Françesku u nis nga RD e Kongos drejt Sudanit të Jugut
R.SH. – Vatikan
Mesha private në Nunciaturën Apostolike të Kinshasës dhe takimi me ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore të Kongos ishin veprimtaritë e fundit të vizitës së Papës Françesku në Republikën Demokratike të Kongos, para se të nisej nga Aeroporti Ndërkombëtar N'dolo për në Sudanin e Jugut.
Shtegtim ekumenik i paqes
Në aeroport, Ati i Shenjtë u përshëndet nga presidenti i Republikës, Felix Tshisekedi Tshilombo, i cili kaloi disa minuta në një bisedë të përzemërt me Papën. Françesku ishte i fundit, që hipi në avionin për në kryeqytetin sudanezojugor Juba, ku pritet të mbërrijë në orën 14.00 evropiane (15.00 vendase). Vizita e tij në vend, që do të vijojë deri të dielën, më 5 shkurt, synon të jetë shtegtim ekumenik për paqen, pasi krah Françeskut, do të jenë të pranishëm edhe kryeipeshkvi anglikan i Canterbury-t, Justin Welby dhe moderatori i Asamblesë së Përgjithshme të Kishës së Skocisë, pastori metodist Ian Greenshields.
Takimet e para të Papës në Sudanin e Jugut
Në Sudanin e Jugut, Ati i Shenjtë do të pritet në Aeroportin Ndërkombëtar të Juba-s nga presidenti i Republikës, Salva Kiir Mayardit, në një takim të shkurtër, gjatë të cilit do të paraqiten delegacionet. Menjëherë pas, do të shkojë në Pallatin Presidencial për një vizitë kortezie tek presidenti, ku do të marrin pjesë edhe kryeipeshkvi Welby dhe pastori Greenshields. Papa do të ketë edhe një takim privat me kreun e shtetit. Në orën 16 evropiane, do të mbahet takimi me zv.kryetarët e Republikës dhe së fundi, në kopshtin e Pallatit Presidencial, ai me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik. Do të jetë fjalimi i parë i Françeskut në Sudanin e Jugut. Dita e sotme do të përfundojë me darkën e Papës në Nunciaturën Apostolike.