Ukrainë, Papa: jo më luftë! E lindura mbi gërmadha, nuk do të jetë kurrë fitore e vërtetë
R. SH. - Vatikan
Në ditën e parë të Kohës së Kreshmëve, Papa nuk e harron luftën në Ukrainë, një vit pas shpërthimit. Vazhdon të përsërisë se duhet gjetur zgjidhja paqësore e konfliktit. “Përvjetor i trishtuar”- nënvizon Françesku. E dëshmon numri i të vdekurve, të plagosurve, refugjatëve, shkatërrimeve, dëmeve ekonomike dhe sociale:
“Thua do të dëshirojë t’i falë Zoti kaq shumë krime e kaq shumë dhunë? Ai është Zoti i paqes, të jemi gjithnjë pranë popullit martir ukrainas, që vazhdon të vuajë dhe ta pyesim veten: a u bë gjithçka e mundur për ta ndaluar luftën?”.
Thirrja u drejtohet "atyre, të cilët kanë autoritet mbi kombet, që të angazhohen konkretisht për t’i dhënë fund konfliktit, për të arritur armëpushimin dhe për të nisur bisedimet për paqen". Fitorja "e ndërtuar mbi rrënoja” – përsëriti - nuk do të jetë kurrë fitore e vërtetë".
Mbështetje misionarëve dhe viktimave të fatkeqësive natyrore
Mendimi i Françeskut shkoi edhe tek ata që shpallin Ungjillin me pasion në mbarë botën. Në veçanti, Papa përmendi nismën "Misionarët për Kreshëm", e cila i mbështet misionarët polakë me lutje dhe agjërim. Një vepër, ritheksoi, "edhe në ndihmë të atyre, që mbetën në Ukrainë, të shkatërruar nga lufta", duke u çuar ndihmë e shpresë banorëve të atij vendi të munduar". Ftesë për bamirësi dhe lutje u drejtoi shtegtarëve nga Brazili, këto ditë të sulmuara nga moti i keq dhe përmbytjet, "për të gjithë ata, që vuajnë nga fatkeqësitë natyrore apo luftërat".
Të përgatitemi për Pashkë me zemra të pastruara
"Udha e Kreshmëve" – ishte më pas urimi në këtë të Mërkurë të Përhime, "na çoftë në gëzimin e Pashkëve me zemra të pastruara dhe të përtërira nga hiri i Shpirtit Shenjt", të cilit i kërkojmë "të na frymëzojë rrugët dhe mjetet për të qenë dëshmitarë të ngushëllimit të Zotit, aktorë të angazhuar për pajtimin e vëllezërve dhe të motrave tona dhe nxitës të paqes në shoqërinë tonë”. Shpirti Shenjt - shtoi Françesku - "na ndriçoftë dhe na ndihmoftë ta dëshmojmë epërsinë e Zotit mbi jetën tonë, Atij që na do dhe na ngushëllon, duke kapërcyer çdo pikëllim".
Kisha ka besim tek të rinjtë
Papa, duke iu drejtuar shtegtarëve në kroatisht, i nxiti të rinjtë "ta ndjekin gjithnjë e më shumë Krishtin, nëse duan ta jetojnë plotësisht jetën e tyre. Kisha - kujtoi - "ka besim tek ju: jini gjithnjë bujarë, të guximshëm dhe plot shpresë”.