Papa : interesat e njëanshme nuk duhet të pengojnë unitetin mes të krishterëve
R.SH. – Vatikan
Shtegtimi, dialogu dhe dëshira: këto janë tre elementet e rrugëtimit ekumenik, të rrugëtimit të të krishterëve drejt bashkimit të plotë. Papa Françesku ua tregon këtë priftërinjve dhe murgjve të rinj të Kishave Ortodokse Lindore të cilët i priti sot paradite në audiencë në Vatikan. Nëse të krishterët ecin së bashku, shpjegoi Papa Bergoglio, në fjalimin e dorëzuar për shkak të një të ftohje të rëndë, ata do të shoqërohen nga Krishti, i cili do t'i mbështesë, shoqërojë, motivojë dhe do t'i çojë në plotësimin e udhëtimit të tyre.
Në mënyrë të ngjashme, dekurajimi dhe vetëreferencimi i pengojnë të krishterët e Rrëfimeve (Kishave) të ndryshme të shohin ato gjëra që i bashkojnë, të njohin Atë (Krishtin) që i bashkon. Pra, si besimtarë duhet të besojmë se sa më shumë të ecim së bashku, aq më shumë do të jemi të shoqëruar në mënyrë të mistershme nga Krishti, sepse uniteti është shtegtim i përbashkët.
Fuqia e dialogut
Elementi i dytë është dialogu: dialogu i dashurisë bamirëse, dialogu i së vërtetës, dialogu i jetës.
Kjo na tregon se dialogu ndërmjet të krishterëve bazohet në Fjalën e Zotit, të cilën Zoti Jezus na bën ta kuptojmë me dritën e Shpirtit të tij.
Dëshira të mbizotërojë mbi interesat e njëanshme
Elementi i tretë është "dëshira për bashkimin me lutje, me gjithë zemër dhe forcë, me këmbëngulje, pa u lodhur", sepse nuk mjaftojnë ecja dhe dialogu nëse "dëshira për bashkim shuhet " dhe "çdo gjë bëhet e duhur dhe formale".
Kjo ndoshta është ajo që u mungon më së shumti sot të krishterëve të Besimeve të ndryshme: një dëshirë e zjarrtë për unitet, e cila vjen përpara interesave të njëanshme, përpara interesave partiake.
Tërmeti, sanksionet të mos e pengojnë ndihmën
Nëse në udhëtimin ekumenik jetojnë e kultivohen tre dimensionet e shtegtimit, dialogut dhe dëshirës, përfundon Papa Françesku, do të arrijmë në "dëshminë e besueshme të të Kryqëzuarit të Ngjallur", në dëshminë e Krishtit të Kryqëzuar e të Ngjallur me urimin që bashkimi "të rritet në dialogun vëllazëror, që të ripërtërihet në secilin një dëshirë e zjarrtë për unitet”. Më pas, mendimet e Papës shkuan tek viktimat e tërmetit në Siri dhe Turqi.
Disa prej jush vijnë nga Siria e trazuar; dëshiroj t'i shpreh një afërsi të veçantë atij populli të dashur, të sprovuar jo vetëm nga lufta, por edhe nga tërmeti që, si në Turqi, ka shkaktuar kaq shumë viktima dhe shkatërrime të tmerrshme. Përballë vuajtjeve të kaq shumë fëmijëve, grave, nënave, familjeve të pafajshëm, uroj e kërkoj që të bëhet gjithçka që është e mundur për njerëzit, që të mos ketë arsye apo sanksione që pengojnë ndihmën urgjente dhe të nevojshme për popullatën.