Kërko

Papa Françesku me viktimat kongoleze të Lindjes së vendit Papa Françesku me viktimat kongoleze të Lindjes së vendit

Papa me viktimat kongoleze të dhunës: mjaft me pasurimin nga paratë e lyera me gjak

“Dëgjojeni britmën e gjakut të viktimave, vejani veshin zërit të Zotit që ju bën thirrje për kthesë, si edhe zërit të ndërgjegjes: bëjini armët të heshtin, jepini fund luftës. Mjaft! Mjaft me pasurimin në lëkurën e më të dobëtit, mjaft me pasurimin me burime dhe para të lyera me gjak!” Kjo, thirrja e Papës Françesku, në takimin me viktimat e Lindjes së Republikës Demokratike të Kongos, që prej vitesh nuk arrin të ngrejë kryet nga dhuna, trashëgim i konflikteve të së kaluarës e të së sotmes

R.SH. - Vatikan

“Zemra ime është sot në Lindjen e këtij vendi të madh, që nuk do të ketë paqe deri sa paqja të arrihet edhe atje, në pjesën e tij lindore”. Papa Françesku i përshëndeti me këto fjalë viktimat e Lindjes së Republikës Demokratike të Kongos, që prej vitesh nuk arrin të ngrejë kryet nga dhuna, trashëgim i konflikteve të së kaluarës e të së sotmes, në të cilat përfshihen jo vetëm kongolezë, por edhe burundezë, ruandezë e ugandezë. “Para dhunës çnjerëzore, që keni parë me sy e keni provuar në lëkurë, mbetemi thellësisht të tronditur”. E nuk ka fjalë, vetëm lot e heshtje, u tha Ati i Shenjtë viktimave të Lindjes, që sollën në nunciaturën apostolike të Kinshasës, ku u bë takimi, dëshminë e tyre. Për Papën, në këtë ditë të dytë të shtegtimit të tij të 40-të apostolik në RD të Kongos dhe në Sudanin e Jugut, ishte rasti për t’i kujtuar gjithë botës luftërat e harruara.

Bunia, Beni-Butembo, Goma, Masisi, Rutshuru, Bukavu, Uvira, vende që mediat ndërkombëtare thuajse nuk i përmendin kurrë: këtu e gjetiu, shumë nga vëllezërit dhe motrat tona, bij të të njëjtit njerëzim, janë peng i arbitraritetit të më të fortëve, të atyre, që mbajnë në duar armët më të fuqishme, armë që vazhdojnë të qarkullojnë”, denoncoi Françesku.

Zoti ju do. Jam me ju, Kisha është me ju

Papës iu tregua një video për tmerret e pësuara, për zhdukjen dhe vrasjen e të afërmve të viktimave. Më pas, secili dha dëshminë e tij, duke e lexuar me tonin e atij që e ka vuajtur të keqen e pafalshme, por që tani po përpiqet ta lërë pas. Plagët mbeten: dikush i ka në fytyrë, të tjerët në shpirt. Si një vajzë albine, për shembull: në Afrikë, duke menduar se janë shtriga e sjellin fat të keq, përfundojnë në tortura, akuza dhe persekutohen.

“Lotët tuaj janë lotët e mi, dhimbja juaj është dhimbja ime”, u shprehu afërsinë e tij të pranishmëve Ati i Shenjtë, duke përmendur çdo “familje në zi, ose të shpërngulur, për shkak të fshatrave të djegura e të krimeve të tjera të luftës”, por edhe viktimat e dhunës seksuale, fëmijët e të rriturit e plagosur. “Jam me ju – u tha atyre me zë të lartë – dua t’ju sjell përkëdheljen e Zotit”. Zoti ju do e nuk ju ka harruar, vijoi Papa, por duhet që edhe njerëzit të kujtohen për ju. Menjëherë pas, thirrja e fuqishme:

Në emër të Tij, së bashku me viktimat dhe me ata që impenjohen për paqen, drejtësinë dhe vëllazërimin, dënoj dhunën me armë, masakrat, përdhunimet, shkatërrimin dhe pushtimin e fshatrave, grabitjen e të korrave dhe të bagëtive, që vazhdojnë në Republikën Demokratike të Kongos. E, edhe shfrytëzimin e përgjakshëm, të paligjshëm, të pasurisë së këtij vendi e përpjekjet për ta copëtuar që të shfrytëzohet më mirë”.

Mjaft me pasurimin në lëkurën e më të ligshtëve!

Papa Françesku iu lut Atit të Gjithëpushtetshëm “t’i ngushëllojë viktimat e të vuajturit”, por sidomos “t’u kthejë zemrat atyre, që bëjnë këto tmerre mizore”, sepse poshtërojnë gjithë njerëzimin. I kërkoi t’u hapë sytë atyre, që e kthejnë kryet nga ana tjetër para konflikteve, që “detyrojnë miliona njerëz të ikin nga shtëpitë, duke shkaktuar dhunime të rënda të të drejtave të njeriut, duke e shpërbërë indin shoqëroro-ekonomik e duke shkaktuar plagë të vështira për t’u mbyllur”. Blasfemia e dhunës së një Zoti të rremë, e quajti Papa, për të denoncuar pastaj me forcë:

Por, mbi të gjitha, është lufta e shkaktuar nga lakmia e pangopur për lëndë të para dhe për para, që e ushqen ekonominë e armëve, e cila pretendon paqëndrueshmëri dhe korrupsion. Çfarë shkandulli dhe çfarë hipokrizie: njerëzit dhunohen dhe vriten, ndërsa bizneset, që shkaktojnë dhunë dhe vdekje, vazhdojnë të lulëzojnë!”

Menjëherë pas, thirrja për ata, që kanë në dorë fillin e luftës në RD të Kongos e pasurohen me gjakun e viktimave të pafajshme:

Dëgjojeni britmën e gjakut të tyre (shih Zan 4,10), vijani veshin zërit të Zotit që ju bën thirrje për kthesë, si edhe zërit të ndërgjegjes: bëjini armët të heshtin, jepini fund luftës. Mjaft! Mjaft me pasurimin në lëkurën e më të dobëtit, mjaft me pasurimin me burime dhe para të lyera me gjak!”

Dy “jo” e dy “po”

Nga t’ia fillojmë për ta ndryshuar situatën, pyeti Ati i Shenjtë, i cili propozoi dy “jo” e dy “po”: “jo” dhunës e dorëzimit e “po” pajtimit e shpresës. “Urrejtja dhe dhuna – nënvizoi ai, duke folur për ‘jo’-në e parë - nuk janë kurrë të pranueshme, kurrë të justifikueshme, kurrë të tolerueshme, veçanërisht për të krishterët. Urrejtja ngjall vetëm më shumë urrejtje dhe dhuna më shumë dhunë”. Kjo vlen sidomos për ata, që ushtrojnë dhunë në emër të Zotit, vërejti Françesku, i cili theksoi edhe një herë se të predikosh urrejtjen është blasfemi. Por, nuk mjafton të thuhet “jo”, dhuna duhet shkulur në rrënjë. Ajo ushqehet nga lakmia, zilia e mëria, prandaj, me guxim, duhet “çarmatosur zemra” nga këto ndjenja, bëri thirrje Papa.

Kjo nuk do të thotë të mos indinjohemi para së keqes dhe të mos e denoncojmë atë, këtë e kemi për detyrë! – vërejti Ati i Shenjtë menjëherë pas. - As nuk do të thotë të mos i ndëshkojmë e t’i falim mizoritë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ajo që na kërkohet, në emër të paqes, në emër të Zotit të paqes, është çmilitarizimi i zemrës: t’ia heqim helmin, të refuzojmë urrejtjen, ta zhdukim lakminë, ta fshijmë prej saj inatin; duke u thënë ‘jo’ gjithë këtyre duket sikur bëhemi më të brishtë, por, në të vërtetë, çlirohemi, sepse fitojmë paqen. Po, paqja lind nga zemra, nga zemra pa urrejtje”.

Jirani ni ndugu” – fqinji është vëlla

E ardhmja në paqe nuk bie nga qielli, vazhdoi Papa, prandaj, i duhet thënë “jo” dorëzimit para situatave, që duken si “fatale” e të përvishen mëngët për të ndërtuar një të ardhme, e cila duhet të jetë “për të gjithë e jo kundër ndokujt”. Françesku iu referua konfliktit të përhershëm ndërmjet etnive tutu e hutsi në vend, por edhe ndërmjet vetë kongolezëve dhe burundezëve, ugandezëve e ruandezëve, zjarr, që ende mbahet gjallë nën prushin e përpjekjeve të vazhdueshme për pajtim. Duke u kërkuar kongolezëve të besojnë në arritjen e paqes në Lindjen e vendit, Ati i Shenjtë përmendi fjalën e urtë në gjuhën suahili “jirani ni ndugu”, që do të thotë “fqinji është vëlla”. Me vështrimin drejt qiellit, kërkoi Papa, kongolezët të thonë: “Kurrë më dhunë, kurrë më inate, kurrë më dorëzim” para konflikteve.

Po” pajtimit

Papa vuri në dukje gjestin kuptimplotë të atyre, që gjatë takimit, menjëherë pas dëshmisë, lanë në këmbët e kryqit uniforma lufte, hanxharë, sëpata e thika, duke u impenjuar për falje e pajtim. “Feja – iu drejtua Ati i Shenjtë të pranishmëve në një vend me shumicë të krishterë – mbart një ide të re drejtësie, që nuk mjaftohet me dënimin dhe me heqjen dorë nga hakmarrja”, por synon pajtimin, ndalimin e konflikteve, faljen, sepse e shndërron nga brenda realitetin, siç bëri Jezu Krishti në kryq, të cilin e shndërroi me dashurinë e tij.

Vetëm falja i hap dyert e së nesërmes, - nënvizoi ai - sepse hap dyert e një drejtësie të re, e cila, pa harruar, e thyen rrethin vicioz të hakmarrjes. Të pajtohesh do të thotë të lindësh të nesërmen: do të thotë të besosh në të ardhmen, në vend që të ngulesh në të shkuarën; të besosh në paqen, në vend që të dorëzohesh para luftës; të arratisesh nga burgu i arsyeve personale për t’ua hapur zemrën të tjerëve dhe për të shijuar lirinë bashkë me ta”.

Kur mbjell të mirën, të bën mirë

Duhet të shpresojmë në këtë, vijoi Papa, duke u mbështetur në burimin e shpresës, që është Krishti i Ringjallur. Por kjo shpresë duhet ushqyer, duke e mbjellë përditë, me durim, u tha Françesku kongolezëve.

Kur mbjell të mirën, të bën mirë: liron nga logjika e ngushtë e përfitimit personal dhe i jep çdo dite arsyen e vet; sjell në jetë frymën e dhurimit falas dhe na bën më të ngjashëm me Zotin, mbjellësin plot durim, që e përhap kudo shpresën, pa u lodhur kurrë”.

Në përfundim të fjalimit, Papa Françesku kujtoi ambasadorin italian Luca Attanasio dhe shoqëruesit e tij, që u vranë dy vite më parë në Lindje të vendit, duke falënderuar të gjithë ata, që veprojnë e sakrifikohen për ta ndihmuar Republikën Demokratike të Kongos. Pastaj, u lut për të gjithë, sidomos për gratë, që “të respektohen, të mbrohen e të vlerësohen”, pasi dhuna kundër grave është dhunë kundër Zotit, që lindi nga një grua e, së fundi, dha bekimin e tij apostolik, duke uruar paqe, pajtim e shpresë për gjithë kombin kongolez.

01 shkurt 2023, 17:30