Papa: nuk mund t’i gllabërojmë më burimet natyrore, të mësojmë nga indigjenët
R. SH. - Vatikan
Popujt autoktonë nuk duhen injoruar - ky është “gabim i rëndë”, e edhe “padrejtësi” – përkundrazi, duhet të mësojmë nga kultura dhe traditat e tyre, posaçërisht për mbrojtjen e tokës. Ashtu si gjatë shtegtimeve të tij në Amerikën Latine dhe si në udhëtimin e fundit në Kanada, Papa Françesku i drejtoi botës thirrjen në favor të popullsive indigjene, të lëna pas dore, a të kundërshtuara deri në tokat e tyre. Ndërsa ata - pohon - janë model për t’u ndjekur në luftën kundër "krizës së pashoqe shoqërore dhe ambientale" që po jeton bota sot:
“Duhet t’i dëgjojmë më shumë popujt indigjenë dhe të mësojmë nga mënyra e tyre e jetesës, për ta mirëkuptuar se nuk mund të vazhdojmë t’i grabisim babëzisht burimet natyrore. Pa harruar kurrë se toka na u besua që të jetë për ne nënë, e aftë t'i japë secilit prej nesh, atë që është e nevojshme për të jetuar”.
Biodiversiteti
“Kontributi i popujve indigjenë është, pra, themelor në luftën kundër ndryshimeve klimatike” - vuri në dukje Papa në fjalimin e tij në gjuhën spanjolle. Më pas përshëndeti punën e Forumit të Popujve Indigjenë, që po zhvillohet këto ditë në selinë e IFAD, në Romë. Është një platformë dialogu, në të cilën përfaqësuesit e popujve indigjenë shprehin shqetësimet, kërkesat dhe porositë e tyre për të përmirësuar partneritetin me IFAD dhe vlerën e angazhimit me popujt indigjenë. Tema e këtij viti është "Udhëheqja e popujve vendas për çështjet klimatike: Zgjidhje të bazuara mbi bashkësitë, për të përmirësuar elasticitetin dhe biodiversitetin". Çështje tejet aktuale, meqë popujt indigjenë mbështesin biodiversitetin global: 80% e biodiversitetit të planetit gjendet në tokat e popujve indigjenë.
Krizë e pashoqe
Papa e shikon këtë si "mundësi për të njohur rolin kritik që popujt indigjenë luajnë në mbrojtjen e mjedisit dhe për të nxjerrë në pah urtinë e tyre në gjetjen e zgjidhjeve globale për sfidat e mëdha që ndryshimi klimatik i vë para njerëzimit çdo ditë. Fatkeqësisht - vëren Françesku - "jemi dëshmitarë të një krize të papaparë shoqërore dhe ambientale”:
“Nëse duam vërtet të kujdesemi për shtëpinë tonë të përbashkët dhe të përmirësojmë planetin, ku jetojmë, është themelore t’i ndryshojmë stilet e jetesës si dhe modelet e prodhimit dhe të konsumit”.
Urgjent, bashkëveprimi
Prandaj, sot më shumë se kurrë, nevojitet "një proces kthese për strukturat e konsoliduara të pushtetit, që drejtojnë shoqërinë e kulturës perëndimore e, njëkohësisht, i shndërrojnë marrëdhëniet historike, të krijuara nga kolonializmi, nga përjashtimi dhe diskriminimi". Duhet të krijojmë "një dialog të ri mbi mënyrën si po e ndërtojmë të ardhmen e planetit:
“Kemi nevojë urgjente për veprime të përbashkëta, rezultat i një bashkëpunimi të ndershëm dhe të vazhdueshëm, sepse sfida ambientale që po përballojmë dhe rrënjët e saj njerëzore, ndikojnë fuqimisht mbi jetën e secilit prej nesh”.
Të respektohen dinjiteti dhe të drejtat
Thirrja u drejtohet qeverive, në mënyrë që ata “t’i njohin popujt indigjenë të të gjithë botës, me kulturat, gjuhët, traditat dhe përshpirtërinë e tyre", "t’ua respektojnë dinjitetin e të drejtat, duke e ditur se pasuria e familjes sonë të madhe njerëzore qëndron pikërisht në diversitetin e saj”.
“Ta injorosh bashkësinë indigjene në mbrojtjen e tokës është një gabim i rëndë, për të mos thënë, padrejtësi e rëndë”.
Tranzicion i drejtë
Nga ana tjetër - nënvizon Papa - "përmirësimi i trashëgimisë së tyre kulturore dhe teknikave të tyre stërgjyshore do të na ndihmojë të ecim në rrugën e kujdesit më të mirë për ambientin". Në këtë drejtim, e quan "të lavdërueshme", punën e IFAD-it për t’i ndihmuar bashkësitë indigjene në një proces zhvillimi të vetëvendosur, posaçërisht përmes Fondit të mbështetjes së popullsive vendase. Megjithatë - pohon - “këto përpjekje duhet të shumëfishohen dhe të shoqërohen me një proces vendimarrjeje vendimtar dhe largpamës”. Qëllimi është të arrihet "tranzicioni i drejtë".