Papa: përgatituni për Jubileun, duke marrë në dorë tekstet e Koncilit
R.SH. – Vatikan
“Përgatituni për Jubileun e 2025-ës, duke marrë në dorë tekstet themelore të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit”. Ky është impenjimi, që Papa u kërkon gjithë besimtarëve në hyrjen e të parit nga 34 vëllimet, me titull “Jubileu 2025 – Fletoret e Koncilit”, botuar nga Shalom. Nisma është e Dikasterit vatikanas për Ungjillëzimin, në përgatitje për Vitin Shenjt, por bazohet në nxitjen e Françeskut për t'ia kushtuar vitin 2023 rizbulimit të katër sesioneve konciliare. 60 vite më parë, Koncili II i Vatikanit “i dha Kishës mundësinë ta përtërijë fytyrën e saj dhe të paraqitet sërish para botës si bartëse e një Mesazhi, që shkon përtej çdo kufiri”, shkruan Papa. “Vërtet, Ungjilli i Jezu Krishtit është një kumt kaq universal, sa nuk mund të hasë kufizime”.
Zhvillim i ri në mësimet e Kishës
Koncili II i Vatikanit, me katër kushtetutat e tij, vijon Papa Françesku, "i dha një zhvillim të ri mësimit dymijëvjeçar të Kishës, duke bërë që e ardhmja të shndritet nga thellësia dhe intensiteti i këtij magjisteri". “Është koha për ta rizbuluar bukurinë e këtij mësimi, i cili, edhe sot, e sfidon fenë e të krishterëve dhe u bën thirrje të jenë më të përgjegjshëm e më të pranishëm, për të ofruar kontributin e tyre në zhvillimin e mbarë njerëzimit”, nënvizon Ipeshkvi i Romës.
Fjalët e Shën Palit VI
Më pas, Françesku citon fjalët e Papës shenjt Pali VI, gjatë homelisë së meshës në sesionin e shtatë të Koncilit: “Kisha jeton! Ja prova; ja fryma e saj; zëri, kënga. Kisha jeton! ...Kisha mendon, Kisha flet, lutet, Kisha zhvillohet, Kisha ndërtohet. …Kisha vjen nga Krishti e shkon te Krishti; e këto janë hapat e saj, pra, aktet me të cilat përkryhet, përforocohet, zhvillohet, ripërtërihet, shenjtërohet. E gjithë kjo përpjekje e Kishës për t’u përkryer, po ta shohim mirë, nuk është tjetër veçse shprehje e dashurisë për Krishtin Zot”.
Leksioni i Koncilit II të Vatikanit
Këto janë fjalë që “na nxisin ta marrim parasysh rëndësinë e mësimit konciliar”, shkruan Papa Françesku. “Kur i marrim përsëri në dorë ato tekste dëshmojmë për gjallërinë dhe frytshmërinë e Kishës; përtëritja e bashkësive dhe impenjimi për kthesë baritore kalon domosdoshmërisht nga përvetësimi i mësimit të Koncilit II të Vatikanit”.
Fazat themelore
Së fundi, Papa rendit "fazat themelore" që “Kisha ta dijë e ta dëshmojë se është gjallë, se përtërihet dhe përkryhet në udhën drejt shenjtërimit”: “centraliteti i Fjalës së Zotit, themel i zbulesës së krishterë; përtëritja e liturgjisë, shprehje e shërbimit meshtarak të gjithë të pagëzuarve; ndërgjegjësimi për faktin se jemi Populli i Zotit për udhë drejt Jeruzalemit qiellor; nevoja për të ndarë gëzimet dhe shpresat e gjithë njerëzimit, sidomos të të varfërve”.