Françesku: nuk mund të heshtim për gjendjen e vështirë të grave, viktima të dhunës
R. SH. - Vatikan
Për një kohë të gjatë, gratë u shikuan si qenie të dorës së dytë e "u përdorën" si viktima të dhunës e të shpërdorimit. Françesku mendon për një mori formash diskriminimi të vazhdueshëm në punë, si lehonia e diferenca e pagave, por edhe për heroizmin e një mori grash që jetojnë, pa emër, pranë e pranë portës sonë e janë "forcë e heshtur e ditëve tona". "Ndryshimi ndërmjet grave e burrave - nënvizon duke kujtuar rëndësinë e një përfshirjeje më të madhe - nuk duhet të çojë kurrë në pabarazi, por më tepër në pranimin mirënjohës e reciprok".
Të bëhemi zë i grave, viktima të abuzimit
Takimi u mbajt me rastin e paraqitjes së librit me titull "Më shumë lidership femëror për një botë më të mirë”, me parathënie të Papës, realizuar nga rreth 90 anëtarë të Fondacionit Centesimus Annus Pro Pontifice dhe rrjetit të universiteteve katolike SACRU, të pranishëm në Sallën Klementine.
“Duhen respektuar dinjiteti dhe të drejtat themelore të çdo personi”, përsëriti Papa, duke menduar për tragjedinë e dhunës kundër grave:
“Nuk mund të heshtim përballë kësaj fatkeqësie të kohës sonë. Të mos i lëmë kurrë pa zë gratë, viktima të abuzimit, të shfrytëzimit, të përbuzjes dhe presionit të panevojshëm! Ta shprehim dhimbjen e tyre dhe të denoncojmë me forcë padrejtësitë të cilave u nënshtrohen, shpesh në rrethana ku nuk mund as të mbrohen e as të shpëtohen”.
Gjithëpërfshirja, parim i shenjtë
Ipeshkvi i Romës flet qartë kundër çdo forme diskriminimi të grave, si dhe kategorive të tjera më të ligshta të shoqërisë. Prej këndej, thirrja për të "ecur së bashku", duke i integruar të gjithë, "veçanërisht më të brishtët në nivel ekonomik, kulturor, racor, fetar dhe gjinor":
“Askush nuk duhet të përjashtohet: parim i shenjtë ky. Plani i Zotit Krijues është "thellësisht gjithëpërfshirës", që i vë në qendër pikërisht ‘banorët e periferive ekzistenciale’; është projekt që, ashtu siç bën nëna, i shikon fëmijët e saj si gishtat e ndryshëm të së njëjtës dorë”.
Gratë dhe e mira e përbashkët
Në këtë kuptim, sipas Papës, kontributi i femrës për të mirën e përbashkët është i pazëvendësueshëm dhe i pamohueshëm: këtë e dëshmojnë gratë e Shkrimit Shenjt, të pazëvendsueshme në çastet vendimtare të historisë së shëlbimit; ashtu si në historinë e Kishës, figura si Katerina e Sienës, Giuseppina Bakhita, Edith Stein, Tereza e Kalkutës, "mbresëlënëse për vendosmërinë, guximin, besnikërinë, aftësinë për të vuajtur dhe për të transmetuar gëzim, për ndershmërinë, përvujtërinë e këmbënguljen".
Forca e heshtur e ditëve tona
Françesku kujton edhe shumë shembuj të heroizmit të përditshëm të jetuar fshehurazi. Kujton shumë gra që Ati i atëhershëm Bergoglio i pati takuar në autobusin për në burgun e Buenos Ajres: nëntëdhjetë për qind e njerëzve që vizitonin burgun, ishin gra. Nënat janë forca e heshtur e ditëve tona - theksoi Papa - që tregoi edhe historinë e një gruaje tjetër. Ajo ishte në rrethana modeste, pa burrë, jetonte në një shtëpi shumë të vogël dhe çdo mëngjes dilte për të pastruar. Para se të mbyllte derën, i sillte sytë e mbushur me lot nga djali i saj, që flinte në krevat, në dhomën e ngrënies, pas dehjes së natës. Vështrimi i përditshëm dhe i vazhdueshëm i nënës ia ndryshoi zemrën të birit! Me kalimin e kohës u bë njeri tjetër, ai që dëshironte e ëma:
“Historia jonë është fjalë për fjalë e mbushur me gra si kjo, të famshme - e të panjohura - por jo për Zotin! Gra që çojnë përpara familjet, shoqëritë dhe Kishën. E dimë këtë edhe këtu, në Vatikan, ku tashmë ka shumë gra që ‘punojnë rëndë’, madje edhe në role me përgjegjësi të madhe”.
Mendja, zemra dhe duart. Sintezë femërore
Në të njëtën mënyrë, në një ças shndërrimesh të thella, përballë ndryshimeve epokale, si ai i zhvillimit progresiv dhe të shpejtë të inteligjencës artificiale, gratë - sipas Papës - mund ta ndihmojnë njerëzimin të mos zvetënohet dhe kanë shumë për të thënë përmes aftësisë së sintezës të tri gjuhëve: të mendjes, të zemrës dhe të duarve:
“Është sintezë tipike vetëm për qenien njerëzore, të cilën gruaja e mishëron në mënyrë të mrekullueshme, ashtu si nuk mund ta bëjë asnjë makineri, sepse asnjë makineri nuk ndjen t’i rrahë brenda saj zemra e një fëmije, që e mban në bark. Nuk shembet kurrë, prandaj! E lodhur dhe e lumtur, pranë shtratit të fëmijëve, ajo qan nga dhimbja dhe nga gëzimi, duke marrë pjesë në dhimbjet dhe gëzimet e njerëzve që do”.
Në përfundim, Françesku falënderoi pjesëmarrësit në audiencë dhe vlerësoi vëllimin që u paraqit, "rezultat shumëllojshmërie të dukshme kontributesh" dhe "bashkëpunimi”, deri tani i panjohur, i universiteteve të shpërndara në mbarë botën dhe një fondacioni krejtësisht laikal të Vatikanit". “Një mënyrë e re - nënvizoi – përmes së cilës pasuria e përmbajtjes buron nga kontributi i përvojave, aftësive dhe mënyrave plotësuese”. Multidisiplinariteti, multikulturalizmi, ndarja e ndjeshmërive të ndryshme janë, sipas Papës, “vlera të rëndësishme jo vetëm për një libër, por edhe e sidomos, për një botë më të mirë”.