Kërko

2023.02.02 Viaggio Apostolico nella Repubblica Democratica del Congo e in Sud Sudan - Incontro di preghiera presso la Cattedrale di Kinshasa 2023.02.02 Viaggio Apostolico nella Repubblica Democratica del Congo e in Sud Sudan - Incontro di preghiera presso la Cattedrale di Kinshasa

Papa me klerin kongolez: “shërbejini popullit si dëshmitarë të dashurisë së Zotit”

Misioni në një tokë të pasur me shumë bukuri natyrore e burime, por të lënduar nga shfrytëzimi, nga korrupsioni, nga dhuna e nga padrejtësia: kjo, në qendër të takimit të Atit të Shenjtë me meshtarët, diakonët, rregulltarët dhe seminaristët e Republikës Demokratike të Kongos

R.SH. – Vatikan

Në ditën kur Kisha katolike kremton Paraqitjen e Zotit në tempull dhe lutet në mënyrë të veçantë për jetën e shuguruar, Papa Françesku, në orën 16.30, në katedralen Notre-Dame du Congo, në Kinshasa, u takua me meshtarët, diakonët, rregulltarët dhe seminaristët e Republikës Demokratike të Kongos, të cilët u bëjnë ballë çdo ditë “sfidave të jashtëzakonshme”, siç i quajti, gjatë fjalës së tij, kryeipeshkvi i kryeqytetit, kardinali Fridolin Ambongo Besungu. Duke iu referuar Librit të Isaisë profet, në pjesën ku Zoti e ngushëllon popullin e vet, nën skllavërinë e babilonezëve, Ati i Shenjtë e nxiti klerin kongolez “t’i shërbejë popullit si dëshmitar i dashurisë së Hyjit”.

Meshtaria nuk është zanat, për të fituar para

Zoti, vërejti Papa, nuk na lë kurrë vetëm, na zbulohet si “Hyji i mëshirës”, na qëndron gjithnjë pranë, është streha dhe forca jonë në vështirësi, “nuk e lë ujin të na mbysë e zjarrin të na djegë”. Këtë mesazh duhet t’ua çojmë njerëzve, që vuajnë, sepse kjo do të thotë të jemi shërbëtorë të popullit: meshtarë, murgesha, misionarë, që e kanë provuar gëzimin e takimit me Krishtin dhe ia dhurojnë atë të tjerëve. Meshtaria dhe jeta e shuguruar, nënvizoi Françesku, janë shërbim.

“Nuk është fjala për ndonjë zanat për të fituar apo për të pasur ndonjë pozitë shoqërore, as për të sistemuar familjen e origjinës, por është mision për të qenë shenja të pranisë së Krishtit, të dashurisë së tij pa kushte, të faljes me të cilën ai dëshiron të na pajtojë, të dhembshurisë me të cilën dëshiron të kujdeset për të varfërit. Jemi të thirrur ta dhurojmë jetën për vëllezërit dhe motrat, duke u çuar atyre Jezusin, i vetmi, që shëron plagët e zemrës”.

Papa Françesku, në takimin me klerin kongolez
Papa Françesku, në takimin me klerin kongolez

Mediokriteti shpirtëror, rehatia e kësaj bote, sipërfaqësia

Për ta bërë këtë, vijoi Papa, duhet të fitojmë mbi disa tundime. Françesku u ndal në tre prej tyre: mediokriteti shpirtëror, rehatia e kësaj bote, sipërfaqësia. Për të hedhur poshtë mediokritetin, na duhet lutja, që është takim i përditshëm me Zotin. Ati i Shenjtë i këshilloi meshtarët e rregulltarët të mos e neglizhojnë Liturgjinë e Orëve, rrëfimin, adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament, meditimin e Fjalës së Zotit, Rruzaren, lutjet shigjetore kur nuk kanë shumë kohë.

“Lutja na decentralizon, ia hap zemrën Zotit, na ngre në këmbë, sepse na vendos në duart e tij. Ajo krijon brenda nesh hapësirën për ta jetuar afërsinë e Hyjit, që Fjala e tij të bëhet familjare për ne dhe, nëpërmjet nesh, edhe për ata që takojmë. Pa lutje nuk shkohet larg. E, për të kapërcyer mediokritetin shpirtëror, të mos lodhemi kurrë duke iu lutur Zojës, Nënës sonë e të mësojmë prej saj ta kundrojmë e ta ndjekim Jezusin”.

Mos u ktheni në “burokratë të ftohtë të shpirtit”

Në situata me shumë varfëri e vuajtje, vuri në dukje më pas Papa, ka rrezik që edhe meshtarët e rregulltarët të përfitojnë nga roli i tyre për të kënaqur nevojat e rehatinë personale. Mos u ktheni në “burokratë të ftohtë të shpirtit”, i kërkoi Françesku klerit kongolez.

“Sa bukur është ta mbash veten të pastër në qëllime dhe të lirë nga kompromisi me paratë, duke përqafuar me gëzim varfërinë ungjillore dhe duke punuar krah të varfërve! E, sa bukur është të jesh plot dritë kur jeton celibatin si shenjë e gatishmërisë së plotë për Mbretërinë e Hyjit! Të mos ndodhë kurrë që të shihen në ne, të rrënjosura mirë, ato vese, që dëshirojmë t'i zhdukim tek të tjerët dhe tek shoqëria”.

Kleri kongolez
Kleri kongolez

Njerëzit nuk kanë nevojë për funksionarë

Meshtaria nuk ushtrohet në mënyrë të sipërfaqshme, por me njerëz të formuar. “Njerëzit – ngriti zërin Françesku – nuk kanë nevojë për zyrtarë të Kishës apo të diplomuar, që shkëputen nga populli. Nga ne kërkohet të hyjmë në zemrën e misterit të krishterë, të thellohemi në doktrinë, të studiojmë dhe të meditojmë mbi Fjalën e Zotit e, njëkohësisht, ta mbajmë mendjen hapur për shqetësimet e kohës sonë, për pyetjet gjithnjë e më të ndërlikuara të epokës, në mënyrë që t’i kuptojmë jetën dhe nevojat e njerëzve, të kuptojmë si t’i marrim për dore dhe t'i shoqërojmë”.

Ati i Shenjtë u bëri thirrje kongolezëve ta dëshmojnë me jetë se janë shërbëtorë të vërtetë të Popullit të Zotit, por vuri në dukje edhe nevojën që të rinjtë t’i thonë “po” thirrjes së Hyjit, që vendi të ketë meshtarë e rregulltarë të tjerë. Së fundi, i nxiti sërish të jenë: “dëshmitarë të vëllazërimit, kurrë në luftë; dëshmitarë të paqes, duke mësuar të kapërcejnë edhe aspektet e veçanta të kulturave dhe të prejardhjes etnike, sepse, siç pati thënë Benedikti XVI duke iu drejtuar meshtarëve afrikanë, ‘dëshmia juaj e jetës paqësore, përtej kufijve fisnorë dhe racialë, mund të prekë zemrat’ (Nxitja apostolike Africae munus, 108).

02 shkurt 2023, 17:46