Papa: pasuritë e Selisë së Shenjtë kanë destinacion universal
R.SH. – Vatikan
“Të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, përfshirë shumat në para e letra me vlerë, të cilat janë blerë ose do të blihen, në çfarëdo mënyre, nga institucionet kuriale dhe nga entet e lidhura me Selinë e Shenjtë, janë pasuri publike kishtare dhe si të tilla” i përkasin në tërësi Selisë së Shenjtë e trashëgimisë së saj “unike, të pandashme dhe sovrane”, pavarësisht nga pushteti civil. Kjo lexohet në Letrën apostolike, që Papa Françesku e boti dje në formën e Motu Proprio-s me titull “E drejta e lindur”.
“Prandaj, asnjë institucion apo ent - vijon letra - nuk mund të pretendojë pronësinë e tij private dhe ekskluzive, ose titullin mbi pasuritë e Selisë së Shenjtë”, duke vijuar të veprojë në emër e për llogari të kësaj të fundit, kuptuar si person moral unitar. Këtyre institucioneve u kërkohet vetëm ta përfaqësojnë Selinë e Shenjtë aty ku duhet dhe lejohet nga ligji civil, duke respektuar kufirin e kompetencave e të qëllimeve institucionale, për të mirën e përbashkët të Kishës.
Misioni i Kishës
Kanoni 1254 i së Drejtës Kanonike të Kishës, në paragrafin e parë, pohon: “Kisha katolike ka të drejtën e lindur që, pavarësisht nga pushteti civil, të blejë, të mbajë, të administrojë e të shesë pasuri të kësaj bote për arritjen e qëllimeve të veta”. Pra, Kisha Katolike ka të drejtën e pasurisë kohore e kjo e drejtë është e lindur, pasi rrjedh nga themeluesi i saj, Jezu Krishti e bazohet në qëllimet, që duhet të arrijë e që janë tipike të saj. Këto qëllime të mbinatyrshme nuk mund të arrihen pa mjete të kësaj bote, sepse Kisha vepron në histori, në kohë e në hapësirë dhe nevoja për këto mjete vjen nga natyra e nga misioni i saj. Edhe ky i fundit përcaktohet nga e Drejta Kanonike, pikërisht në kanonin 1254, paragrafi i dytë: “Të mbarështojë kultin hyjnor, të sigurojë jetesën e ndershme për klerin dhe ministrat e tjerë, të kryejë vepra apostullimi të shenjtë dhe vepra bamirësie, veçanërisht në shërbim të të varfërve”.