Kërko

Papa: Kreshmët, kohë e volitshme për t'u kthyer te Zoti pa hipokrizi

"Tani është çasti i favorshëm koha e favorshme për t'u kthyer tek themelorja, për t’u pajtuar me Zotin. Riti i hirit na prin në këtë shtegtim kthese dhe na bën dy ftesa: të rikthehemi tek e vërteta për vetveten e të kthehemi tek Zoti dhe tek vëllezërit e motrat tona. Në qendër të meditimit të kësaj dite, është hiri, simbol i asgjësë e njëkohësisht i madhështisë sonë! Jemi të ftuar të marrim tri rrugë të mëdha: lëmoshë, lutje dhe agjërim.

R.SH. / Vatikan

Pasdite, Mesha e Papës për të Mërkurën e Përhime. Sipas traditës, liturgjia "stacionare"  e fillimit të Krezhmëve nisi në orën 16:30 nga Kisha e Shën Anselmit në Aventin, Romë, e mbërriti me procesion pendestar në Bazilikën e Shën Sabinës, për kremtimin Eukaristik. Si çdo të Mërkurë të Përhime, Papa u priu riteve të hapjes së Krezhmëve në orën 16:30, në Kishën e Shën Anselmit në Aventin, ku nisi liturgjia "stacionale", ndjekur nga procesioni pendestar drejt Bazilikës së Shën Sabinës, ku  u kremtua Mesha, me pjesëmarrjen e kardinajve, kryeipeshkvijve, ipeshkvijve, murgjërve benediktinë të Shën Anselmit, Etërve domenikanë të Shën Sabinës dhe të disa besimtarëve.

"Tani është çasti i favorshëm, tani, dita e shpëtimit!" (2 Kor 6:2)- me këto thirrje tipike për Kreshmët e nisi Papa homelinë - Kjo shprehje e Apostullit Pal - vijoi - na ndihmon të hyjmë në shpirtin e periudhës së Kreshmëve. Kreshmët janë koha e favorshme për t'u kthyer tek themelorja, për t'u zhveshur nga ajo që na rëndon, për t’u pajtuar me Zotin, për të rindezur zjarrin e Shpirtit Shenjt në shpirtin tonë:

“Është koha e hirit për të vënë në jetë atë, që Zoti na e kërkon në versetin e parë të Fjalës së Tij, të cilën sapo e dëgjuam: ‘Kthehu tek unë me gjithë zemër!’" (Jl 2:12).

Të kthehemi tek Zoti

Riti i hirit na prin në këtë shtegtim kthese dhe na bën dy ftesa: të rikthehemi tek e vërteta për vetveten dhe të kthehemi tek Zoti e tek vëllezërit e motrat tona:

Së pari, të kthehemi tek e vërteta për vetveten. Hiri na kujton se kush jemi dhe nga vijmë, na çon përsëri tek e vërteta themelore e jetës: vetëm Zoti është Hyji e ne, vepër e duarve të tij. Ne kemi jetë, ndërsa Ai është jetë. Ai është Krijuesi, ndërsa ne, baltë e brishtë, dalë nga duart e tija. Ne vijmë nga toka dhe kemi nevojë për Qiellin, për Zotin:

“Me Zotin do të ngrihemi nga hiri ynë, por pa Të jemi pluhur. Sepse është Ai, që e plazmoi njeriun me pluhurin e tokës e i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës (Zan 2:7). Ndaj e kujton se jemi pluhur" (Ps 103:14). Zoti e di; ne, nga ana tjetër, shpesh e harrojmë, duke menduar se na mjafton vetvetja, se jemi të fortë, të pathyeshëm, edhe pa Të”.

Prandaj Kreshmët - kujtoi Papa në vijim të homelisë mbajtur gjatë Meshës, me të cilën hapi udhën, që na çon drejt Pashkëve të Ngjalljes - janë kohë për të na kujtuar se kush është Krijuesi e kush krijesa, për të shpallur se vetëm Zoti është Zot, për ta zhveshur veten nga pretendimi se nuk kemi nevojë për Të dhe nga dëshira për ta vënë veten në qendër të të gjitha sendeve. Ndaj, në vijim të homelisë, Papa kujtoi se kjo është koha më e rëndësishme gjatë gjithë vitit:

“Kjo është koha e favorshme për kthesë, për të ndryshuar shikimin mbi të gjitha sendet e, sidomos, mbi vetveten, për të parë brenda vetes. Kreshmët janë kohë e së vërtetës, kohë që t’i heqim maskat e vëna çdo ditë për t'u dukur të përkryer në sytë e botës; për të luftuar, siç na e kujton Jezusi në Ungjill, kundër gënjeshtrave dhe hipokrizisë: jo të të tjerëve, po tonat”.

Megjithatë - kujtoi në vijim Papa - ekziston edhe një hap i dytë: hiri na fton të kthehemi te Zoti dhe te vëllezërit e motrat tona. Nëse kthehemi tek e vërteta dhe e kuptojmë se kush jemi, se nuk na mjafton vetvetja, atëherë zbulojmë se jetojmë vetëm falë marrëdhënieve: asaj të zanafillës me Zotin, e asaj jetësore, me të tjerët. Kështu, hiri që marrim sot mbi kokë na tregon … se jeta jonë është mbi të gjitha marrëdhënie: ne e morëm nga Zoti dhe nga prindërit tanë dhe mund ta ripërtërijmë falë Zotit dhe atyre që ai na i vë pranë. Kreshmët janë koha e favorshme për t’i përtërirë marrëdhëniet tona me Zotin dhe me të tjerët.

Vëllezër dhe motra - pyeti Papa në vijim të homelisë mbajtur ditën e parë të Kreshmëve - po si mund t’i realizojmë të gjitha këto? Për të përfunduar këtë rrugëtim - për t'u kthyer tek e vërteta për veten tonë, për t'u kthyer te Zoti dhe tek të tjerët - jemi të ftuar të marrim tri rrugë të mëdha: lëmoshëlutje, agjërim. Pa harruar se, siç e dëgjuam në Ungjill, Jezusi na paralajmëron: nuk bëhet fjalë për rite të jashtme, por për gjeste që duhet të shprehin përtëritjen e zemrës:

“Lëmosha nuk është gjest i shpejtë për të pastruar ndërgjegjen, por prekje e vuajtjeve të të varfërve me duart tuaja, me lotët tuaj; lutja nuk është ritual, por dialog i së vërtetës dhe i dashurisë me Atin; agjërimi nuk është përrallë, por gjest i fortë për t’i kujtuar zemrës sonë çka vlen e çka kalon”.

Të vihemi, pra, për udhën e bamirësisë. Për udhën e lutjes! Të nisemi për udhën e agjërimit!

“Të mos e humbasim hirin e kësaj kohe të shenjtë: t’ia ngulim sytë Kryqit dhe të ecim, t'u përgjigjemi bujarisht thirrjeve të forta të Kreshmëve. Në fund të rrugëtimit do të takojmë me gëzim të papërshkrueshëm Zotin e jetës, të  vetmi që do të na bëjë të rilindim nga hiri”.

22 shkurt 2023, 14:47