Kërko

Papa me një grup sipërmarrësish nga Meksika Papa me një grup sipërmarrësish nga Meksika

Papa me sipërmarrësit meksikanë: kapitali më i madh është ai shpirtëror

“Secili të kontribuojë që shoqëria të ketë gjithnjë e më shumë artizanë të paqes e të kulturës së takimit”: këtë u kërkoi Papa Françesku sipërmarrësve katolikë meksikanë, të cilët i priti sot në Vatikan. “Kultura e kohës sonë është infektuar nga individualizmi dhe mbyllja”, denoncoi Ati i Shenjtë

R.SH. - Vatikan   

Takimi i paradites së sotme me një grup sipërmarrësish katolikë nga Meksika, i dha rastin Papës Françesku të vërë në pah edhe një herë tiparet e ndërmarrjes së krishterë, e cila nuk synon thjesht fitimet. “Shtëpia ime është shtëpia juaj” u përsëriti meksikanëve fjalët e tyre tipike të mikpritjes, për të denoncuar menjëherë pas, gjendjen aktuale, në të cilën punojnë edhe sipërmarrësit katolikë.

“Po e shohim se si luftërat sjellin shkatërrim për gjithë familjen njerëzore, duke shkaktuar vuajtje dhe varfëri. Po humbasim ndjenjën e familjes, të respektit e të tolerancës për njëri-tjetrin, pavarësisht nga dallimet dhe vështirësitë. Po harrojmë se në familje, problemet zgjidhen me durim, me dashuri, me dialog, duke shkëmbyer pikpamjet dhe duke diskutuar mbi nevojat e secilit, për ta ndihmuar njëri-tjetrin. Kultura e kohës sonë është infektuar nga individualizmi dhe mbyllja”.

Sipërmarrësit katolikë të jenë shenjë e pranisë së Zotit në ekonomi

Si pasojë e kësaj mendësie, vijoi Papa, bota kujdeset gjithnjë e më pak për të vuajturit e të braktisurit. Sipërmarrësit katolikë duhet t’i kundërvihen kësaj gjendjeje e të jenë shenjë e pranisë së Zotit në ekonomi e në punë. Për ta bërë këtë, Ati i Shenjtë i këshilloi të kenë marrëdhënie më të ngushta me Hyjin. “Kapitali më i rëndësishëm, që mund të kemi – pohoi ai – është kapitali shpirtëror”.

“Kur Zoti na i prek zemrat, e zgjerojmë vështrimin, prandaj, mund t’i shohim nevojtarët e të kujdesemi për krijimin: jemi në gjendje të vëmë në vendin e parë të mirën e përbashkët, familjen, duke e hedhur poshtë logjikën individualiste të kësaj bote, suksesin, mbizotërimin dhe paratë. Secili prej nesh duhet të kontribuojë që shoqëria të ketë gjithnjë e më shumë artizanë të paqes e të kulturës së takimit”.

“Lutuni për meshtarët”

Ndihmë e madhe për këtë janë meshtarët, vërejti Papa, duke u kërkuar sipërmarrësve katolikë meksikanë të luten për ta, t’u qëndrojnë afër dhe t’i mbështesin. Së fundi, Ati i Shenjtë ua besoi të pranishmit dhe të gjithë meksikanët Zojës së Guadalupes. “Morenita e Tepejakut”, uroi ai, duke e quajtur Zojën ashtu si vendasit, “u kujdestë për ju, për familjet tuaja dhe ju inkurajoftë e ju shoqëroftë në planet e mira”.

17 shkurt 2023, 13:28