Françesku: në Kishë nuk ka privilegje, Zoti na thërret të jemi të gjithë apostuj
R. SH. - Vatikan
Çdo i krishterë është i thirrur të jetë apostull. E apostull do të thotë të dërgohesh për një mision, si dishepujt që u dërguan nga Jezusi nëpër botë, por edhe t'i përgjigjesh një thirrjeje. Këtë shpjegoi Papa Françesku në katekizmin e shtatë të ciklit "Pasioni për të ungjillëzuar: zelli apostolik i besimtarit", mbajtur në audiencën e përgjithshme, gjatë së cilës u ndalua tek kuptimi i apostullimit sot.
Papa kujtoi së pari thirrjen e Apostujve. "Jezusi – shpjegoi - thirri pranë vetes ata që donte e me ta formoi një grup me titullin "apostuj", që të mund të ishin me të dhe t'i dërgonte në mision". Ndaj Shën Pali, në letrat e tij - kujtoi - e paraqet veten si "i thirrur për të qenë apostull" dhe "i zgjedhur për të shpallur ungjillin e Zotit ndër popuj, domethënë jo vetëm ndërmjet hebrenjve. E pikërisht përvoja e të Dymbëdhjetëve dhe dëshmia e Palit "na ftojnë sot t’i verifikojmë qëndrimet tona - kujtoi Françesku - udhët tona, vendimet tona":
“Gjithçka varet prej thirrjes falas nga Zoti; Zoti na zgjedh edhe për shërbime, që nganjëherë duket se i tejkalojnë aftësitë tona ose nuk përkojnë me dëshirat tona; por thirrjes, që e morëm si dhuratë, falas, falas duhet edhe t'i përgjigjemi”.
Detyra e secilit në Kishë dhe dinjiteti i barabartë i të gjithëve
Është thirrje, që ka të bëjë me të gjithë: meshtarë, rregulltarë e laikë: ndaj është sa e përbashkët, aq edhe e ndryshme për secilin, "sepse e përgatit secilin për ta kryer detyrën apostolike në mënyrë aktive dhe krijuese, brenda një Kishe 'ku ka larmi shërbimi, por edhe unitet misioni”, sqaroi Papa, duke cituar Dekretin Apostolicam actuositatem të Koncilit II të Vatikanit, ku lexojmë se “apostujt dhe pasardhësit e tyre morën nga Krishti detyrën të mësonin, të qeverisnin e të shenjtëronin në emrin dhe me autoritetin e Tij”. Prej këndej, “edhe laikët, duke qenë pjesëmarrës në detyrën meshtarake, profetike dhe mbretërore të Krishtit, brenda misionit të të gjithë popullit të Zotit, kanë detyrën e tyre në Kishë dhe në botë”.
Detyrë që ka vlerën e vet - pohoi Françesku - duke cituar dokumentin tjetër të Koncilit II të Vatikanit, Ad Gentes: "Kisha nuk mund të konsiderohet vërtetë e themeluar, nuk jeton plotësisht, nuk është një shenjë e përkryer e pranisë së Krishtit ndërmjet njerëzve, nëse hierarkia nuk mbështetet e nuk bashkëpunon me një laikat të mirëfilltë”. Pra, të gjithë në Kishë kanë dinjitet të barabartë:
“Në kuadrin e unitetit të misionit, shumëllojshmëria e karizmave dhe e shërbesave nuk duhet të krijojë kategori të privilegjuara brenda korpit kishtar; as nuk mund të përdoret si pretekst për forma të pabarazisë, që nuk mund të kenë vend në Krishtin dhe në Kishë”.
Verifikoni rolin tuaj si apostuj në Kishë
E atëhere, duke u nisur nga hamendja se të gjithë jemi të barabartë, duhet t’i "rimendojmë shumë aspekte të marrëdhënieve tona, vendimtare për ungjillëzimin" - kujton Papa, duke na ftuar, kështu, të reflektojmë për peshën që ka fjala, e cila mund “ta dëmtojë dinjitetin e njerëzve, duke i prishur, kështu, marrëdhëniet” , për aftësinë e dialogimit apo të dëgjimit të arsyeve të të tjerëve, për transparencën e gjuhës dhe gatishmërinë e të folurit ballë për ballë.