Papa: të gjejmë kohë për t’i dashur ata, që vuajnë nga mizoritë e luftës e të varfërisë
R.SH. – Vatikan
Është urgjente t’i jepet fund shfrytëzimit të më të varfërve! Është urgjente të ndalen mizoritë në vendet, që janë pre e luftërave dhe e konflikteve, të cilat i shtyjnë njerëzit të marrin rrugën e mërgimit. Në ditën e përvjetorit të parë të pushtimit rus të Ukrainës, Papa Françesku i larton sërish Zotit një lutje universale për t’i dhënë fund çdo forme të së keqes, që e mundon njerëzimin, veçanërisht më të ligështit. Papa u takua me anëtarët e Shoqatës Pro Petri Sede, në Romë për shtegtimin e tyre tradicional - e vetmja audiencë e ditës së sotme, për shkak se Ati i Shenjtë është me grip. Kujtojmë se shoqata u themelua në fund të shekullit XIX e, edhe sot, impenjohet në vepra solidariteti dhe bamirësie, për ta ndihmuar çdo njeri të realizohet katërcipërisht në jetë.
“Ju jeni ende sot dëshmitarë të bujarisë dhe të bamirësisë, që gjallëroi zemrat e paraardhësve tuaj, të cilët nuk patën frikë të sakrifikonin edhe jetën për dashurinë ndaj Kishës. Sot thirrja për të dhuruar vetveten, për hir të dashurisë për vëllezërit e motrat, nuk është më pak urgjente: shumë prej tyre vuajnë nga lufta, dhuna, përjashtimi, varfëria materiale dhe shpirtërore. E është kuptimplote që shtegtimi juaj përkon me fillimin e Kreshmëve, kohë e favorshme që na fton të kthehemi kah Zoti për të kaluar nga skllavëria e egoizmit në lirinë për ta dashur e për t'i shërbyer Zotit, si edhe vëllezërve e motrave tona”.
Të luftohet egoizmi, t’i duam të vegjlit
Duke pasur parasysh “sfidat e ndryshme” të familjes njerëzore, Ipeshkvi i Romës u bë zëdhënës i britmës plot ankth të popujve, që vuajnë sidomos nga luftërat, nga shpërnguljet, nga varfëria dhe degradimi i ekosistemit.
“Të dashur vëllezër e motra, të vemë në jetë thirrjen që t’u bëjmë mirë të gjithëve, duke gjetur kohën për t’i dashur më të vegjlit e më të pambrojturit, të braktisurit e të përbuzurit, ata që diskriminohen e mënjanohen”.
Mbështetje për Pasardhësin e Pjetrit
Papa nuk mungoi të shprehë mirënjohjen e tij ndaj Shoqatës për “mbështetjen e vazhdueshme të përgjegjësisë sime si pasardhës i Shën Pjetrit”. Mbështetje, që merr formën e një kontributi financiar dhe shpirtëror për veprat shoqërore e bamirëse, që lidhen me misionin baritor papnor dhe me veprimtaritë e Selisë së Shenjtë. Është një nga mënyrat për të marrë pjesë në “aksionin misionar të Kishës”, nënvizoi Françesku, në favor të tepër njerëzve, që sot vuajnë jashtëzakonisht.
“Dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen për mbështetjen tuaj besnike për shërbimin tim si Pasardhës i Pjetrit e ju falënderoj për dhuratën, që më prutë. Secilin prej jush e familjet tuaja, ashtu si edhe gjithë anëtarët e shoqatës, ia besoj ndërmjetësimit të Virgjërës Mari e të Shën Pjetrit. Ju bekoj me gjithë zemër”.