Kërko

Poliklinika Gemelli Poliklinika Gemelli

Bruni: Papa fle mirë, kuadri klinik në përmirësim

Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit njofton se Françesku, i cili prej ditës së djeshme është shtruar në spitalin Gemelli për infeksion në rrugët e frymëmarrjes, po vazhdon trajtimet e parashikuara. Paraditen e sotme, e rifilloi punën, nga spitali. Para drekës, një çast lutjeje private në kapelë

R.SH. – Vatikan

         “Shenjtëria e tij, Papa Françesku fjeti mirë gjatë natës. Kuadri klinik përmirësohet gradualisht dhe trajtimet e planifikuara vijojnë”. Kështu njoftoi sot, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, në një komunikatë për shtyp kushtuar gjendjes shëndetësore të Papës, i cili u shtrua pasditen e djeshme në Poliklinikën Gemelli të Romës për një infeksion në rrugët e frymëmarrjes.

Bruni sqaron se sot, Papa, “pasi hëngri mëngjesin, lexoi disa gazeta dhe rifilloi punën”. “Para drekës – vijon njoftimi – shkoi në kapelën e vogël të apartamentit privat”, që zakonisht u rezervohet Papëve në spitalin Gemelli. Aty, u lut dhe u kungua.

Njoftimi i djeshëm

         Mbrëmë, zëdhënësi i Vatikanit pati njoftuar se ditët e kaluara, Papa Françesku është ankuar për vështirësi në frymëmarrje, prandaj, shkoi në Poliklinikën Gemelli për disa kontrolle mjekësore. Duke përjashtuar infektimin nga Covid-19, analizat treguan se kishte një infeksion në bronke, për të cilin do të qëndrojë disa ditë në spital. Kujtojmë se Ati i Shenjtë ka vetëm një mushkëri, pas një operacioni bërë shumë kohë më parë.

30 mars 2023, 13:56