Françesku: kujdes nga morali i ftohtë, i menduar në tryezë
R.SH. – Vatikan
Të përdoret “gjuha e popullit” dhe të bëhet propozime praktike për jetën morale, që mund të realizohen. Kjo është ftesa e Papës për pjesëmarrësit në konferencën "Shën Alfonsi: bari i të fundmëve e dijetar i Kishës", rreth treqind veta, të cilët i priti sot paradite në Sallën Klementine, në Vatikan. Françesku i nxiti teologët e moralistët të jenë gjithmonë me njeriun konkret, pa e harruar jetën e përditshme të Popullit të Zotit, duke iu larguar mendësisë së efikasitetit me çdo kusht e asaj të mënjanimit.
“Ti je zgjedhur nga grigja, je njëri prej saj, mos e harro ajrin e popullit, mendimin e popullit, ndjenjën e popullit. E ky nuk është komunizëm a socializëm, jo! Ky është Populli i shenjtë e besnik i Zotit, i pagabueshëm ‘in credendo’, mos e harro!”
Jo, moralit të ftohtë
Ati i Shenjtë bëri thirrje të mendohet një propozim për jetën e krishterë, që të mos jetë thjesht, moral i ftohtë, i pashpirt, nga ata që mendohen në tryezë, por që s’kanë të bëjnë me jetën e vërtetë. Propozimi duhet të jetë plot me dashuri të mëshirshme, të synojë shoqërimin e besimtarëve me falje, me përfshirjen e tyre të vazhdueshme në bashkësinë e krishterë. E Papa tregoi një kujtim personal:
“Mendoni që dikur nuk mundeshim, ishte e ndaluar të lexonim librin e parë të Häring, ‘Ligji i Krishtit’: ‘Jo! Është heretik, nuk duhet ta lexoni!’. E kështu, unë kam studiuar vetëm me atë lloj morali: ‘Mëkat i rëndë nëse mungojnë dy qirinj në altar, i lehtë nëse i mungon vetëm një’... E, kështu të gjitha rastet… e them këtë me përvujtëri... Faleminderit Zotit që kjo ka kaluar tashmë, sepse ishte moral i ftohtë, moral tryeze”.
Së fundi, nxitja e Atit të Shenjtë:
“Teologët e moralit, misionarët dhe rrëfyesit janë të thirrur të hyjnë në marrëdhënie jetësore me Popullin e Zotit, duke marrë përsipër përgjegjësinë sidomos për britmën e të fundmëve, për t’i kuptuar vështirësitë e tyre të vërteta, për ta parë jetën nga këndvështrimi i tyre dhe për t'u dhënë përgjigje, që pasqyrojnë dritën e dashurisë së amshuar të Atit Qiellor”.
75 vite veprimtari
Akademia Papnore Alfonsiane do të kremtojë vitin e ardhshëm 75-vjetorin e themelimit. E ngritur më 9 shkurt 1949 nga Misionarët Redemptoristë, është pjesë e Universitetit Papnor Lateranens. Në frymën e Shën Alfons Maria de Liguorit, i cili përtëriu teologjinë morale të shekullit të tij, si edhe në harmoni me Magjisterin e Kishës, ashtu siç shprehet nga Koncili II i Vatikanit, Instituti Papnor synon të promovojë njohuri të gjithanshme për njeriun, duke marrë parasysh përmasën e tij personale e kristiane.