Françesku: na duhet “politika e mirë”, lufta është dështimi i saj
R. SH. - Vatikan
Urgjenca e paqes sot dhe detyra e politikës: Papa Françesku i thellon këto tema me të rinjtë të cilët, si pjesë e Projektit Policoro të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, ndjekin udhën e formimit socio-politik titulluar "Nga plaga, në frëngji - Etërit dhe nënat e paqes në periferi të botës”. I priti në audiencë në Sallën Klementine të pallatit apostolik e, në fjalimin që u drejtoi, para së gjithash shpjegoi çfarë është lufta:
“Lufta është dështimi i politikës. Ushqehet me helmin që e konsideron tjetrin si armik. Lufta na bën të prekim me dorë absurditetin e garës së armatimeve dhe përdorimin e saj për zgjidhjen e konflikteve”.
Çka na nevojitet në vend të kësaj është "politika e mirë - theksoi Papa - "është edukimi për paqen", është "një luftë tjetër, lufta shpirtërore, lufta kundër vetvetes, që të punosh për paqen".
Dy mënyra të ndryshme për të bërë politikë
Ndër të rinjtë "politika nuk gëzon nam të mirë " - kujtoi Françesku - sepse është e korruptuar, e pafryt dhe larg jetës së njerëzve. Atëhere ndjehet nevoja për një "politikë të mirë":
“E ndryshimin e bëjnë njerëzit. E shikojmë në administratat vendore: tjetër gjë është të kesh një kryetar bashkie ose këshilltar të gatshëm, e tjetër një të paarritshëm. Një gjë është politika që dëgjon realitetin, që dëgjon të varfërit, e tjetër ajo që mbyllet në pallate. Politika e distiluar”.
Pushteti i ushtruar si sundim
Në këtë drejtim, Papa ofron dy shembuj nga Bibla: atë të mbretit Akab, i cili "përfaqëson politikën më të keqe" - politikën e pushtetit, duke i zhdukur kundërshtarët - që nuk përpiqet për të mirën e përbashkët, por për interesa të veçanta, duke përdorë çdo mjet që t’i realizojë: dëshiron të zgjerojë kopshtin e vet, duke përvetësuar vreshtin e Nabotit, i cili nuk do ta shesë pronën. Naboti më pas vritet e Akabi merr atë që donte:
“Politika, që e ushtron pushtetin si sundim dhe jo si shërbim nuk është e aftë për të pasur kujdes, i shtyp të varfërit nën këmbë, shfrytëzon tokën dhe i përballon konfliktet me luftë. Nuk di të dialogojë!”.
Administrata që kujdeset për interesat e njerëzve
Shembulli i politikës së mirë është është ai i Jozefit, birit të Jakobit, i cili "i shitur si skllav nga vëllezërit e tij", çohet në Egjipt dhe, pas peripecive të ndryshme, hyn në shërbim të faraonit, që i beson detyra administrative. Françesku thekson se “Jozefi, i cili e jetoi personalisht padrejtësinë, nuk kërkon interesin e tij, por të popullit” dhe “bëhet kështu, artizan i paqes”, duke endur “marrëdhënie të afta për ta përtërirë shoqërinë”.
Vëmendje për të fundmit dhe dialog konstruktiv
Për Papën, pra, politika duhet të ushqehet nga butësia dhe fekonditeti: domethënë "nga dashuria, që bëhet e afërt dhe konkrete - shpjegoi Françesku duke cituar Fratelli tutti - që preket nga më i vogli, më i ligshti, më i varfëri dhe nga ndarja e përbashkët përmes “dialogut, besimit, mirëkuptimit, dëgjimit, kohës së kushtuar, përgjigjeve të shpejta dhe jo të shtyra për më vonë". Kjo - saktëson Papa - "do të thotë të shikosh drejt së ardhmes dhe të investosh në brezat e ardhshëm; të nisësh procese, në vend që të pushtosh hapësira”.
Politikani i mirë
Së fundi, Françesku i ftoi të rinjtë e Projektit Policoro të reflektojnë çfarë duhet të bëjë një politikan i mirë, duke e mbyllyr fjalimin e tij me disa këshilla:
“Shqetësimi juaj nuk duhet të jetë fitimi i zgjedhjeve, as suksesi personal, por aktivizimi i njerëzve, krijimi i sipërmarrjeve - lulëzimi i ëndrrave-ndihmesa që njerëzit ta ndiejnë bukurinë e përkatësisë në gjirin e bashkësisë. Pjesëmarrja është balsam mbi plagët e demokracisë. Ju ftoj të jepni ndihmesën tuaj, të merrni pjesë, t’i ftoni bashkëmoshatarët ta bëjnë këtë, e ta bëjnë gjithnjë me qëllimin dhe stilin e shërbimit. Politikani është shërbëtor”.