Kërko

Papa: solidaritet për Turqinë dhe Sirinë, pa e harruar Ukrainën në luftë

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Françesku bëri thirrje për dy vendet e rrënuara nga tërmeti, që la pas rreth 9000 të vdekur dhe dëmtime të panumërta: "I inkurajoj të gjithë të solidarizohen për këto troje, pjesërisht të torturuara edhe nga lufta". E edhe të luten për shpëtimtarët, të penguar nga kushtet e pafavorshme të motit dhe dëmtimet serioze të rrugëve. Më pas, kujtimi i ukrainasve "pa dritë e pa ngrohje", si dhe i viktimave të zjarreve, në Kili.

R.SH. / Vatikan

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku bëri thirrje për dy vendet e rrënuara nga tërmeti, që la pas rreth 9000 të vdekur dhe dëmtime të panumërta: "I inkurajoj të gjithë të solidarizohen për këto troje, pjesërisht të torturuara edhe nga lufta". E edhe  të luten për shpëtimtarët, të penguar nga kushtet e pafavorshme të motit dhe dëmtimet serioze të rrugëve. Më pas, kujtimi i ukrainasve "pa dritë e pa ngrohje", si dhe i viktimave të zjarreve, në Kili.

Emocion, afërsi, inkurajim, solidaritet. Këto janë ndjenjat shprehur nga Papa përballë “fatkeqësisë shkatërruese”, që goditi Turqinë dhe Sirinë, tërmetit të dhunshëm me magnitudë 7.8, i cili të hënën e kaluar mbyti të paktën 9,500 njerëz dhe la 380,000 të tjerë pastrehë, vetëm në Turqi. Pas dy telegrameve drejtuar nuncëve të vendeve përkatëse dhe pas postimit të djeshëm në faqen e internetit @Pontifex, Françesku shprehu sërisht ankthin për këta njerëz, që panë duke u shembur shtëpi dhe qytete e duke u vdekur para syve nën rrënoja të dashurit e tyre:

“Mendimi im në këtë çast shkon tek tek popullsia e Turqisë dhe e Sirisë, të dëmtuara rëndë nga tërmeti, që shkaktoi mijëra të vdekur dhe të plagosur. I prekur thellë, lutem për ta dhe u shpreh afërsinë time këtyre popujve, familjeve të viktimave dhe të gjithë atyre, që vuajnë nga kjo fatkeqësi shkatrrimtare”.

Nxitja e solidaritetit

Françesku i falënderon të gjithë ata, që po angazhohen pa kursim për ta lehtësuar popullsinë e Turqisë jugore dhe të Sirisë veri-lindore, duke gërmuar nëpër rrënoja për të kërkuar burra, gra dhe fëmijë, në kushte të rënda, kur përpjekjet e ndihmës po pengohen nga lëkundje të reja, nga temperaturat e ulta, rrugët e dëmtuara dhe mungesa e një plani të qartë për t'u marrë me emergjencat:

“I inkurajoj të gjithë për solidaritet në këto troje, pjesërisht të goditura prej kohe nga një luftë e gjatë”.

T’ia besojmë veten Zojës

Fjalët e fundit Papa ia drejtoi veçanërisht popullsive të Halebit dhe qyteteve të tjera siriane, që kanë frikë të kthehen në shtëpitë e tyre të pasigurta, nën bombat e kësaj dekade konflikti. Papa ia besoi gjithçka e  gjithkënd mbrojtjes së Virgjërës Mari:

“Të lutemi së bashku që këta vëllezër dhe motra tona të mund ta përballojnë këtë tragjedi dhe t'i kërkojmë Zojës t'i mbrojë!”.

 Kjo, ftesa e Papës, pasuar nga  një Falemi Mëri, e thënë në kor…

Vuajtjet e Ukrainës

Si në çdo të mërkurë, në audiencën e përgjithshme dhe çdo të diel, në Engjëllin e Tënzot, nga 24 shkurti 2022 e deri më sot, Papa nuk e harron asnjëherë Ukrainën e dërmuar, ku vijojnë sulme të reja në rajonin e Sumy, në zonën verilindore, në pritje të një sulmi të ri, në shkallë të gjerë, në lindje,  ditët e ardhshme:

“Të mos i harrojmë vuajtjet e popullit ukrainas, kaq të martirizuar në këtë të ftohtë, pa dritë, pa ngrohje dhe në luftë”.

Një mendim për viktimat e zjarreve në Kili

Papa nuk i harroi, në përshëndetjet e tij për shtegtarët e gjuhës spanjolle, "viktimat dhe njerëzit e prekur nga zjarret" në Kili. Kujtonte, kështu, zjarrin që përfshiu pyjet e rajoneve qendro-jugore të Nuble-s dhe Biobio-s e, më pas, të Auracania-s, më në jug, ku shpërtheu një valë intensive të nxehti. Zjarret shkaktuan deri tani të paktën 26 të vdekur dhe 1,182 të plagosur, duke shkatërruar rreth 1,560 shtëpi.

Pishtari Benediktin nëpër rrugët e Evropës

Së fundi, një përshëndetje për pjesëmarrësit në “Pishtarin Benediktin”, stafetë e paqes dhe e unitetit në Evropë,  gjatë së cilës të rinjtë me flakëzat  në duar, përudhë nëpër qytetet italiane dhe evropiane, do t’i nxisin popujt dhe liderët politikë që të "gjejnë - lexohet në kanalin e tyre të internetit - në vlerat dhe programin e jetës së Shën Benediktit, shtytjen e fuqishme për të ndërtuar rendin moral ndërkombëtar, të bazuar mbi drejtësinë dhe paqen".

08 shkurt 2023, 12:57