Kërko

Audienca e Papës me artistët Audienca e Papës me artistët

Papa Françesku: në një botë në luftë, përpiquni të krijoni mrekulli

Papa priti sot anëtarët e Fondacionit Shoqata e Shfaqjeve, në 75-vjetorin e veprimtarisë: përballë konflikteve dhe sëmundjeve të shumta të planetit, u takon krijuesve të bukurisë t’i shoqërojnë ata, që e gëzojnë këtë “mahnitje të Zotit”, e cila lexohet në tregimin e krijimit

R.SH. - Vatikan

Në tregimin e krijimit "Zoti është edhe autor, edhe spektator". E faqja e parë e Biblës, “histori pjesëmarrjeje, bukurie, pasioni e dashurie”. Në këtë faqe mund të gjindet “kuptimi i punës kulturore: nga njëra anë është veprimi krijues, nga ana tjetër, soditja dhe vlerësimi”. Këtë nënvizoi Papa, ndërsa priti sot, në Vatikan, rreth 200 anëtarë të Fondacionit Shoqata e Shfaqjeve, me rastin e festimeve në 75-vjetorin e veprimtarisë. Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, Françesku u besoi artistëve një detyrë: atë të “rizgjimit të mrekullisë”, në një “botë gjithnjë e më artificiale, ku njeriu  rrethohet me veprat e duarve të veta”.

Bukuria e mrekullisë

Pasi kujtoi se në Itali bota katolike ka krijuar "një mori përvojash lidhur me komunikimin shoqëror, në veçanti me kinemanë”, Françesku, përmendi, ndër të tjera, edhe qendrat e angazhimit në radio e në teatër. Më pas kujtoi edhe fushën e televizionit të Veprimit Katolik, si veprimtari e kërkuar nga Piu XI, sot Komisioni kombëtar i vlerësimit të filmit i Konferencës Ipeshkvnore Italiane. E edhe Sallat e Bashkësisë, rezultat i angazhimit të oratoreve dhe famullive. E më pas e përqendroi fjalën e tij tek mahnitja:

“Duket se vetë Zoti u mahnit e u mrekullua nga bukuria e krijesave, sidomos kur kundroi njeriun e sapokrijuar. Do të dëshiroja t’ju them: të rinisemi prej këndej, prej artit parë si mahnitje, në radhë të parë për ata që krijojnë, për artistët”.

Bota ka nevojë për shenja dhe vepra të mrekullueshme

Papa përmendi, më pas, një film të regjisorit rus Andrej Tarkovskij, i cili jetoi në shekullin e kaluar. I titulluar“Andrej Rublëv”, prodhuar në vitin 1966, riinterpreton historinë e Rusisë së shekullit të 15-të përmes bëmave të piktorit rus Andrej Rublëv. Ipeshkvi i Romës e kujtoi këtë film si  "kryevepër" të kinematografisë ruse, në shërbim të historisë:

“Mendoj për atë kryevepër, për ‘Andrej Rublëv’ të Tarkovskit: artisti mbetet shurdhmemec nga trauma e luftës, që e bën, kështu, njeriun të mendojë për çfarë po ndodh sot në botë. Rublev nuk pikturon më, as nuk flet më. Endet i përhumbur, në kërkim të një kuptimi, derisa është i pranishëm në shkrijen e një kumbone. E që në tingullin e parë të asaj kumbone të madhe, zemra i hapet, gjuha i zhdridhet, fillon të flasë përsëri dhe të rrokë përsëri penelin.E ekrani mbushet rishtas me ngjyrat e ikonave të tij”.

Artisti, i nderuar si shenjtor nga Kisha Ortodokse, konsiderohet nga shumëkush si piktori më i madh i ikonave. Françesku shpjegon sesi ai tingull  e mahnit  ikonografin e shquar:

“Tingulli i kambanës, që del nga toka e nga bronzi, si për mrekulli, e mbush shpirtin e artistit me habi dhe në njëfarë kuptimi dëgjon në të zërin e Zotit, i cili i pëshpërit: "Hapu!". Si i pati thënë Jezusi në Ungjill shurdhmemecit: ‘Effata’”.

E i hapen goja-sytë-veshët - për të vijuar krijimin, që të lë pa gojë nga mahnitja!

Habia e Zotit

Papa u ndalua, më pas, në faqen e parë të Biblës, tek historia e krijimit, që duket se rrjedh si film. E edhe Zoti, "krijues e spektator", gjithashtu mahnitet:

“Është historia e pjesëmarrjes, e bukurisë, e pasionit, e dashurisë. Por në fund të veprimtarisë së tij krijuese, Zoti kryen një gjest befasues: bëhet spektator i veprës së tij, sodit atë që ka krijuar dhe ‘e sheh se ishte e mirë’. Por për njeriun e bërë sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së tij, “mahnitja” është edhe më pasionuese: “ishte një gjë shumë e mirë”.

Pikërisht në rrëfimin e Krijimit mund të gjindet edhe kuptimi i thellë i thirrjes së artistit, i punës së tij kulturore:

“Në këtë faqe ungjillore, të dashur miq, regjisorë, aktorë, gra e burra që punoni në kinema, mund të gjejmë edhe kuptimin e punës suaj kulturore. Nga njëra anë është veprimi krijues, nga ana tjetër soditja dhe vlerësimi. Më duket se mund ta pasqyrosh veten në këtë afresk të mrekullueshëm biblik, i cili i magjepsi shumë artistë dhe vijon t’i mahnisë, t’u nxisë imagjinatën, reflektimin, frymën krijuese të bukurisë!”.

20 shkurt 2023, 12:42