Papa: ta shndërrojmë jetën tonë në histori dashurie me Zotin e me të afërmin
R.SH. / Vatikan
Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, duke kometuar një fragment nga Ungjilli i Shën Mateut (Mt 5,17), Papa Françesku u përcolli besimtarëve mesazhin tejet të qartë: “Zoti na do falas, duke bërë hapin e parë drejt nesh, edhe pse nuk e meritojmë; e atëherë nuk mund ta kremtojmë dashurinë e Tij, pa e bërë edhe ne hapin e parë, për t'u pajtuar me ata që na plagosën”.
Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita - me këto fjalë e nisi, si zakonisht Papa, lutjen e Engjëllit të Tënzot të së Dielës, i ndjekur nga qindra besimtarë e shtegtarë, mbledhur nga të katër anët e botës në Sheshin e Shën Pjetrit. Për të vijuar me fjalën e Ungjillit të Mateut të kësa së diele: “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha ta shlyej Ligjin a Profetët! Nuk erdha ta shlyej, por ta përkryej” (Mt 5, 17). Po çfarë do të thotë kjo? – pyeti Papa - për t’iu përgjigjur sakaq kësaj pyetje, aspak të lehtë për besimtarin.
Çfarë kuptimi ka fjala “përkryerje” a “përsosje”?
Çfarë kuptimi ka fjala “përkryerje” a “përsosje”? Për ta kuptuar këtë fjalë - vijoi Papa – Jezusi nis e na shpjegon të kundërtën e saj. Shkrimi Shenjt thotë “mos vra", por për Jezusin kjo nuk mjafton, nëse më pas vëllezërit “vriten” me fjalë. Shkrimi thotë “mos e shkel kurorën", por kjo nuk mjafton, nëse më pas jeton një dashuri të ndotur, me dy fytyra e me gënjeshtra. Shkrimi thotë ‘Mos e the betimin, por zbato çka i premtove Zotit!”, por nuk mjafton të betohesh solemnisht, e më pas të sillesh si hipokrit (krh. Mt 5,21-37). Kështu nuk mund të bëhet fjalë për përkryerje!
Oferta e Zotit, shkëmbim i dhuratës me dhuratë
Për të na dhënë një shembull konkret - kujtoi Papa - Jezusi përqendrohet tek "riti i ofertës”, që na kujton se duke i bërë një ofertë Hyjit, i përgjegjesh dhuratës me dhuratë. Ishte një rit shumë i rëndësishëm, aq sa ndalohej ndërprerja e tij, përveçse për arsye tejet të rëndësishme. Por Jezusi pohon se duhet ta ndërpresim, nëse një vëlla ka diçka kundër nesh, e të shkojmë më parë për t'u pajtuar me të (krh. v. 23-24): vetëm kështu përfundon riti:
“Mesazhi është i qartë: Zoti na do i pari, falas, duke bërë hapin e parë drejt nesh, edhe pse nuk e meritojmë; e atëherë nuk mund ta festojmë dashurinë e tij pa bërë hapin e parë me radhë, për t'u pajtuar me ata që na plagosën”.
Kjo është përkryerje në sytë e Zotit, përndryshe respektimi i jashtëm, thjesht ritual është i kotë. Me fjalë të tjera, Jezusi na bën të kuptojmë se normat fetare janë të dobishme, janë të mira, por janë vetëm fillimi: për t'i përmbushur, duhet shkuar përtej shkrimit, duhen jetuar!
Jo shërbëtorë, po bij të Zotit
Urdhërimet që na i dha Zoti - porositi në vijim Papa - nuk duhen mbyllur në kasafortat asfiksuese të respektimit formal, përndryshe ne mbetemi në një besim të jashtëm dhe të shkëputur, shërbëtorë të një "zoti padron" dhe jo bij të Zotit Atë. Për të shtuar, më pas:
“Vëllezër dhe motra, ky problem nuk ishte vetëm në kohën e Jezusit, është edhe sot”.
Nganjëherë, për shembull, dëgjon njerëzit që thonë: “Atë, nuk kam vrarë, nuk kam vjedhur, nuk i kam bërë keq askujt...”, si të donin të thoshin: “Jam në rregull, pra”. Ky është respektim formal, që kënaqet me pak, ndërsa Jezusi na fton të bëjmë sa më shumë që të jetë e mundur. Le të kujtojmë – vijoi Papa – se Zoti nuk arsyeton me llogaritje e me tabela; Ai na do si i dashuruar: jo pak, po shumë! Nuk na thotë “të dua deri në një farë pike”:
“Jo, dashuria e vërtetë nuk është kurrë deri në një pikë të caktuar, nuk kënaqet kurrë; dashuria shkon përtej, nuk mund të bëjë ndryshe. Jezusi na e tregoi këtë duke dhuruar jetën në kryq e duke i falur vrasësit e tij (krh. Lk 23,34). Dhe na besoi urdhërimin që e ka më shumë për zemër: ta duam njëri-tjetrin, ashtu siç na deshi ai ne (krh. Gjn 15,12). Kjo është dashuria që përkryen Ligjin, fenë, jetën!”.
Si ta jetoj fenë?
Si ta kemi medituar kështu këtë Urdhërim kaq të domosdoshëm për jetën tonë, nuk mund të mos e pyesim veten edhe “si ta jetoj fenë?”. Këtë pyetje të domosdoshme na e shpjegoi sot Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot:
“Është çështje llogaritjesh, formalizmash, apo histori dashurie me Zotin? A kënaqem kur nuk bëj keq, kur dua për sy e faqe, apo kur përpiqem t’i dua gjithnjë më shumë e më vërtetësisht Zotin dhe të tjerët? E herë pas here, duke e medituar urdhrin madhështor të Jezusit, e pyes veten nëse e dua të afërmin tim ashtu siç më do Ai mua? Sepse ndoshta jemi të pamshirshëm kur i gjykojmë të tjerët, duke harruar se duhet të jemi të mëshirshëm, si Zoti me ne!”.
Të jemi të mëshirëshm, pra, e ta shndërrojmë historinë e jetës sonë, në histori dashurie me Zotin. E atëhere do ta jetojmë përsosurisht Fjalën e Atij të Lumit. Si Maria - shtoi Papa - duke e pëfunduar, si zakonisht, lutjen e Engjëllit të Tënzot, me porosinë për të ndjekur shembullin e Zojës së Bekuar:
“Maria, që e vuri përsosurisht në jetë Fjalën e Zotit, na ndihmoftë ta përkryejmë fenë tonë dhe dashurinë tonë”.