Kërko

Papa në "Shtegtimet e Zemrës" Papa në "Shtegtimet e Zemrës" 

Papa: Lufta mizore ua rrëmbeu fëmijëve buzëqeshjen, por jo shpresën

Intervistë e Françeskut me Don Davide Banzato për programin “I Viaggi del Cuore"(Shtegtimet e Zemrës), transmetuar në Kanalin 5. Papa përshkruan gjendjen e sotme të Kishës dhe të botës: "Sot dyqani më i madh është 'fabrika e armëve'. Nëse armët nuk do të prodhoheshin për një vit, uria në botë do të merrte fund”. Ftesa për t’u identifikuar me vuajtjet e të tjerëve, duke mos pasur frikë “të prekësh korpin e vëllait" dhe duke mos u kapur pas dështimeve të jetës, por pas "spirancës" së fesë.

R. SH. - Vatikan

Dhjetë pyetje për të rilidhur fillin e dhjetë viteve të papnisë, por edhe për të prekur plagët e botës, duke nisur nga “lufta mizore” që ua rrëmbeu buzëqeshjen shumë fëmijëve, e duke vijuar me reflektimin mbi ankthet e zemrës njerëzore. Ato që çojnë në një "sëmundje" të rrezikshme: kapjes pas "dështimeve" dhe "gjërave të këqija" të jetës. Françesku dialogon me Don Davide Banzato-n, meshtar i Bashkësisë Horizonte të Reja, fytyrë e njohur në TV me programin Mediaset "Shtegtimet e zemrës". Pikërisht në puntatën e posaçme të këtij programi, sot, e shtunë, 18 shkurt, transmetuar sot në mëngjes në Canale 5, Papa Françesku ishte protagonist me këtë bisedë në Shtëpinë e Shën Martës, lindur, shpjegon autori, në mënyrë krejt papritur. Mendohej si video-mesazh përshëndetjeje për ekipin, shkrimtarët, regjisorët dhe prodhuesin, ndërsa u shndërrua në intervistë të mirëfilltë, e transmetuar pjesërisht në Mediaset. Ndërsa do të botohet e plotë nga Piemme edhe në një libër, që do të dalë më 21 shkurt, me titull “Kërko horizontin tënd. Ngrihu e rinisu sot”.

 Mos u lidhni me gjëra të këqija

Biseda nis nga një pikë e dashur për Papën: ajo e kujtesës. “Hir”  e quan: “Të ruash kujtesën”... Hiri i kujtesës na çon në rrënjët e aktualitetit tonë. Ashtu si personaliteti im, që po i afrohet fundit të jetës, nga e cila u rrit...”, shton ai, duke kujtuar të afërmit e tij në Piemonte, të cilët i vizitoi personalisht në nëntor 2022. “Ka vende të rëndësishme kujtese, njerëz që kanë lënë gjurmë në jetët tona Është mirë të udhëtosh”. Por ky udhëtim në kujtesë e ndër rrënjë, nuk është “fare pa rrezik" - kujton Françesku: "Të gjithë kemi pasur në jetë gjëra të këqija, gjëra që na kanë bërë të vuajmë, prej nga vjen edhe sëmundja e kapjes pas dështimeve të jetës: E kjo dhemb fort. Të këqijat, po, mund t'i kujtojmë, por duke falënderuar Zotin që na ndihmoi të dilnim e të mos ngujoheshim aty, sepse kjo është sëmundje. Është si të lidhesh me dështimet, me ngjarjet e këqija”.

Një çast pikëllimi njerëzor

Sa për gjërat e këqija - vëren Françesku - po ndodhin, e shumë madje, në kohën tonë. Dalim nga pandemia, që na "dobësoi", për të hyrë  në luftë: "Në një luftë të egër", shkaktare e "krizës ekonomike dhe financiare". “Sot, veçanërisht në të gjithë Evropën, njerëzit nuk dinë si do të mund ta paguajnë energjinë elektrike, për shembull. Duhet kursyer shumë”- thekson Papa. “Është kohë e keqe, kohë e shkretimit njerëzor. Kohë e të vdekurve a të plagosurve që vijnë nga lufta... Kohë e të vdekurve të torturuar para vdekjes. Fotografitë e tyre janë të tmerrshme”.

Buzëqeshja e fëmijëve

Ipeshkvi i Romës është në ankth kryesisht për fëmijët: “Kanë harruar të qeshin... Erdhën shumë këtu, shumë nga Ukraina, që kanë harruar të qeshin... Janë të dashur, po, por gazin e kanë humbur. Shkova për t’i parë fëmijët e plagosur ukrainas, shtruar në Spitalin e Krishtit Fëmijë e u trondita. Askush nuk buzëqeshte. Për Françeskun “t’i mohosh buzëqeshjen një fëmije do të thotë... tragjedi!”. Dhe kjo tragjedi po luhet në kohën tonë: “Një kohë, në të cilën dyqani më i madh është ai i shitjes së armëve, fabrika e armëve. Sot - më tha një teknik – nëse për një vit nuk do të prodhoheshin armë, uria në botë do të merrte fund. Luftërat kërkojnë armë. E pse bëhet lufta? Sepse zakonisht perandorisë a qeverisë, kur dobësohet pak,  i duhet lufta për ta marrë veten... Kjo është një gjë e keqe”.

Duke parë horizonte të ndryshme

Megjithatë, në këtë skenar dramatik, Papa nxit që të mos i humbasim shpresat dhe të shikojmë "horizonte" të ndryshme. “Të shikosh horizontet e jetës, si kjo, do të thotë të shikosh shpresën. E të shikosh edhe se historia nuk përfundon me ju, nuk mbaroi me gjyshin tim, as nuk do të përfundojë me brezin e katërt, që do të vijë më pas”. Kjo perspektivë “të jep guximin për të ecur gjithmonë përpara”. Por, kujdes - paralajmëron Françesku- ruajuni nga “psikologjia e strucit” i cili “para çdo rreziku vrapon të fshihet, por di të fshehë vetëm kokën”. E  kujdes edhe të mos shikoni vetëm kërthizën tuaj: “Njerëzit që shikojnë vetëm veten e tyre, bëjnë të kundërtën e kërkimit të horizontit. Horizonti të hap sytë për të parë gjithçka”. Kjo, pohon Papa, është "baza e virtytit të shpresës". Siç thoshin disa Etër të Kishës, që e përfytyronin shpresën si "spirancë": "Sido që të jesh në det a në lumë, ti hedh spirancën për t'u siguruar dhe kapesh pas litarit. E hedh spirancën në përjetësi. E hedh dhe mbahesh pas saj; por nëse nuk shikoni horizontin, nuk mund të hidhni kurrë spirancën, apo jo?". “Në këtë kohë  të vështirë” - nënvizon Papa Françesku -“shpresa jonë është Zoti. Kohë e vështirë dhe e shëmtuar, kohë e ngarkuar me vuajtje, por që ka në dorë litarin edhe spirancën. Është misteri i dhimbjes dhe i shpresës”.

Kush ka fe e kush jo

E atyre, që "nuk kanë fe", çfarë t'u themi? “Nuk është mëkat të mos kesh fe - përgjigjet Papa. “Feja është dhuratë nga Zoti... Ka njerëz të mirë, shumë të mirë që nuk e kanë dhuratën e fesë. Unë thjesht do t'u them: 'Ji zemërhapur. Kërko! Mos u lodh duke kërkuar. Pa ankth! Ata që besojnë duhet të kenë kujdes, megjithatë, të mos jetojnë "si "paganë". Ka besimtarë që jetojnë kështu: "Të krishterë të rremë, ose, siç thoshte gjyshja ime, “të krishterë të ujit të trëndafiltë". Këtyre u them: "Ndryshojeni jetën tuaj! Si është jeta juaj? A është jetë e drejtë? A është në shërbim të të tjerëve? Apo është  jetë që shkapërderdh para?".

Pasuria nuk është mëkat

Më pas, reflektimi për temën e pasurisë: “Një zotëri më tha se këtu, në Romë, ka restorante ku nëse fton dy persona, në fund do të paguash 1700 euro. Po ti po jetoke kështu, në këtë nivel, edhe kur ka njerëz që vdesin nga uria? “Eh, o Atë, mos na u bëj komunist…”. Hajde-hajde, ky qenka Ungjilli, a?'”. “Nuk po flas keq për të pasurit, ka shenjtorë të pasur që dinë t’i përdorin mirë pasuritë e tyre për të tjerët” - sqaroi Françesku - Por edhe “sjelljet” përcaktojnë tipin e fesë: “Nëse mënyra e jetesës është pagane, kuptohet se nuk ka fe apo se ka besim llaka, llaka, po: jeta jote është e lyer me vernik feje, por nuk ka rrënjë, apo jooo?".

Në lidhje me këtë, Papa kujton fotografinë e bërë nga një prej "fotografëve të Vatikanit" në rrugët e Romës. Në të shihet një zonjë e moshuar, e veshur mirë, e cila del nga një restorant dhe lypësi, që i kërkon lëmoshë: "Nëse ti nuk e vëren diçka ose dikë pas kotësisë sate, mënyrës sate të jetesës, je sigurisht i mbyllur në vetvete... "Korpi i vëllait tuaj, është "korpi juaj", nënvizon Papa: "Ndoshta nesër do të jeni ju në atë gjendje… Mos kini frikë ta prekni korpin e plagosur nga jeta!”.

Sklerokardia

Kjo ndihmon për të kapërcyer “sklerokardinë”, mbylljen e zemrës: “Zemra e ngurtë është shumë vështirë të zbutet”. “Shumë herë Zoti përdor situata të këqija për këtë, si sëmundjet, në mënyrë që ta ndryshojë zemrën. Ndaj duhet t'i lutemi gjithnjë Zotit që zemra jonë të mos ngurtësohet, zemra jonë të jetë njerëzore, të jetë afër gjithë njerëzimit. E në vijim Papa pyet: "Sa qajnë - nuk po them me sy, por me zemër - për fëmijët jetimë në Ukrainë? Sa vuajnë për këtë? Sa vuajnë për fëmijët e rrugës që vjedhin, sepse janë vetëm në jetë?" Jezusi e jetoi këtë realitet, ashtu si vijojnë ta jetojnë shumë njerëz edhe sot e kësaj dite".

Lutuni për mua!

Në intervistë përmendet edhe papnia e Françeskut, dhjetë vjet, më 13 mars. Jorge Mario Bergoglio flet për zgjedhjen e tij: “I varfri Pjetër, çfarë pasardhësi gjeti!” - kujton duke qeshur. “Nuk e pata përfytyruar kurrë një gjë të tillë për jetën time”. Megjithatë ishte kalimin “i natyrshëm” nga Buenos Ajres - në Romë - vështrim në horizonte të ndryshme. Sigurisht që nuk mungojnë ankthet, por jo gjithmonë janë “të këqija”, përkundrazi mund të bëhen rast për “të dalluar”.

Megjithatë, Françesku kërkon lutje: "Lutuni për mua që të jem Papë i krishterë, jo pagan, që Zoti të më japë hirin të jetoj si i krishterë dhe të ndihmoj Kishën, popullin e shenjtë besnik! Nuk është as prifti, as ipeshkvi, por populli i Zotit”.

18 shkurt 2023, 14:38