Papa: nesër do të bekojë pishtarin e Shën Benediktit, Pajtorit të Evropës
R.SH. – Vatikan
Nesër, 8 shkurt, si çdo vit, gjatë audiencës së përgjithshme, Papa Françesku do të bekojë Pishtarin benedektin, ceremoni me të cilën fillojnë kremtimet benedektine, që do të arrijnë kulmin më 21 mars, ditën e kalimit në amshim të Shën Benediktit, njëkohësisht në tri qytetet, që kanë të bëjnë me jetën e tij: Norcia, Subiaco dhe Cassino. Njoftimin e japin, me një notë të përbashkët, abacia e Montecassino-s dhe Komuna e Cassino-s.
Pas audiencës së nesërme, delegacionet e tri qyteteve do të zbresin në Kriptën e Vatikanit për të bërë homazhe në varrin e Shën Pjetrit dhe të Papës së nderit Benedikti XVI, i cili mbante emrin e shenjtit të Norcia-s, Pajtor i Evropës. Më pas, do të shkojnë në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, për të bërë homazhe në varrin e Shën Palit apostull. Delegacionet do të priten nga abati, dom Donato Ogliari dhe nga kryeprifti i bazilikës, kardinali James Michael Harvey.
Sot, Pishtari benedektin mbërriti, për herë të parë, në Dhomën e Deputetëve të Italisë, ku u prit nga kryetari i saj, Lorenzo Fontana. I pranishëm edhe një delegacion nga manastiri i Shën Benediktit në Malin e Norcia-s, udhëhequr nga eprori Benedetto Nivakoff. Programi i plotë i kremtimeve benedektine do të paraqitet në një konferencë për shtyp në selinë e Parlamentit Evropian, në Romë, më 20 shkurt, në orën 10.00.