Françesku: “jo” luftës, të punojmë për kulturën e paqes
R.SH. – Vatikan
“Lufta është çmenduri, jashtë çdo arsyeje”. 60 vite pas enciklikës “Pacem në Terris”, Françesku i bën të tijat fjalët e Papës shenjt Gjoni XXIII dhe e fton Kishën të lutet për “përhapjen më të madhe të kulturës së mospërdorimit të dhunës, e cila kërkon përdorimin gjithnjë e më të paktë të armëve, si nga ana e shteteve, ashtu edhe nga ana e qytetarëve”. Në videon e prillit, me të cilin paraqet ndjetin e lutjes, publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, Ipeshkvi i Romës kujton se “të jetosh, të flasësh dhe të veprosh pa dhunë nuk do të thotë të dorëzohesh, të humbësh, ose të heqësh dorë nga ndonjë gjë. Do të thotë të dëshirosh gjithçka”.
Paqe, vetëm se pa armë
Meqenëse “çdo luftë, çdo konfrontim i armatosur, përfundon gjithmonë në humbje për të gjithë”, Papa nxit të punohet për kulturën e paqes. “Edhe në rastet e vetëmbrojtjes”, nënvizon ai, “qëllimi është paqja”, madje, “paqja e qëndrueshme mund të jetë vetëm pa armë”. Prandaj, thekson, “mospërdorimi i dhunës, si në jetën e përditshme, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, duhet të bëhet udhërrëfyes për veprimet tona”.
Disfatë për të gjithë
Portretet bardh e zi të Shën Gjonit XXIII, Gandit, Martin Luther King-ut, shenjtes shqiptare Nënë Tereza, duken në video, ndërmjet skenarëve të luftës dhe të shkatërrimit: nga Ukraina në Lindjen e Mesme, deri tek masakrimet nga armët në vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse dëshmitarët e së mirës nuk kanë munguar, - dëshiron të na thotë videoja - bota ende nuk e ka kuptuar mësimin themelor se lufta është disfatë për të gjithë.
500 vdekje në ditë nga armët e zjarrit
Sipas të dhënave të Amnesty International, çdo ditë, më se 500 vetë humbin jetën nga armët e zjarrit dhe rreth 2000 të tjerë plagosen. 44% e vrasjeve kryhen me armë zjarri. Gjendje, që varet drejtpërdrejt nga industria e armëve: çdo vit prodhohen 8 milionë armë të lehta dhe 15 miliardë municione. E vetmja mënyrë e mundshme për ta ndaluar këtë shkallëzim, rënduar nga krizat e vazhdueshme në Ukrainë, Azi, Afrikë dhe në Lindjen e Mesme, "është të përpiqemi të hapim shtigje dialogu të vërtetë, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, - thuhet në mesazhin e Papës – për ta bërë mospërdorimin e dhunës, udhërrëfyes për veprimet tona”.