Papa: të lutemi për kë rrezikon jetën në shërbim të Ungjillit
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku e përsërit shpesh: “Ka më shumë martirë sot, sesa kishte në kohët e para të Kishës”. Më shumë motra dhe vëllezër të persekutuar, që japin dëshminë e tyre për Jezusin”.
Sot u botuan ndjetet e lutjes së Papës, që i besohen rrjetit të tij botëror të lutjeve për vitin e ardhshëm. Një nga ndjetet i kushtohet martirëve të krishterë:
"Të lutemi për ata që, në vise të ndryshme të botës, rrezikojnë jetën e tyre për Ungjillin, që të mund ta trimnojnë Kishën me guximin dhe frymën e tyre misionare".
Papa na ka ftuar më se një herë të mendojmë për të krishterët e shumtë, që u mbyllën në burgjet e nazistëve dhe të komunistëve, “vetëm pse ishin të krishterë”, gjë që vijon të ndodhë “edhe sot”. Persekutimi vazhdon - kujton Françesku - "sepse bota nuk e toleron hyjninë e Krishtit, nuk e toleron shpalljen e Ungjillit". Përgjigja e krishterë ndaj së keqes, është dashuria. Françesku e përsëriti këtë në shkurt 2020 në Bari, me rastin e takimit për "kufirin mesdhetar të paqes":
“Duajini armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju përndjekin. Kjo është risia e krishterë. Është çka e dallon të krishterin. Të lutemi dhe të duam: këtë duhet të bëjmë; dhe jo vetëm për ata, që na duan, jo vetëm për miqtë tanë, jo vetëm për njerëzit tanë. Sepse dashuria e Jezusit nuk njeh kufij, as pengesa e as mure. Zoti na kërkon guximin e një dashurie pa llogaritje. Sepse masa e Jezusit, është dashuria pa masë. Sa herë i kemi lënë pas dore kërkesat e Tij, duke u sjellë si gjithë të tjerët! E pra urdhri i dashurisë nuk është provokim i thjeshtë: është në zemër të Ungjillit. Ne nuk pranojmë justifikime për dashurinë ndaj të gjithëve, nuk predikojmë maturi të rehatshme. Zoti nuk ishte i matur, nuk bëri kompromise, na kërkoi kulmin e bamirësisë. Është i vetmi ekstremizëm i krishterë që na lejohet: ekstremizmi i dashurisë”.
Në ndjetet ndeshemi edhe me një lutje kushtuar liderëve politikë. Të lutemi, pra, që “të jenë në shërbim të popullit të tyre (e tonit) duke punuar për zhvillimin e plotë njerëzor dhe për të mirën e përbashkët”, me kujdes të veçantë ndaj më të varfërve. Pushteti nuk është shtypje, as shfrytëzim - kujton Françesku - pushteti është shërbim!