Dhimbja e Papës për aksidentin e trenit në Greqi
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku shpreh “dhimbjen” e tij për humbjen e jetëve dhe lëndimet e shkaktuara nga përplasja e trenit në Larisa të Greqisë. Në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, Papa siguron se lutet "për gjithë të prekurit nga tragjedia" dhe për familjet e viktimave, "duke ia besuar shpirtrat e të vdekurve mëshirës së Zotit të Gjithëpushtetshëm ". Më pas Françesku i bekon të gjithë ata, që po japin ndihmesën, duke i falënderuar për angazhimin dhe solidaritetin e tyre.
Aksidenti
Përplasja e një treni mallrash me një tren pasagjerësh ndodhi mbrëmë ndërmjet Athinës dhe Selanikut, pranë qytetit të Larisës. Bilanci është të paktën 32 të vdekur dhe 85 të plagosur. Sipas vëzhguesve, tre vagonë dolën nga shinat pak minuta para mesnate në qendër të vendit, pas përplasjes së trenit të mallrave e trenit të udhëtarëve, me 350 vetë. Për mediat greke, ky është "aksidenti më i rëndë i trenit që ka parë ndonjëherë Greqia ". Zjarrfikësit dhe ambulancat shkuan menjëherë në vendngjarje. U përdorën vinça për të hequr mbeturinat dhe për të ngritur vagonat e përmbysur, ndërsa përpjekja për lirimin njerëzive të bllokuar është në vijim, në kushte mjaft të vështira. Një nga vagonët me njerëz të bllokuar brenda, mori flakë. Punonjësit e spitalit të qytetit të Larisës pohuan se u dëmtuan të paktën 60 vetë, shumë prej të cilëve, në gjendje të rëndë. Guvernatori i qarkut e quajti përplasjen shumë të fuqishme. “Treni ishte me vonesë dhe qe ndalur për disa minuta, kur dëgjuam një zhurmë shurdhuese” - dëshmuan disa pasagjerë, që udhëtonin me trenin tragjik.