Françesku përtërin Këshillin e Kardinajve
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku përtëriu Këshillin e Kardinajve, të ashtuquajturin C9, pasi atij të mëparshmit i skadoi mandati. Ati i Shenjtë Bergoglio emëroi anëtarët e Këshillit të ri, të cilët janë kardinajtë Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit; Fernando Vérgez Alzaga, kryetar i Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit; Fridolin Ambongo, kryeipeshkëv i Kinshasës; Oswald Gracias, kryeipeshkëv i Bombeit; Seán Patrick O'Malley, kryeipeshkëv i Bostonit; Juan José Omella, kryeipeshkëv i Barcelonës; Gérald Lacroix, kryeipeshkëv i Kebekut; Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut; Sérgio da Rocha, kryeipeshkëv i San Salvador de Bahia.
Sekretar i Këshillit është imzot Marco Mellino. Takimi i ardhshëm i këtij organizmi do të mbahet më 24 prill, në orën 9, në Shtëpinë e Shën Martës, ku banon Papa. Mbledhja e fundit, mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar, i është kushtuar, ndër të tjera, edhe fazës kontinentale të Sinodit aktual.
Kujtojmë se Këshilli i Kardinajve u themelua nga Ati i Shenjtë me Kirografin e 28 shtatorit 2013 dhe ka për detyrë ta ndihmojë Françeskun në mbarështimin e Kishës universale dhe në studimin e një projekti për reformimin e Kuries Romake, që tashmë u realizua përmes Kushtetutës së re Apostolike “Praedicate Evangelium”, botuar më 19 marsin e vitit të kaluar. Këshilli i Kardinajve - lexohet në Kirograf - është “shprehje e mëtejshme e bashkimit ipeshkvnor dhe e ndihmës për ‘munus petrinum’ (shërbimin pjetrin), që mund të japin ipeshkvijtë e mbarë botës”.