Papa takohet me kryeministrin e RD të Kongos dhe me 38 universitarë katolikë
R.SH. – Vatikan
Pak pas orës 11.00, Papa Françesku, pas takimit me të rinjtë në Stadiumin e Martirëve në Kinshasa, priti në nunciaturën apostolike kryeministrin e Republikës Demokratike të Kongos – etapa e parë e udhëtimit të tij të 40-të apostolik - Jean-Michel Sama Lukonde, së bashku me familjen, me të cilën bisedoi me përzemërsi. Njoftimi jepet nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Në përfundim, Papa u takua edhe me 38 studentë nga universitete katolike kongoleze, shoqëruar nga jezuiti, Át Toussaint Kafarhire Murhula.
Të rinjtë, nga anë të ndryshme të vendit, përfaqësonin ata, që folën me Françeskun më 1 nëntorin e kaluar, me rastin e takimit sinodal “Building bridges across Africa” (Të ndërtojmë ura përgjatë Afrikës), që u mbajt online, promovuar nga Komisioni Papnor për Amerikën Latine.
Të rinjtë kënduan një këngë të kompozuar nga Eprori Provincial i jezuitëve, edhe ai i pranishëm në takim, me fjalët e predikimit të Papës Françesku më 23 nëntor 2017, gjatë lutjes për paqen në Republikën Demokratike të Kongos e në Sudanin e Jugut, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.
Papa u tha të rinjve se sfida e tyre, në këtë periudhë të jetës, është të vendosin në qendër të saj dashurinë, madje, “të vënë bast jetën për dashurinë”, sepse kur dashuria është në qendër, “të gjitha vendimet janë të frytshme”. Më pas, e vijoi bisedën, duke folur për dhunën në Lindje të vendit e duke kujtuar takimin prekës të pasdites së djeshme në nunciaturë. Në fund, Françesku i përshëndeti universitarët një e nga një.