Ungjillit”, e kemi përherë një shpresë. Mund të vrapojmë tek Ai duke bërtitur si Bartimeu i verbër,  e duke marrë nga Jezusi dhuratën e syve të rinj, të mbushur me dritë.

E gjallëruar nga kjo shpresë, Kisha, në traditën e saj teologjike e liturgjike, drejtohet gjithnjë nga Lindja dhe na fton të shikojmë atje, sepse nga Lindja lind drita, dielli i drejtësisë, ylli i ndritshëm, që është Krishti. Kisha ka nevojë të përhershme të ndriçohet nga Krishti, nga Ungjilli i tij sepse, ashtu si  varka që çan dallgët shpesh herë të trazuara të historisë, mund të rrezikohet gjithnjë të mos jetë më Kisha e Krishtit. Plaku Simeon i thotë Marisë dhe Jozefit: “Ky Fëmijë, që lindi, është këtu për rënien dhe ringjalljen e shumë njerëzve në Izrael e si shenjë kundërshtie" (Lk 2:34). Edhe sot Jezusi vijon të jetë shkandull, shenjë kundërshtie, që e vë në krizë sigurinë tonë, e trondit zemrën tonë, që të mos paralizohet nga frika, të mos burgoset në burgun e hipokrizisë, të mos bëhet gur nga mëkati. Gëzimi i Ungjillit, ndërsa na ngushëllon dhe na larton, është edhe profeci që na vë në krizë, që vazhdon ta trazojë mburrjen e fuqisë njerëzore, llogaritjet e kësaj bote, armët e shtypjes, logjikën e dyfishtë. Jezusi vazhdon të jetë shkandull edhe sot, vijon të jetë shenjë kundërshtie që vë në krizë siguritë tona, që ua prish paqen e rreme atyre të cilët "nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot me eshtra të vdekurish dhe lloj-lloj kalbësirash... plot hipokrizi dhe paudhësi" (Mt 23:27-28).

Prandaj i shpreh mirënjohjen time kardinalit Lazzaro dhe atyre, që i redaktuan këto faqe. Sepse të gjithë kemi nevojë për këtë dritë që vjen nga Lindja. Ne kemi nevojë të dëgjojmë dëshminë e guximshme të shumë motrave dhe vëllezërve, të cilët, me entuziazëm dhe pavarësisht nga vuajtjet që kaluan, e pritën Jezusin krahëhapur, siç bëri Simeoni i vjetër, duke mirëpritur predikimin e Shën Andrew Kim dhe të shumë misionarëve që e shkrinë gjithë jetën e tyre për gëzimin e Ungjillit. Duhet ta "decentralizojmë" vetveten, duke bërë një udhëtim drejt Lindjes e duke u ulur në bankat e shkollës së një stili jetese shpirtërore dhe kishtare, që mund ta rigjallërojë fenë tonë. E kemi nevojë të rikujtojmë se, edhe në vështirësi dhe në errësirë, Krishti “Si rrufeja vjen nga Lindja. Vjen, sepse dëshiron të na e ndriçojë jetën”.

01 mars 2023, 13:52