Kërko

Papa, të rinjve: të jeni “misionarë të dinjitetit njerëzor”, shpërfytyruar nga plaga e trafikimit

Në maratonën online, organizuar me rastin e Ditës së sotme Botërore të Lutjes dhe të Reflektimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Papa Françesku dërgon një videomesazh, me të cilin u drejtohet veçanërisht të rinjve të impenjuar në luftën kundër shfrytëzimit seksual, ose të punës së më të brishtëve, për shkak të krizave e të luftërave. “Mos u lodhni së kërkuari mënyra për ta parandaluar këtë plagë të turpshme”

R.SH. – Vatikan

Vlera e dinjitetit njerëzor dhe protagonizmi i të rinjve për mbrojtjen dhe afirmimin e tij. Këto janë dy konceptet kryesore mbi të cilat përqendrohet videomesazhi i Papës Françesku për Ditën e 9-të Botërore të Lutjes dhe të Reflektimit kundër Trafikimit të Njerëzve, që kremtohet sot, 8 shkurt. Në të, Ati i Shenjtë denoncon sërish se varfëria dhe padrejtësia në botë favorizojnë shfrytëzimin.

Trafikimi e shpërfytyron dinjitetin e njeriut

  “Të ecim për dinjitetin”: kjo është tema e Ditës për këtë vit, zgjedhur pikërisht nga të rinjtë, që përfshihen në mënyra të ndryshme në impenjimin e kërkuar prej saj. Pikërisht atyre u drejtohet Papa, duke theksuar:

“Trafikimi i njerëzve e shpërfytyron dinjitetin. Shfrytëzimi dhe nënshtrimi e kufizojnë lirinë dhe i bëjnë njerëzit objekte për t’u përdorur e për t’u hedhur poshtë. E, sistemi i trafikimit përfiton nga padrejtësitë dhe pabarazitë, që detyrojnë miliona vetë të jetojnë në kushte të pafavorshme”.

Fenomen në rritje, të bashkojmë forcat

Kriza ekonomike, luftërat, ndryshimet klimatike, paqëndrueshmëria, vijon Françesku, i bëjnë njerëzit të rekrutohen më lehtë nga trafikantët e kështu, fenomeni i trafikimit, “për fat të keq, po rritet me ritme shqetësuese”.

“E dimë se po jetojmë në kohë të vështira, por pikërisht në këtë realitet, të gjithë ne, veçanërisht të rinjtë, jemi të thirrur të bashkojmë forcat për të endur rrjete të së mirës, ​​për të përhapur dritën, që vjen nga Krishti dhe Ungjilli i tij”.

Të rinjtë, “misionarë të dinjitetit njerëzor”

Papa Françesku përmend dritën, që simbolikisht, u është dorëzuar të rinjve këto ditë, pasi kanë mbërritur në Romë, në përfaqësi të organizatave të përfshira prej kohësh në betejën kundër trafikimit. Ajo dritë i bën ata “misionarë të dinjitetit njerëzor”, duke përuruar edhe “vitin e veçantë të impenjimit rinor, deri në Ditën tjetër kundër trafikimit, në vitin 2024”. Ati i Shenjtë i këshillon:

“Ruajeni këtë dritë dhe do të jeni bekim për të rinjtë e tjerë. Mos u lodhni kurrë së kërkuari mënyra për t’i transformuar shoqëritë tona dhe për të parandaluar përhapjen e kësaj plage të turpshme, përhapjen e trafikimit të qenieve njerëzore”.

Të ecim syhapur e duke i dhënë dorën njëri-tjetrit

Papa përmend disa shprehje të shkruara pikërisht nga të rinjtë, të cilat përvijojnë rrugë konkrete impenjimi:

“Ecni ‘syhapur për të ri-njohur” proceset, që çojnë drejt trafikimit miliona njerëz, veçanërisht të rinj, të cilët shfrytëzohen brutalisht. Ecni me ‘zemrën të vëmendshme për të zbuluar’ dhe për të mbështetur udhët e përditshme drejt lirisë e dinjitetit. Ecni ‘me këmbët plot shpresë’ për të promovuar aksione antitrafik. Ecni ‘duke i dhënë dorën njëri-tjetrit’ për të pasur mbështetje e për të ndërtuar një kulturë takimi, e cila çon në kthimin e zemrave dhe në shoqëri gjithëpërfshirëse, në gjendje të mbrojnë të drejtat dhe dinjitetin e çdo njeriu”.

Ecni përpara me guxim!

Videomesazhi i Papës Françesku përfundon me urimin që shumë të rinj e të reja të tjera të ndjekin shembullin e tyre për të ecur së bashku me viktimat e të gjitha llojeve të dhunës, me migrantët dhe me të shpërngulurit. “Ecni përpara me guxim!” u thotë ai të rinjve, duke ia besuar ndërmjetësimit të Shën Jozefina Bakitës, pajtores së viktimave të trafikimit dhe duke i bekuar “nga zemra”.

Ngjarjet e Ditës së sivjetme

Ngjarjet e promovuara për kremtimin e Ditës kundër Trafikimit 2023 nisën më 6 shkurt, në Romë, me pritjen e 20 të rinjve, përfaqësues të organizatave nga vende të ndryshme të botës, të cilët morën pjesë në lutjen e mbrëmjes me temë: “Ecim për dinjitetin, kundër trafikimit të njeriut” në famullinë romake të Shën Luçisë në Prati. Nismat vazhdojnë edhe sot, më 8 shkurt, me shtegtimin online të lutjes dhe të reflektimit kundër trafikimit, një lloj maratone planetare, gjatë së cilës transmetohet videomesazhi i Papës Françesku, duke i bashkuar të gjitha kontinentet, në orare të ndryshme gjatë ditës. Pjesëmarrja e të rinjve dhe e njerëzve të tjerë të përfshirë në luftën kundër trafikimit në Engjëllin e Tënzot të së dielës, 12 shkurt, në Sheshin e Shën Pjetrit, do të mbyllë kremtimin për Ditën e sivjetme kundër Trafikimit.

08 shkurt 2023, 13:35