Kërko

Papa në mes të njerëzve me aftësi të kufizuara Papa në mes të njerëzve me aftësi të kufizuara 

Papa: të kujdesemi për të sëmurët, si Samaritani i mirë

Në dy Twitter, me rastin e Ditës Botërore të të Sëmurëve, Françesku kërkoi t'u kushtohet vëmendje atyre që vuajnë, duke pasur si model Samaritanin e mirë, protagonistin e shëmbëlltyrës së Jezusit dhe duke imituar stilin e Zotit, që është afërsi, dhembshuri, butësi.

R. SH. - Vatikan

Në ditën e sotme botërore të të sëmurëve, tashmë e XXXI, Papa Françesku, në një Twitter, na fton t’i sjellim sytë drejt atyre, që vuajnë dhe të ndjekim shembullin e Samaritanit të mirë. E pikërisht Samaritani i mirë - protagonist i shëmbëlltyrës së mirënjohur të Jezusit - i cili i dha ndihmë me kujdes e dashuri një burri të grabitur dhe të rrahur përgjatë rrugës, të injoruar nga kalimtarët dhe madje edhe nga një prift, është në qendër të vëmendjes, në mesazhin e Françeskut për Ditën e të Sëmurit, botuar më 10 janarin e kaluar, parë si model i stilit të krishterë të dhembshurisë.

"Ashtu si Samaritani i Mirë, le të ndalemi dhe të kujdesemi për të sëmurët dhe të vuajturit" - shkruan Papa në Twitter - duke kujtuar  edhe festën liturgjike të Zojës Lurdë e duke iu lutur Marisë t’i bekojë "gjithë të sëmurët dhe ata që kujdesen për ta me dashuri".

E përsa i përket qëndrimit ndaj të sëmurëve dhe të vuajturve, në  Twitterin e dytë, @Pontifex, Papa kujton stilin e Zotit "që është afërsi, dhembshuri dhe butësi". Mund të "mësohesh të ecësh së bashku" sipas këtij stili, shpjegon Papa, "nëpërmjet përvojës së brishtësisë dhe të sëmundjes".

Mesazhi për Ditën Botërore të të Sëmurit

Françesku e titulloi mesazhin e tij për ditën e sotme “Kujdesu për të”, duke kujtuar kërkesën që i bëri Samaritani hanxhiut, të cilit iu lut të kujdesej për të plagosurin. Fjalë - shkruan Papa - që "Jezusi ia përsërit secilit prej nesh", duke shtuar se njeriu i rrahur, i grabitur dhe i braktisur në rrugë të madhe, "na kujton kushtet në të cilat braktisen shumë nga vëllezërit dhe motrat tona, në çastin kur shumica kanë nevojë për ndihmë”. “Megjithatë, ajo që ka më shumë rëndësi – shkruhet në mesazh – është të dish çfarë është vetmia, braktisja. Është mizori, që mund të kapërcehet para çdo padrejtësie tjetër sepse - siç na thotë shëmbëlltyra – për ta zhdukur mjafton vetëm një çast vëmendjeje, një çast dhembshurie!

Së bashku, në ndihmë të më të ligshtëve

Dhe pikërisht me shembullin ungjillor të Samaritanit të mirë, duhet të matet Kisha, nëse vërtet dëshiron të jetë "spital i vlefshëm fushor" - këshillon Françesku në mesazh, në të cilin shpjegon edhe kuptimin e Ditës Botërore të të Sëmurëve: “nuk na fton vetëm për lutje dhe afërsi me të vuajturit; njëkohësisht synon ta sensibilizojë popullin e Zotit, institucionet shëndetësore dhe shoqërinë civile për të ecur me një mënyre të re, së bashku”.

11 shkurt 2023, 16:13