Papa: të luftojmë që askush të mos përjashtohet nga shërbimi shëndetësor
R.SH. – Vatikan
“Të luftojmë”: Papa Françesku përdori pikërisht këtë fjalë për t’i ftuar shoqatat, që merren me mbrojtjen dhe ndihmën për njerëzit me sëmundje të rralla, të vijojnë impenjimin që “askush të mos përjashtohet nga shërbimi shëndetësor, të mos diskriminohet e të mos penalizohet”. Ati i Shenjtë priti sot në Pallatin Apostolik, një delegacion të Uniamo-s, shoqatë e Federatës Italiane të Sëmundjeve të Rralla. Më se një herë, veçanërisht me rastin e Ditës së Sëmundjeve të Rralla, që kremtohet më 28 shkurt, Françesku e pati përmendur këtë realitet gjatë Engjëllit të Tënzot. E sot u takua me ata, të cilët prej më se 20 vitesh, mbrojnë të drejtat e njerëzve me sëmundje të rralla dhe të familjeve të tyre. Me këtë realitet janë të lidhura mbi 150 shoqata, që vazhdojnë të shtohen.
Kontribut për të mirën e përbashkët
Duke u nisur pikërisht nga “potenciali” i një realiteti të tillë, Françesku i nxiti anëtarët e Uniamo-s të japin “një kontribut vendimtar për të mirën e përbashkët”, duke u përpjekur “të përmirësojnë cilësinë e shërbimit shëndetësor të një vendi, rajoni a territori”.
“Politika e mirë varet edhe nga kontributi i shoqatave, të cilat për çështje të caktuara kanë njohuritë e duhura dhe vëmendjen ndaj njerëzve, që ka rrezik të lihen mënjanë”.
Ja pika vendimtare, pohoi Papa: “Nuk është fjala të kërkohen favore për kategorinë që ke nën kujdes, kjo nuk është politikë e mirë; është fjala të luftojmë që askush të mos përjashtohet nga shërbimi shëndetësor, të mos diskriminohet, të mos penalizohet”.
Të shkëmbejmë përvojën
“Të bashkojmë përvojat, të bashkojmë forcat, të bashkojmë shpresat”, kërkoi Françesku, duke perifrazuar emrin e shoqatës: “Uniamo” – të bashkojmë. Ndërsa shkëmbimi i përvojës dhe i rezultateve të punës kërkimoro-shkencore, fillimisht, është domosdoshmëri e pastaj, bëhet vendim i vetëdijshëm.
“Kur një baba dhe një nënë zbulojnë se fëmija ka një sëmundje të rrallë, kanë nevojë të njohin prindër të tjerë, që kanë jetuar dhe jetojnë të njëjtën përvojë. Kjo është domosdoshmëri”.
Përqafimi i fëmijëve dhe i të sëmurëve
Ndërsa po mbante fjalimin, Papa u ndërpre nga një vajzë e vogël, e cila iu afrua dhe i dha një dhuratë: "Eja, hajde, hajde: eh, sa e mirë! Kjo është për mua? E je shumë e mirë: bravo! Kjo është pafajësia krijuese e fëmijëve: janë ashtu siç janë dhe bëjnë atë që bëjnë”. Pastaj një vajzë tjetër e ndoqi të parën e pastaj të tjerët derisa Papa u rrethua nga të vegjlit. Françesku kaloi kohën me ta, u dha rruzare, i pyeti për emrat - Emanuele, Samuel, Carla, Dario – i përkëdheli e i bekoi. Kështu bëri edhe me të sëmurët, si me një grua që i tha: “Ju kërkoj një lutje për diagnozën time, të cilën ende nuk e kemi gjetur”.
Predikim i gjallë
“Ky ishte predikimi sot për ne”, tha Papa para kësaj skene kaq spontane. "Prandaj, mendova: të vazhdoj të flas pas këtij predikimi të gjallë nuk ka kuptim".
“Nganjëherë, i përgatisim gjërat për të thënë dhe të gjitha idetë, por realiteti flet më mirë se idetë e fjalimin e vërtetë e mbajtën ata sot, duke u afruar natyrshëm, duke dhuruar më të mirën nga vetja, një buzëqeshje, një kuriozitet, dorën për të marrë Rruzaren”.
Papa Françesku ia dorëzoi fjalën e shkruar presidentit: "Ky është teksti që doja të lexoja, por predikimin e vërtetë e bënë ata, me kufizimet, me sëmundjet e tyre, por na bënë të kuptojmë se ka gjithmonë një shans për t’u rritur e për të ecur përpara”.
Rrugëdalja nga ankthi
Kemi nevojë për një plan shoqëror e politik, kërkon Françesku në fjalën e shkruar, që dorëzoi.
“Po ju jap një shembull: realitete si tuajat mund të bëjnë presion që të kapërcehen barrierat kombëtare dhe tregtare për të shkëmbyer rezultatet e punës kërkimoro-shkencore, në mënyrë që të arrihen objektiva, të cilat sot duken shumë të largëta”.
Ta ngremë zërin për ata, që s’e kanë
Sigurisht, “është e vështirë të impenjohesh për të gjithë, kur secili e ka të vështirë t’u bëjë ballë edhe vetëm problemeve të veta”, pranon Papa. Por këtu qëndron forca e shoqatës dhe aq më tepër e federatës: "Aftësia për t'u dhënë zë shumë njerëzve që, të vetëm, nuk mund të dëgjohen”. Prandaj, përfaqësuesit e pacientëve duhet të dëgjohen që në fazat e para të sëmundjes.
“Në marrëdhëniet me institucionet, në nivele të ndryshme, jo vetëm kërkoni, por edhe jepni: njohuri, kontakte e sidomos, njerëz, njerëz që mund të japin një dorë për të mirën e përbashkët, nëse punojnë me frymë shërbimi dhe sens qytetar”.