Kërko

Shtëpia e mikpritjes Fabrizio Frizzi Shtëpia e mikpritjes Fabrizio Frizzi

Françesku: çdo fëmijë i sëmurë duhet të ketë pranë nënën e babain

Në një mesazh për përurimin e “Casa Fabrizio Frizzi” (Shtëpia Fabrizio Frizzi) të Unitalsi-t, në Milano, Papa nënvizon nevojën që prindërit të jenë pranë fëmijëve të shtruar në spital. “Realizohet ëndrra për një shtëpi, që mund t’i presë me buzëqeshje ata, të cilët duhet të përballen me sëmundjen, veçanërisht nënat dhe baballarët që luftojnë krah fëmijëve, shpesh shumë të vegjël”

R.SH. – Vatikan

Për çdo fëmijë që sëmuret, që duhet mjekuar e shëruar, përveç doktorëve dhe infermierëve, është e domosdoshme “dashuria, butësia dhe afërsia e nënës e babait”, sepse shpesh ndodh që zgjidhja për sëmundjen të gjendet në spitale larg shtëpisë e është e nevojshme t’u krijohet mundësia prindërve për t’u qëndruar pranë. Kështu shkruan Papa Françesku në një mesazh drejtuar Unitalsi-t të Lombardisë, në Itali, me rastin e përurimit të “Casa Fabrizio Frizzi” (Shtëpia Fabrizio Frizzi), në Milano, ku do të strehohen prindërit e fëmijëve të shtruar në spitalet e qytetit. Me këtë nismë, vëren Ati i Shenjtë, “realizohet ëndrra për një shtëpi, që mund t’i presë me buzëqeshje ata, të cilët duhet të përballen me sëmundjen, veçanërisht nënat dhe baballarët, që luftojnë krah fëmijëve të tyre, shpesh tejet të vegjël”.

Ëndërr, që bëhet realitet

Françesku nënvizon se e ka mbështetur që në fillim projektin Unitalsi, paraqitur një vit më parë, kushtuar pikërisht prezantuesit të njohur televiziv italian Fabrizio Frizzi, “i cili vdiq pesë vjet më parë - kujton Papa – pasi për gati njëzet vjet me radhë qe mik i madh i Unitalsi-t”. Prandaj, sot, “ëndrra”, siç e quan Ati i Shenjtë, “u realizua falë kontributit të shumë miqve, por sidomos falë vendosmërisë e këmbënguljes së Vittore De Carli-t”, shkruan Françesku, duke përmendur drejtuesin e Unitalsi-t, që “e ka jetuar personalisht betejën ndërmjet jetës e vdekjes, siç e ka rrëfyer në librin ‘Nga errësira në dritë me forcën e lutjes’ publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV). Shitja e librit u bë mënyra e parë konkrete për të promovuar nismën ‘Casa Frizzi’”.

Maria, mbështetje e familjeve

Shtëpia ngrihet pranë shenjtërores së Zojës së Hireve, “një shenjtërore e vogël - përfundon Papa - e dashur për milanezët, që i drejtohen Marisë duke u lutur për dhurata qiellore dhe për balsamin, që shëron plagët e jetës e të shoqërisë”. Pikërisht duke iu drejtuar shën Marisë, Françesku i kërkon të jetë “mbështetje për të gjithë prindërit, që do të qëndrojnë në Casa Frizzi dhe fytyrë dhembshurie e ngushëllimi” për ta.

24 mars 2023, 14:11