Kërko

Papa Françesku: sporti është metaforë e jetës

Papa priti në audiencë Shoqatën "Sporti në Vatikan" dhe përvijoi tre rregullat themelore për atletin. Agonizmi i shëndetshëm, shpjegoi Ati i Shenjtë, kontribuon në maturinë e shpirtit

R.SH. – Qyteti i Vatikanit

Stërvitja, disiplina dhe motivimi janë tre rregullat themelore për atletin sipas Papës Françesku, i cili sot paradite priti në audiencë anëtarët e Shoqatës së Sporteve Amatore "Sport në Vatikan", atletë e atlete që punojnë në Kurien Romake dhe në Shtetin e Vatikanit. Papa kujton 50-vjetorin e themelimit të kampionatit të futbollit të Vatikanit, në vitin 1972, duke iu referuar edhe "vitit të largët 1521 në të cilin u luajt ndeshja e parë e futbollit fiorentin, në Oborrin Belvedere, brenda Vatikanit, në prani të Papës Leonit X. Një lidhje me Shoqatën aktuale, që nuk duhet harruar kurrë:

Gjatë kampionateve të ndryshme, si kur udhëtoni për manifestime solidariteti, jeni të thirrur të dëshmoni lidhjen tuaj me Selinë e Shenjtë.

Nevoja për një konkurrencë të shëndetshme e të ndershme

Papa Françesku nënvizon, pra, rëndësinë e "antagonizmit të shëndoshë si aktivitet, që mund të kontribuojë në arritjen e maturisë për shpirtin". Prej këtej, rrjedhin tre rregulla, duke filluar nga stërvitja, me mund, djersë dhe sakrificë, tregues të “pasionit për sportin”. Prandaj është thelbësore, pohon Ati i Shenjtë, ta jetoni sportin me kënaqësi:

Nëse keni këtë qëndrim, konkurrenca është e shëndetshme; përndryshe, nëse mbizotërojnë interesa të llojeve të ndryshme, konkurrenca shpërfytyrohet, ndonjëherë madje edhe korruptohet

Disiplinë për të shprehur më të mirën

Disiplina, vazhdon Papa Françesku, "është aspekt tjetër i edukimit, i formimit". Disiplina, shpjegon Ati i Shenjtë, nënkupton respektimin e rregullave, por ka të bëjë edhe me "mësimin, rritjen, përmirësimin":

E kjo kërkon, pikërisht, disiplinë, pra, aftësinë për të dominuar veten, për të korrigjuar impulsivitetin që, pak a shumë, e kemi të gjithë. Disiplina pastaj i mundëson çdonjërit të luajë rolin e vet, ekipit të shprehë më të mirën, së bashku.

Sporti si metaforë e jetës

Rregulla e fundit është motivimi, "forca e brendshme" që "të jep shtytjen, të çon në rezultatin e mirë":

Verifikimi nuk bëhet mbi bazën e rezultatit numerik, por se si dhe sa besnikë e koherent kemi qenë me thirrjen tonë. E, duke folur për motivimin, do të doja të shtoja diçka për ju që jeni sportistë të Vatikanit: mënyra juaj e bashkimit dhe e bashkëpunimit si skuadër mund të jetë shembull për punën brenda Dikastereve dhe ndërmjet Dikastereve të Kuries Romake, si dhe në Drejtoritë e ndryshme të Shtetit të Vatikanit. Edhe një herë sporti është metaforë e jetës.

09 shkurt 2023, 11:44