Anija e mbytur në Cutro, thirrja e Papës: "Udhëtimet e shpresës nuk duhet të jenë udhëtimet e vdekjes"
R.SH. / Vatikan
“Shtegtimet e shpresës mos u shndërrofshin më në udhëtime vdekjeje. E ujërat e kthjellta të Mesdheut mos u gjakosshin më nga aksidente të tilla tragjike".
Është dhimbje e thellë, kjo që Papa Françesku e shfreu nga dritarja e Pallatit Apostolik, në përfundim të Engjëllit të Tënzot, duke rikujtuar tragjedinë, për të cilën ishte i pari që tërhoqi vëmendjen e botës, një javë më parë: fundosjen, më 26 shkurt, në brigjet e Steccato di Cutro, të një varke nga Turqia, me pasojë mbytjen e 71 vetëve. Numër që, fatkeqësisht, u shtua dita-ditës këtë javë, me zbulimin në vijim të trupave në ujërat e Cutros apo në brigjet e plazheve aty pranë, si ai i Botricello-s. Dy trupa u gjetën dje: të dy të mitur, një djalë 2 vjeç e gjysmë dhe një tjetër 12-13 vjeç. Sot në mëngjes, një kufomë e re doli nga uji:
“Lutem për viktimat e shumta të mbytjes së anijes, për familjet e tyre dhe ata që mbijetuan”.
Mirënjohje për popullatën dhe institucionet
Françesku i shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen popullsisë vendase dhe institucioneve "për solidaritetin dhe mirëpritjen e këtyre vëllezërve dhe motrave tona". Më pas përsëriti thirrjen drejtuar “të gjithëve” që “të mos ndodhin kurrë më tragjedi të ngjashme”:
“Trafikantët e qenieve njerëzore duhet të ndalohen, nuk duhet të vazhdojnë të vënë në lojë jetën e kaq shumë njerëzve të pafajshëm”.
Të kuptojmë e të qajmë
Papa bëri gjithashtu një kërkesë të ngutshme që këto udhëtime të ashtuquajtura "shprese" të mos shndërrohen në udhëtime vdekjeje. “Ujërat e kthjellta të Mesdheut mos u gjakosshin më nga incidente të tilla tragjike”, përsërit. “Zoti na dhëntë forcë të kuptojmë dhe të qajmë”, shton, duke heshtur për disa çaste, me kokën ulur, si njerëzit ndër mortet e mëdha!
E kokëulur është këto ditë një qytet i tërë, ai i Krotonit, i cili qan për këtë tragjedi e vë në dyshim bashkësinë ndërkombëtare, që po heton për të sqaruar këtë mandatë, e cila nuk është e vetmja! E deri kur?
Thirrja i Papës i datës 26 shkurt
“Sot në mëngjes mora me dhimbje lajmin për mbytjen e anijes në bregun kalabrez pranë Crotone-s. Tashmë janë gjetur 40 të vdekur, duke përfshirë edhe shumë fëmijë. Lutem për secilin prej tyre, për të zhdukurit dhe për emigrantët e tjerë, të cilët mbijetuan. I falenderoj ata që sollën ndihma si dhe ata, që po i mirëpresin. Zoja i ndihmoftë këta vëllezër e motra tona”.
Këto, fjalët e Papës në përfundim të kremtimit të Lutjes së Engjëllit, më 26 shkurt. Pas tyre përshëndeti besimtarët dhe u largua me zemër të thyer për anijen e mbytur në brigjet e Crotone-s, e sidomos për fëmijët e shumtë, që i përpiu deti”, për t’u përqëndruar më pas në Ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve. E sot, një thirrje e re.
Në kërkim të të zhdukurve
Tragjedia këtë herë ndodhi pranë Steccato di Cutro. Këtu 57 të mbijetuarit e gjetur, të lodhur, të lagur dhe të frikësuar, si dolën në plazh u treguan shpëtimtarëve se anija e peshkimit, me të cilën po lundronin, së bashku me shumë njerëz të tjerë, burra, gra dhe fëmijë, në një farë kohe, në sa moti keqësohej e detit tërbohej, u ça përgjysëm.
Dhimbja e bashkësisë së qytetit
Banorët e thjeshtë të Crotones po japin prova prekëse humanizmi, simpatie, mirëpritjeje. Duket qartë kur sheh një turmë njerëzish, që shkon e vjen në Pallatin e Sportit Palamilone, ku më 1 marsin e kaluar u radhitën 66 arkivolë, ndërmjet të cilëve, arkivolët e bardhë të fëmijëve, edhe të posalindur. Askush nuk del jashtë nga kangjellat e blerta të palasportit, ku radhiten prej ditësh kartela, parrulla, lojëra fëmijësh… E fliten vetëm fjalë ngushëllimi!
Fjalë që vijnë në ditët kur njerëzit e zakonshëm mbi të gjitha po tregojnë një humanizëm të madh, ndjeshmëri dhe pranim. Mund ta shihni në vajtje-ardhjet e vazhdueshme nga Palamilone, qendra sportive ku më 1 mars u hap salla funebre për 66 arkivolët e rreshtuar aty, mes të cilëve edhe të bardhët e fëmijëve, madje edhe të porsalindurve. Askush nuk kalon jashtë portës së gjelbër të sallës së sportit, ku prej ditësh janë vendosur tabela, pankarta, lodra përkëdhelëse, pa bërë më parë shenjën e kryqit. Ka nga ata që ndalojnë makinën e qëndrojnë për disa çaste në heshtje. Dje, deri në orët e vona vijoi dyndja e qytetarëve, që vinin për të sjellë buqeta me lule apo një qiri të kuq në kujtim të këtyre jetëve të humbura. "Asnjë njeri nuk duhet të jetë kurrë send" - shkruhet një kartelë të bardhë. Shumë nxënës nga shkollat e Crotones vijnë këtu me mësuesit dhe prindërit për ta parë me sytë e vet këtë tragjedi që u luajt në qytetin e tyre. “Është e rëndësishme që ata të dinë, të kuptojnë dhe kështu të reflektojnë për të ardhmen”, thotë njëra nga mësuset e tyre!
Një tragjedi tjetër: njohja e të vdekurve
Asnjë nga të afërmit - të vendosur në dy hotele në Crotone - nuk i ka parë trupat e të vdekurve: gjithçka ndodh përmes fotografive të treguara nga Policia Shkencore. E para që hyri sot në atë varrezë me njerëz ende të pavarrosur, ishte një grua e moshuar, mëngjesin e sotëm, me kokën mbuluar me vel të zi. Pasi u largua, ajo shpërtheu në lot dhe përqafoi një vullnetar.
Mbrëmë “të gjallët” ishin në plazhin e Steccato di Cutro, ku sot pasdite në orën 15:00, u kremtua Usha e Kryqit, organizuar nga Kryedioqeza e Crotone-Santa Severina. Gjatë kësaj Udhe, njerëzit u luten duke ecur pas kryqit të bërë me mbetjet blu e kuq të varkës së mbytyr!
Zëri i familjes
Në mesin e grave dhe burrave, të rinj e të vjetër, është Abduli, i cili iku në vitin 2005 nga një fshat 30 km larg Kabulit. Fillimisht u ndal në Itali, më pas shkoi në Gjermani. Ai ka një xhaketë të verdhë të lehtë që nuk e mbron nga e ftohta. Sapo zbarkoi në aeroportin e Lamezia Terme dhe pohon se është “shumë i lodhur”. I lodhur e jo më pak i trishtuar: sapo njohu mes të vdekurve, motrën, kunatin dhe dy nipa. Të gjithë të vdekur. Një tjetër nip “është gjallë”, katër të afërm të tjerë, ende të zhdukur.
Vdiqën, vetëm pse deshën të jetojnë
Në shkallë, duke lexuar fletën e lëshuar nga komisariati për të dërguar një mesazh zanor, është Assani, rreth 30 vjeç: “Pa foto, pa video? - pyet . E më pas thotë se do të duhej "një ditë e tërë" për të treguar historinë e tij dhe të familjes së tij. “Ne jemi afganë dhe afganët po vdesin nga të gjitha anët, duke nisur nga trojet tona. Nuk kemi vend të sigurt në det, as në tokë”. Pasi kishte ardhur nga Tivoli, këtë mëngjes ai duhej të njihte kushëririn e tij 16-vjeçar, Muslimin. Prindërit e djalit janë në Iran me leje të përkohshme si refugjatë. Muslimi nuk ishte në gjendje t'i arrinte ata dhe nëna e babai e këshilluan të marrë këtë rrugë kaq tragjike. "Ai donte ta fillonte jetën, kudo", thotë kushëriri i tij Assani. E përfundoi në fund të detit së bashku me bashkëmoshatarët. Assani nuk deshi as ta shihte arkivolin e tij të bardhë, qoftë edhe disa metra larg. “Është e kotë ta shohësh atë copë druri, është si një kancer që të mbyt,” - thotë ai.
Pranë tij është Nebi: ai nuk flet italisht dhe tregon foton në smartphonin e tezes së tij 38-vjeçare, gjithashtu afgane. Burri dhe vajza janë ende të zhdukur. Pse donin të largoheshin? “Vetëm për të jetuar”, i përgjigjet djali thatë. "Vetëm për të jetuar".