Papa: të gjithë duhet të angazhohemi në politikë, për të mirën e përbashkët
R. SH. - Vatikan
Nga "El jesuita", shkruar në vitin 2010, tek "Il Pastor", vëllim që do të dalë së shpejti në Argjentinë. Francesca Ambrogetti, ish-kreu i Ansa-s në vendin Jugamerikan dhe Sergio Rubin, i gazetës El Clarin, kujtojnë përsëri figurën e Jorge Mario Bergoglios. Në librin e parë patën botuar mendimin e kryeipeshkvit të Buenos Ajres, kardinalit Bergoglio, në të dytin, magjisterin e Papës Françesku: sfidat e dhjetë vjetëve të papnisë dhe perspektivat e së ardhmes si "rigjallërimi i kumtimit të Ungjillit - pohon në ‘Il Pastor’ Papa - reduktimi i centralizmit Vatikanas, ndalimi i pedofilisë ...e lufta kundër korrupsionit ekonomik”. Program qeveritar - nënvizon - për të zbatuar çka deklaruan kardinajtë në kongregacionet e përgjithshme, në prag të konklavit.
Nëntëmbëdhjetë kapituj, në 346 faqe, me një prolog nënshkruar nga Papa, ku shkruhet: "Duhet t’u njoh një virtyt Françeskës dhe Serxhios: këmbënguljen". Gazetarët e analizojnë figurën e Papës përmes intervistave periodike, dhënë gjatë 10 viteve, duke trajtuar shumë tema: nga çështjet që lidhen me emigrantët, tek mbrojtja e jetës, tek ndikimi i reformave të Kuries Romake e tek abuzimi me fëmijët. Në këtë pikë, Françesku nënvizon se papnia e tij "do të gjykohet kryesisht nga mënyra se si e përballoi këtë fatkeqësi". Duke shprehur mendimin e tij për homoseksualitetin, thekson: "ata që u refuzuan nga Kisha, bëj të ditur se janë njerëz në Kishë".
Ungjilli, për kthesë mentaliteti
Politika është një nga temat qendrore. “Po, unë bëj politikë - përgjigjet Papa - sepse të gjithë duhet të bëjnë politikë. Çka është politika? Mënyrë jetese për polisin, për qytetin. Ajo që nuk e bëj unë, e nuk e bën, a nuk duhet ta bëjë as kisha, është politika e partive. Por Ungjilli ka një përmasë politike, “atë të shndërrimit të mendësisë shoqërore, madje edhe fetare të njerëzve”, në mënyrë që t’i shërbejë të mirës së përbashkët. Një tjetër temë e fortë ka të bëjë me ekonominë. Françesku rithekson se fari që duhet ndjekur, është Doktrina sociale e Kishës, se ai nuk e dënon kapitalizmin, por edhe se është e nevojshme, siç pati theksuar Gjon Pali II, të ecet në udhën e "ekonomisë shoqërore të tregut". Sot - shton - financat mbizotërojnë dhe pasuria përqendrohet gjithnjë më shumë në pak duar. “Të gjithë mendojnë se përqendrimi i pasurisë në pak duar, ashtu si dhe pabarazia, janë rritur. Ndërsa një mori njerëzish vdesin nga uria”.
Qartësia në financat e Vatikanit
Më pas Françesku ndalet në çështjet ekonomike të Vatikanit, duke mbrojtur mirëbesimin e "shumicës dërrmuese" të anëtarëve të Kishës, "por nuk mund të mohohet - pohon ai - se disa njerëz të Kishës si dhe shumë, do të thosha, laikë të rremë, 'miq' të Kishës ‘kontribuan’ në përvetësimin e e paligjshëm të pasurive të tundshme dhe të patundshme, jo të Vatikanit, por të besimtarëve". Duke kujtuar, më pas, historinë e pronës në Londër, nënvizoi se "blerja e dyshimtë u zbulua nga vetë Vatikani". Më vjen mirë – nënvizon Papa - mbasi kjo do të thotë se sot administrata e Vatikanit ka burimet e veta për të hedhur dritë mbi ngjarjet e këqija, që ndodhin brenda". Për marrëdhëniet Shtet-Kishë, pohon se mbron "laicizmin e shtetit”, jo laicizmin i cili, për shembull, “nuk lejon figura fetare në hapësirat publike”.
Gati për të shkuar në Kinë
Përsa i përket Argjentinës, Papa nënvizon se “akuzat për peronizëm, domethënë për ndjekjen e lëvizjes politike argjentinase, themeluar nga Juan Domingo Perón gjatë presidencës së parë në Republikën argjentinase (1946-1955), janë të zakonshme”. Fton, më pas, sindikatat të mbrojnë dinjitetin e punëtorëve dhe të drejtat e tyre. E thekson edhe se dëshira e tij për të udhëtuar në vendin e vet “është gjithnjë e vlefshme”. “E padrejtë të thuhet se nuk dua të shkoj” - pohon. Ndërsa lidhur me marrëveshjen ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kinës, nënvizon se i njeh problemet dhe vuajtjet, por edhe se është i gatshëm të shkojë në vendin aziatik: “Që nesër, po të ishte e mundur!”.
Kisha nuk është nënë "me korrispondencë"
Së fundi, Papa rrëfen se ka pasur kriza feje, “të kapërcyera me ndihmën e Zotit.” Në çdo rast - shton ai – “feja, që nuk na vë në krizë, është fe në krizë. Ashtu si feja, që nuk na bën të rritemi, është fe që duhet të rritet”. Për Kishën e së ardhmes, kujton se afërsia është çelësi i gjithçkaje. Kisha është nënë - pohon - e unë nuk njoh asnjë nënë “me korrespeondencë” Nëna dhuron dashuri, nëna prek, puth, dashuron. “Kur Kisha nuk është pranë fëmijëve të saj, sepse e zënë me mijëra punë e mijëra dokumente, është si nënë që komunikon me letra me fëmijët e saj”.