Françesku: përmasa shpirtërore e sportit çon drejt sukseseve të mëdha
R.SH. – Vatikan
Pentatloni e shumëfishon funksionin edukativ të sportit. Këtë theksoi Papa Françesku në fjalën drejtuar Federatës Italiane të Pentatlonit Modern dhe sportistëve të ekipit kombëtar, që i priti në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik. Për Papën ishte takimi i parë me përfaqësues të këtij sporti, i cili përfshin gara në skermë, not, kalërim, qitje dhe vrapim. Reflektimi i tij u përqendrua në impenjimin fizik dhe mendor të atletit, që merr pjesë në këtë pesëgarësh.
“Atleti duhet të japë maksimumin në pesë sporte shumë të ndryshme, të cilat kërkojnë aftësi dhe stërvitje të ndryshme. Prandaj, në to del në pah fizionomia e një atleti të shumëanshëm, që mund të ndryshojë lehtë, që zhvillon aspekte të ndryshme të trupit dhe të mendjes”.
Atleti i pesëgarëshit nuk është robot
Nuk është fjala për të “ekzekutuar përsosurisht një sërë garash”, si robot, vërejti Papa, sepse atleti i pesëgarëshit është njeri, që vë në lojë aspekte të ndryshme të vetvetes. E kjo është vlera edukative e pentatlonit. Edhe “në jetë jemi të thirrur të veprojmë kështu – theksoi Françesku – duke përdorur përmasa të ndryshme të vetvetes, sipas situatës, marrëdhënieve, çasteve”, por duke synuar të arrijmë gjithnjë diçka cilësore.
“Përsosmëria është e mirë, por cilësia e jetës nuk varet prej saj, varet nga mesatarja e duhur e situatave të ndryshme”.
Qëndrueshmëria e një personaliteti të shumëanshëm
Nevojitet “bashkim i fuqishëm, qendër e patundur, koherencë e madhe dhe, njëkohësisht, aftësi për të ndryshuar, për t’u përshtatur, për t’u zhvendosur”, pra, një personalitet i shumëanshëm, nënvizon Papa, i cili foli për “qëndrueshmëri në shkathtësi” dhe falënderoi atletët për shembullin që japin, përmes disiplinave të tyre sportive.
“Të gjithë e dimë se në jetë është shumë më e vështirë sesa në sport! Por sporti mund të na ndihmojë, pasi na mëson se me durim, stërvitje, krijimtari e këmbëngulje mund të përmirësohemi, të arrijmë objektiva, që dukeshin të paimagjinueshme. E kjo ndodh përmes një përmase, që është në themelin e gjithë të tjerave dhe i frymëzon ato, përmes përmasës shpirtërore”.
Gara e solidaritetit
Papa e quajti “marrëdhënie me kuptimin e jetës” e shpjegoi se “në qendër të njeriut është zemra, jo në kuptimin fizik, por në atë simbolik, zemër që di të marrë e të japë dashuri”. Federata Italiana e Pentatlonit Modern e ka bërë të dukshme këtë zemër “me gjeste konkrete solidariteti”, si ato për Spitalin Pediatrik të Krishtit Fëmijë, ku mbështet punën kërkimore dhe strehimin për pacientët e vegjël e familjet e tyre. Françesku i falënderoi sportistët për rezultatet e kësaj “gare më impenjative”, çmimi i parë i së cilës “ta mbush jetën dhe zgjat përgjithmonë”.