Kërko

Letra e Papës Lino Banfit: ngushëllimet për vdekjen e bashkëshortes. Letra e Papës Lino Banfit: ngushëllimet për vdekjen e bashkëshortes. 

Përzemërsia e Papës për Lino Banfin: Zoti të forcoftë, babagjysh i Kombit!

Françesku i shkroi aktorit italian një mesazh ngushëllimi, që u lexua dje gjatë funeralit të gruas së tij, Luçia, e cila u nda nga jeta të mërkurën e kaluar: “Ajo vijon të jetë dëshmitare e bukurisë së dashurisë, që ju mbajti bashkë gati një shekull!”.

R. SH. - Vatikan

Luçia e Lino: më se gjashtëdhjetë vjet jetë së bashku. Deri në atë pikë, sa të dëshirosh që edhe udha e vdekjes të përshkohet krah për krah, si kushedi sa ngjarje dhe raste të tjera. Kjo ishte dëshira e Lucia Zagaria-s, bashkëshorte e Lino Banfit, e cila ndërroi jetë të mërkurën mbrëma, në moshën 85-vjeçare, në Kampusin Biomjekësor në Romë, ku po mjekohej prej disa kohësh. Aktori ia kishte treguar Papës mendimin e Luçisë së tij gjatë takimit që pati në Vatikan, vitin e kaluar, më 2 mars, një ditë pas 60-vjetorit të martesës. Takim – pati kujtuar  Banfi në një intervistë - i jetuar me simpati e frymë miqësore, gjatë të cilit Françesku e quajti Lino Banfin "abuelo d'Italia" a "gjyshi i Italisë", nga roli i gjyshit Libero luajtur per shumë vite e me sukses të madh në filmin "Një mjek në familje".

Gjyshërit dinë të jenë të fortë në vuajtje

E njëjta frymë miqësie, e përzier me emocion, ndjehet në fjalët që Papa i drejtoi Lino Banfit dje, në ditën e varrimit të Zonjës Luçia, kremtuar në famullinë romake të Shën Hipolitit nga kardinali Francesco Coccopalmerio. Në mesazh, lexuar gjatë meshës, Françesku i drejtohet aktorit duke e quajtur “vëlla i dashur” e, ndërmjet të tjerave, i shkruan: “Gjyshërit dinë të jenë të fortë edhe në vuajtje, e ti je gjyshi i një kombi të tërë. Merre trashëgimin e besimit dhe të mirësisë së gruas sate Luçia, duke vazhduar të jesh dëshmitar i bukurisë dhe i lidhjes së dashurisë, që ju mbajti të bashkuar, bukurisë së pakrahasueshme të familjes”.

E pikërisht kjo bukuri e ndihmoi aktorin komik t’i përmbajë lotët e të vërë rishtas buzën në gaz, duke lexuar një mendim kaq optimist, në një çast kur vendin kryesor nuk e zë buzagazi, po lotët…

24 shkurt 2023, 16:17